22 Maji 2023

Ka nisur ditën e djeshme në Kosovë stërvitja më e madhe ndërkombëtare ushtarake, “Defender Europe ’23”, e cila do të zgjasë deri më 2 Qershor. Stërvitja ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është hapur në Prishtinë me himnin kombëtar të Kosovës dhe SHBA-së.

E pranishme në ceremoninë e hapjes ishte edhe presidentja Vjosa Osmani që e vlerësoi atë si ushtrim i gatishmërisë kolektive për mbrojtjen e paqes. “Është një kujtesë që forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta që i kultivojmë”, tha ajo. Ndërsa kryeministri, Albin Kurti e cilësoi atë si ngjarjen më të madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.

“Mbi 1.300 ushtarakë të FSK-së do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake, në krah të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partneret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai. Kryeministri shtoi se qëllimi kryesor i stërvitjes është “rritja e bashkëpunimit mes aleatëve, shfaqja e unitetit dhe përgatitja për t’u përballur me një armik të njohur por edhe të paparashikueshëm”, referuar qartazi Serbisë.

Në “Defender Europe 2023” marrin pjesë afro 9 mijë trupa ushtarake amerikane dhe 17 mijë forca të tjera nga vendet e aleate dhe ajo veç Kosovës do të shtrihet edhe në 9 vende të tjera europiane, përfshirë edhe Shqipërinë. Nën udhëheqjen amerikane, stërvitja që do të zhvillohet në fshatin Babaj të Bokës të Gjakovës, ka për qëllim rritjen e ndërveprueshmërisë mes vendeve si dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s për të reaguar në rast kërcënimi ndaj kontinentit.