11 ditë luftë me flakët! Zjarret mbajnë të “pushtuar ” malet e Librazhdit dhe Prrenjasit, dhjetëra zjarrfikës në terren

14 Gusht 2026
Zjarret vijojnë të mbajnë në gatishmëri shërbimet zjarrfikëse në zonat pyjore. Në Malin e Dardhës, në Njësinë Administrative Hotolisht të Bashkisë Librazhd, një vatër zjarri ka kërkuar ndërhyrje të pandërprerë për 11 ditë me radhë, ndërsa autoritetet raportojnë se situata tashmë është izoluar dhe po monitorohet.
Sipas informacionit zyrtar të MZSH Librazhd, zjarri është aktivizuar në thellësi të masivit pyjor të Malit të Dardhës, një zonë me terren të vështirë dhe me pyll të dendur ahu. Për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt pjesëve të tjera të masivit, shërbimi zjarrfikës është detyruar të ndërhyjë edhe me kundrazjarr, duke krijuar barriera për kufizimin e vatrës.
Në operacionin e ndërhyrjes kanë marrë pjesë 18 forca, të angazhuara nga shërbimi zjarrfikës, shërbimi pyjor, strukturat e emergjencave civile dhe Njësia Administrative Hotolisht.
Rreth 7 hektarë sipërfaqe e përshkuar nga zjarri
Sipas të dhënave të MZSH Librazhd, që prej momentit të aktivizimit të zjarrit, sipërfaqja e përshkuar nga flakët llogaritet në rreth 7 hektarë.
Megjithatë, dëmet në masën e drurëve të gjallë vlerësohen si minimalë. Zjarri ka prekur kryesisht barishte, ferra, materiale të dekompozuara, humus, trungje të thata dhe filiza të rinj.
Një prej arsyeve kryesore që ndërhyrja ka zgjatur për 11 ditë lidhet me karakteristikat e terrenit dhe të materialit të djegshëm. Bëhet fjalë për një sipërfaqe pyjore që më herët është shfrytëzuar për prerje të lëndës drusore, duke lënë në terren trungje të thata, mbetje drusore, humus dhe material tjetër organik që mund të vazhdojë të digjet edhe pasi flakët në sipërfaqe janë shuar.
Pikërisht për këtë arsye, shërbimi zjarrfikës thekson se fikja 100 për qind e vatrës nuk mund të garantohet ende, pasi në disa pika vijon procesi i djegies së humusit dhe trungjeve të thata nëntokë.
