Identitet postohet ne faqen zyrtare te Eurovision 2013

'Identitet' postohet ne faqen zyrtare te Eurovision 2013
Videoklipi i këngës “Identitet”, me të cilën Shqipëria do të përfaqësohet në Malmo të Suedisë, është publikuar ditën e hënë në faqen zyrtare të Eurovision. “Versioni final i këngës me të cilën Shqipëria do të garojë në garën më të madhe të këngës evropiane është sjellë në publik e riorkestruar”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kënga është shkurtuar  në tre minuta, nga katër e dhjetë sekonda që ishte kur dyshja, Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko, e këndoi për herë të parë “live” në Festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar. “Identitet” – që do të prezantohet në gjysmëfinalen e dytë të “Eurosong” në Malmo të Suedisë më 15 maj të këtij viti – është ripërpunuar dhe incizuar në studion “Kingside”. Këngëtari ulqinak, Ardian Lulgjuraj, në një prononcim për “Kohën Ditore” ka shpjeguar ndryshimet që i janë bërë këngës.

“Ka pasur disa ndryshime. Disa nota janë ndryshuar. Tema ka mbetur e njëjtë dhe kënga është shkurtuar në tre minuta, sipas standardit të ‘Eurovisionit’”, ka thënë Lulgjuraj nëpërmjet telefonit. “Është më kompakte dhe më agresive”.

Lulgjuraj ka rrëfyer arsyen për incizimin e versionit final të “Identitetit” në Suedi. “E kemi bërë vetë këtë përzgjedhje, edhe pse kemi pasur mundësi ta realizojmë në Amerikë, sikur vjet Rona Nishliu. Por ajo studio nuk ishte adekuate për muzikën rock dhe duke pasur parasysh që Suedia anon më shumë nga muzika rock, e kemi gjetur një studio të mirë në Stockholm”, ka thënë ai.

Ekipi shqiptar kishte realizuar versionin final të këngës dy javë më parë, por publikimi është bërë të hënën. “Identiteti” do të interpretohet në gjuhën shqipe.“Duke marrë parasysh që titullohet ‘Identitet’ dhe ka elemente etno, do të ishte qesharake të këndohej në anglisht”, ka thënë Lulgjuraj.

Në faqen zyrtare të “Eurovisionit”, videoklipi është shoqëruar me përshkrim: “Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko do të përfaqësojnë Shqipërinë në ‘Eurovision’, me këngën ‘Identitet’. Qëkur Shqipëria i është bashkuar garës në vitin 2004, ata i kanë zgjedhur këngët në dhjetor përmes garës së tyre kombëtare Festivali i Këngës. Finalja e këtij viti ka rezultuar me fituesit Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko me këngën ‘Identitet’”.

Kënga “Identitet” që gërsheton elementet etno me muzikën rock, e interpretuar nga Bledar Sejko, vokal e kitarë, dhe këngëtari Adrian Lulgjuraj, ka triumfuar në edicionin e 51-të të Festivalit të Radiotelevizionit Shqiptar, në dhjetor të vitit të kaluar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama