Arjola e BB Nese donin djemte te me puthin nuk iu thoja JO!

Arjola e BB: Nese donin djemte te me puthin, nuk iu thoja JO!
Arjola hyri në Big Brother për të provuar veten në raport më të tjerët, por edhe për të njohur personalite të ndryshme njerëzish. Për fatin e saj të keq, qëndroi shumë pak brenda shtëpisë. Javën e tretë ajo doli nga loja ku mund të fitonte 100 mijë euro. 20-vjeçarja është nga qyteti i Pogradecit dhe studion juridik në vitin e dytë. Nuk është aspak e kënaqur për daljen saj të hershme por për këtë nuk ka ndonjë përgjigje konkrete. Është sjellë ashtu si e ka ndjerë brenda mureve të shtëpisë, e për të, pak rëndësi ka nëse e kanë kuptuar apo jo banorët lojtarë. Edhe pse pjesa më e madhe e djemve në atë shtëpi janë modelë e pjesëmarrës në konkurse bukurie, përsëri Arjolës nuk i ka pëlqyer askush. Në një rrëfim për “Shekullin” ajo tregon eksperiencën më të veçantë të jetës së saj.

Arjola, me çfarë qëllimi ke hyrë në “Big Brother”?

Qëllimi im ishte që të njihja personalitete të ndryshme dhe se sa e aftë jam unë që të njoh një person aty brenda. Veç të tjerave doja të shihja, se sa e aftë jam unë që të gjykoj një njeri apo një situatë brenda, e izoluar, por edhe të njihja veten akoma më mirë brenda. Nuk e kam menduar ndonjëherë çmimin e madh. Çdokush e ka dëshirë edhe unë e kisha, por nuk e doja me aq ngut, me çdo kusht. Kam qenë shumë realiste. Ndoshta intrigat mund të më çonin edhe më lart, por unë çdo personi ia kam thënë në sy atë që kisha dhe jo pas krahëve.

Ja arritët këtij qëllimi?

Me disa po. Banorët aty më shikonin person të afërt dhe më tregonin disi për jetën e tyre. Kjo më vlejti edhe për të njohur veten time akoma më tepër. Me të gjithë pothuajse pata komunikim.

Nuk e mendon Big Brotherin si një “laborator”, dmth, vend, në të cilin njerëzit edhe mund të ndryshojnë personalitetin e tyre?

Po, shumë e vërtetë, edhe e ndryshojnë personalitetin. Është krejt ndryshe nga bota jashtë. Aty brenda duke mos pasur asnjë informacion se çfarë ndodh përtej mureve të shtëpisë, në ato ambiente njerëzit ndryshojnë shumë. Jashtë mund ta quajnë absurde se përse brenda njerëzit bien në dashuri. Po edhe bie, sepse të bëjnë rrethanat. Të jesh 24 orë më atë person, duke folur, e duke të mbajtur afër, në ato ambiente edhe mund të bihet në dashuri. Ta provosh vetë është ndryshe.

Familja si e priti futjen tuaj në atë shtëpi?

Më priti shumë mirë, edhe kur hyra nuk pata kundërshtime nga ata. I thash babait që të linte gjithccka në dorën time dhe në fund fare të më vlerësonte. Kur dola babai më priti shumë mirë.

Ishe e gatshme të lidheshe me një djalë brenda shtëpisë për të fituar popullaritet?

Nuk do të lidhesha asnjëherë për audiencë, në qoftë se nuk e ndjeja. Sepse do i binte që unë do të tallesha me personalitetin tim dhe qëndrimi im do ishte fals.

Ke hyrë single në “Big Brother”?

Single kam hyrë dhe single vazhdoj të jem akoma. Kam pasur shumë kërkesa, por akoma nuk vendos unë. Nuk është se kërkoj shumë, ata janë shumë të mirë, të gjithë ata që më kanë propozuar i falënderoj shumë, por akoma nuk jam gati që të krijoj një lidhje.

Njerëzit për 100 milionë lekë mund të bëjnë shumë gjëra, pse jo juve?

100 milion lekë mund t’i humbasësh shumë shpejt. Nëse nuk do të ndjeja për një person nuk do të lidhesha kurrë për sy e faqe e për audiencë.

Kush nga djemtë të pëlqente më shumë?

Kur kam dalë kam dëgjuar që njerëzit e kanë interpretuar sikur kam pëlqyer Elvisin, por për mua ishin njëlloj, si ai, si Ermali, si Meti. Për të tre djemtë kam thënë se ishin simpatikë dhe për të tre kisha respekt. Kjo e Elvisit ka dalë sepse Elvisi ka shprehur simpati për mua. Ai ka thënë se më donte dhe më pëlqente. Kam parë që na kanë hapur edhe një faqe në facebook me emrin “Arjola Krasta dhe Elvis Gjini më të bukurit e Big Brother” ku thoshin se nëse del edhe Elvisi nuk e shohin më “Big Brother”. Në fakt më kanë thënë shumë njerëz që tani që kam dalë unë nuk e shohin më “Big Brother”.

Me cilin nga ata mund të krijoje një lidhje aty?

Me asnjë.

Një nga djemtë që ka shprehur pëlqimin për ju është Elvisi, ju çfarë ndieni për të?

Do jepje mendimin tim real, të cilit i qëndrojë edhe momentalisht, që të konsideroj shok. Për asnjë nga djemtë brenda shtëpisë nuk kam ndjerë asgjë.

Kishte konkurrencë për sa i përket pamjes aty, pasi duket sikur janë mbledhur të gjithë ata që kanë një certifikatë bukurie?

Çunat po, janë të bukur.

Ju e dinit që shumë nga banorët aty njiheshin me njëri tjetrin?

E kemi kuptuar që njiheshin pasi flisnin. Françeska me Ermalin për shembull njiheshin që jashtë. Unë personalisht nuk njihja asnjë person, përveç Gracianos por edhe atë e kam parë nga televizori.

Arjola, në “Big Brother” nuk votohet për të preferuarin, por publiku ka zgjedhur atë që nuk ka dashur ta shoh në shtëpi. Pse mendon se kanë votuar kundër teje?

Ndoshta sepse unë nuk kam qenë aq e lirshme si vajzat e tjera që hynë se ishin shumë të hapura. Unë nuk dua që njerëzit të më njohin aq shpejt, por ngadalë dhe me kalimin e kohës. Nuk kam atë butonin që u shtyp dhe u hap çdo gjë, jo. Unë doja që të më njihnin me kalimin e kohës dhe të më zbërthenin. Nëse dikush e ndjente veten të aftë që të më zbërthente le ta bënte, por unë isha e aftë t’i zbërtheja të tjerët dhe këtë e kam arritur me disa persona. Për aq sa ndenja dhe aq sa i njoha kam respekt për disa persona aty. Unë jam shumë e kënaqur edhe nga publiku jashtë, edhe pse më ka nxjerrë i falënderoj.

Të pëlqen fama ?

Po, pse jo, pasi më kanë thënë të gjithë që ke treguar një Arjolë serioze. Më pëlqen shumë televizioni, madje kur kam hyrë atë ditë bë Big Brother, i kam thënë Arbanës, që nuk kam aspak emocione.

Mendohesh shumë kur merr vendime?

Po, shumë mendohem, madje bëjë edhe llogaritjet se si do më dal kjo histori më vonë.

Çfarë duan të shohin në Big Brother

“Për mendimin tim shqiptarët duan sa më shumë shoë, duan të shohin se çfarë do bëj kjo, me kë do lidhet kjo, si u vesh, si u zhvesh, nga të gjitha gjërat. Duan të shohin shoë dhe nuk besoj se duan persona seriozë. Tani edhe unë nuk kam qenë shumë serioze aty, nëse donin djemtë të më puthnin nuk iu thosha mos më puth, djemtë më puthnin, do bëjmë këtë e bënim, luaja me djemtë, kam qëndruar natën duke biseduar me ta. Unë them se çdokush duhet ta shijojë jetën ashtu si i vjen, me parametra të caktuara dhe kufij të caktuar. Unë për veten time bëj shkollën, bëj qejfet, dal, argëtohem, të gjitha nga pak i bëj. Dua të marr pjesë në të gjitha fushat, më pëlqen kërcimi, muzika, aventurat, kam qenë gjithmonë pjesë e këtyre dhe nuk e di çfarë duan më tepër. Normalisht që aty ku duhet serioziteti do jesh serioz. Nëse është një debat unë nuk mund të filloj të qesh, sepse nuk është etike. Kur flet tjetri unë duhet ta respektoj dhe jo ta injoroj duke qeshur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama