Ftesa per feste nepermjet Facebook degjeneron ne dhune

Ftesa per feste nepermjet Facebook, degjeneron ne dhune
Një ftesë virtuale në Facebook për festimin e ditëlindjes së një 16-vjeçareje përfundoi në zënka masive dhe dhunë mes…3 mijë të ftuarve. Ngjarja e rrallë u shënua në Haren, një qytezë e vogël dhe e qetë në Holandë. Sipas policisë së këtij qytetit, një 16-vjeçare u kishte dërguar ftesën për ditëlindjen e saj miqve në Facebook duke u këshilluar atyre që të merrnin me vete miqtë e tyre.

Këta të fundit shpërndanë ftesën dhe brenda pak orëve, numri i personave të ftuar në ditëlindje shkonte rreth 30 mijë persona. Kur nisën flukset e para të të ftuarve që të mbërrinin në qytezën e qetë, policia u vu në alarm. Turmat e të rinjeve në gjendje të dehur nisën zënkat dhe aktet vandale, e rrallë për Harenin. Autoritetet anuluan menjëherë festën dhe shpërndanë një njoftim ku u bënte thirrje të gjithë personave të ftuar në ditëlindje që të mos paraqiteshin, pasi festa ishte anuluar.

Por sërish rreth 3 mijë të rinj pushtuan qytezën. Qindra forca sigurie u vendosën në qytezë për të ruajtur rendin. Mediat holandeze njoftojnë se grupet e të rinjve në gjendje të dehur kanë goditur me shishe birre dhe sende të tjera të forta policinë. Kjo e fundit përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë të rinjtë, por nga disa u akuzua për tejkalim të veprimeve të dhunshme.   Të ftuarit mbanin të veshura bluza me shkrimin “Project X Haren”, të blera nëpërmjet internetit për 23 euro. Project X është një film i publikuar në fillim të këtij viti dhe bën fjalë për një mega-festë që del jashtë kontrollit.

Burimi i katrahurës ishte rrjeti social Facebook dhe banorët e qytezës së vogël holandeze menduan që të përdorin të njëjtin burim për të pastruar rrëmujën. Ata krijuan faqen “Project Clean-X Haren”, me synim ndërgjegjësimin e banorëve për pastrimin e qytezës, të shndërruar në kazan plehrash pas trazirave.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama