Behgjet Pacolli akuza zv/kryeministres se është… Pazaret e Belinda Ballukut që po marrin peng Aeroportin e Vlorës

Behgjet Pacolli Belina Balluku
19 Janar 2026
E pandehura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), zv/kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është futur në mosmarrëveshjen mes dy ortakëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës duke shkallmuar çdo ligj, çdo parim të shtetit të së drejtës dhe çdo rregull elementar të administrimit publik, duke marrë hapur anën e ortaku minoritar, Valon Ademit që ka 2% të aksioneve dhe duke përjashtuar në mënyrë arbitrare investitorin që zotëron shumicën dërrmuese të aksioneve, Behgjet Pacollin e Mabco me 98%, ai që ka financuar realisht ndërtimin e aeroportit, një ndër projektet më të mëdha strategjike në vend.
Përmes një letre dërguar Ballukut, e për dijeni dhe kryeministrit Rama, Mabco ka denoncuar një takim të zhvilluar më 12 janar 2026 në ambientet e kantierit të aeroportit mes përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit të Aviacionit Civil, Albcontrol dhe kompanisë 2A Group sh.p.k të Valon Ademit.
Detajet nga letra
Takimi, konsiderohet nga Mabco “një akt tejet i rëndë, i paprecedentë dhe thellësisht shqetësues, i udhëhequr nga z. Valon Ademi dhe z. Vegim Hoxha. Këta individë po veprojnë në kundërshtim të hapur me ligjin, këtë herë, siç duket, të mbështetur edhe nga përfaqësuesit e MIE-s dhe institucioneve të tjera shtetërore si Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Albcontrol po ashtu të pranishëm në mbledhje”, shkruhet në letër. Kompania e Pacollit, ngre si shqetësim, dhe faktin që në takim nuk është lënë të marrë pjesë përfaqësuesi i kompanisë Mabco, Afrim Aziri, konsulent për certifikimin e aeroportit pranë VIA.
“Pasi mori dijeni se takimi lidhej me mbarëvajtjen e VIA-s, z. Afrim Aziri u paraqit në vendngjarje. Aty ishte i pranishëm edhe z. Valon Ademi, administrator dhe ortak i vetëm i “2A Group sh.p.k.” (në vijim “2A Group”). Në bashkëpunim me z. Vegim Hoxha, ata i kërkuan z. Aziri të bisedonin jashtë ambienteve të mbledhjes, ku e njoftuan se ishte i “padëshirueshëm” pasi konsiderohej si “njeri i Mabco-s”.
Më pas, në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme, e kanë penguar atë fizikisht të marrë pjesë në takim”, vijon më tej letra. Madje sipas tyre, në vendin e takimit është paraqitur Drejtori i Projektit për Mabco, z. Fadil Neziri, i cili gjithashtu nuk është lejuar të marrë pjesë me miratimin dhe të përfaqësuesve të ministrisë. “Pavarësisht se z. Neziri informoi përfaqësuesit e MIE-s për cilësinë e tij dhe posedimin e prokurës së përfaqësimit të Mabco-s, z. Ademi dhe z. Hoxha e larguan atë fizikisht nga vendi i mbledhjes.
Kjo ndodhi me miratimin e heshtur dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të MIE-s dhe institucioneve të tjera që ishin të pranishëm. Duke mos ndërhyrë, këta zyrtarë i mohuan Mabco-s të drejtën elementare për t’u informuar mbi një projekt ku ka investuar deri më tani 80 milionë euro si dhe për të koordinuar”, thuhet në letër. Mabco flet për një qasje të njëanshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në gjithë këtë histori. “Fakti që takimi u zhvillua në zyrat e 2A Group në kantier tregon që në fillim se përfaqësuesit e MIE-s kishin një qëllim të paracaktuar: të komunikonin në mënyrë të njëanshme me ortakun e minorancës (2%), duke përjashtuar qëllimisht dhe në keqbesim ortakun mazhoritar (98%)”, thuhet më tej.
Lidhjet e Valon Ademit me Belinda Ballukun, në skenë Arbër Abazi
Në këtë pikë, pyetja nuk është më kush ka të drejtë mes dy ortakëve, por kush po e përdor shtetin për të rrëmbyer një aeroport. Dhe kjo është një pyetje që nuk i takon më vetëm biznesit, por drejtësisë dhe opinionit publik. Lidhjet e Belinda Ballukut me ortakun minoritar të Aeroportit të Vlorës ishin paralajmëruar edhe më herët, shumë përpara se konflikti i aksioneve të dilte hapur dhe projekti të bllokohej institucionalisht. Hetimet e SPAK mbi tenderat e Unazës së Madhe të Tiranës kanë nxjerrë në pah emrin e Arbër Abazi, pronar i kompanisë Alko-Impex General Construction, fituese e loteve të Unazës, përfshirë Lotin 7, në bashkim kompanish.
Abazi rezulton të ketë lidhje familjare me Belinda Balluku, si bashkëjetues me vajzën e tezes së saj, ndërsa njëkohësisht është nip i ish-deputetit socialist Sadri Abazi. Skema bëhet edhe më domethënëse kur shihet struktura reale e biznesit. Alko-Impex General Construction në Shqipëri është degë e një kompanie me të njëjtin emër të regjistruar në Kosovë, në pronësi të biznesmenit Imer Ademi. Arbër Abazi dhe Imer Ademi kontrollojnë së bashku edhe shoqërinë koncesionare Kukur Hydro Energy, ku Abazi figuron administrator, duke ndërtuar një ortakëri që prej vitesh ka përfituar fonde publike përmes tenderave që sot janë nën hetim penal.
Kjo zinxhir lidhjesh shkon një hap më tej, pasi Imer Ademi është babai i Valon Ademit, aksionerit minoritar me 2 për qind në Aeroportin e Vlorës, i cili po mban peng projektin me pretendimin për të kaluar nga 2 për qind në 49 për qind të aksioneve. Në këtë dritë, konflikti në aeroport shkon përtej Valon Ademit, si pjesë e një klani që arrin deri në nivelet më të larta të qeverisë. Kjo është arsyeja pse po ushtrohet presion mbi një investim strategjik, duke e kthyer aeroportin në një betejë politike dhe institucionale, jo thjesht ekonomike.
