Financimi i partive burim klientelizmi me kontratat e sherbimeve urbane

Financimi i partive, burim klientelizmi me kontratat e sherbimeve urbane

Kandidati i pavarur Gjergj Bojaxhi vazhdoi edhe sot të godasë financimin e paligjshëm dhe jotransparent të fushatave elektorale si një ndër shkaqet kryesore të klientelizmit dhe korrupsionit në qeverisje, përfshi keqqeverisjen e Tiranës. Zinxhiri është i thjeshtë: bizneset financojnë fushatat elektorale dhe karrierat e politikanëve; këta të fundit vijnë në pushtet me “borxhe” ndaj financuesit; për të shlyer borxhin ofrohen favore dhe privilegje ta paligjshme apo të pandershme në mënyrë që financuesit të marrin mbrapsht disa herë paratë e paguara gjatë fushatës. Me të filluar ky proçes shpërblimi, klientelizmi dhe korrupsioni prodhojnë klientelizëm dhe korrupsion derisa e gjithë qeverisja përfundon e kapur nga bizneset.

“Kontrata për pastrimin e qytetit i është dhënë një kompanie që ka mbështetur një fushatë elektorale. Natyrisht, nuk i është dhënë për të pastruar qytetin por për të marrë mbrapsht disa fish paratë e dhuruara për fushatë. Cili është rezultati i këtij klientelizmi? Ky kosh plehrash më i madh se sa unë në moshë; fshesat e shtufës dhe pajisjet e pastrimit të nivelit të para 100 vjetëve; qyteti i mbytur në plehra.”

Gjergj Bojaxhi tha se çrrënjosja e klientelizmit është kushti kryesor për përmirësimin rrënjësor të shërbimeve në qytetin e Tiranës. E vetmja garanci për arritjen e këtij qëllimi është transparenca dhe zbatimi i ligjit në financimin e partive politike.

Një ditë më parë Zoti Bojaxhi deklaroi se përllogaritjet e ekspertëve për shpenzimet elektorale të Zotit Veliaj dhe Zotit Kosova kanë shkuar në miliona euro.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama