Zenka masive dhe thirrje raciste skandali serb i radhes

Zenka masive dhe thirrje raciste, skandali serb i radhes
Serbia është bërë përsëri protagoniste e një ngjarje të turpshme në një ndeshje futbolli, ku këtë radhë ka tejkaluar çdo kufi. Tifozët serbë kanë lëshuar thirrje raciste gjatë të gjithë takimit mes kombëtareve U-21 të Serbisë dhe Anglisë, të fituar nga këta të fundit, ndërsa edhe lojtarët e stafi teknik nuk kanë qenë më të mirë, pasi në fund të ndeshjes, për t’u hakmarrë ndaj eliminimit, kanë sulmuar fizikisht lojtarët dhe stafin e kombëtares angleze të futbollit.

Absurditeti i këtyre ngjarjeve është se duket qartë që UEFA mbron Federatën Serbe, pasi gjyqtari i takimit nuk ka reaguar ndaj thirrjeve raciste, pavarësisht fushatave që ndërmerr herë pas here institucioni që administron futbollin në kontinentin tonë, duke vazhduar qetësisht lojën edhe kur në fushë kanë vëshuar objekte të panumërta.

Skenat e fundit të ndeshjes ishin me të vërtetë të turpshme, ku fillimisht një anëtar i stafit serb goditi me kokë trajnerin e portierëve të Anglisë, ndërsa zëvendëstrajnerin e shtrinë në tokë dhe e goditën me shkelma vetë lojtarët dhe stafi serb. Ndërkohë, portieri Xhek Butland, shpëtoi mirë pasi u gjuajt me një karrige plastike.

Çështja në fjalë është raportuar në UEFA nga Federata Angleze e cila ka kërkuar që të ndërmerren masa të ashpra ndaj këtyre ngjarjeve. Por duket se UEFA vazhdon të falë kombëtaren e këtij vendi, tifozët dhe lojtarët e të cilës janë mësuar me bëma të tilla. Ironikisht, 5 vite më parë, e njëjta gjë ka ndodhur në një ndeshje mes përfaqësueseve U-21 dhe asokohe, UEFA dënoi Serbinë vetëm me një gjobë prej 16 mijë paund duke dhënë shembullin e mirë se si mund të falen ato që veprojnë si rrugaçë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama