Si u vra ne Selanik Hasan Prishtina

 Si u vra ne Selanik Hasan Prishtina

U mbushën 80 vjet që nga data e 13 Gushtit të vitit 1933, ku në qytetin e Selanikut u vra në pabesi dhe mizori ish-Kryeministri i Shqipërisë Hasan Prishtina. Gjatë viteve të qëndrimit tim në Selanik në arkivat e këtij qyteti zbulova një gazetë të vjetër që përshkruante ngjarjen e vrasjes së atdhetarit të shquar Hasan Prishtina. Në gazetën “Maqedonia e Re” e datës 14.8.1933, ishte botuar fotografia e Prishtinës i vdekur dhe fotografia e vrasësit Ibrahin Çelos.

Gazeta e asaj kohe shkruante për jetën, veprimtarinë dhe pasurinë në Selanik të Hasan Prishtinës dhe na sjell një fakt të vërtetë për datën e vrasjes së tij që deri më sot shumë historianë shqiptarë që janë marrë me figurën e tij e kanë gabuar duke shkruar si datë të vrasjes 14 Gushtin e 1933, por sipas gazetës së kohës është data 13 Gushti i 1933.

Përshkrimi i atentatit nga gazeta greke e kohës

Maqedonia e Re” (?????????? ???)

“Maqedonia e Re” e datës 14 Gusht 1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, shkruante për ngjarjen që tronditi Selanikun më 13 gusht të vitit 1933. Gazeta e asaj kohe shënonte se Hasan Prishtina është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve”. Gazeta e kohës përshkruan vdekjen tragjike të atdhetarit, politikanit të madh Hasan Prishtinës. Në faqet e gazetës shkruhej: “Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 38 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtinën.

Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku.

Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregtores “Beharnae” të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës “Paleon Patron” ku u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në banesën e mjekut z.Dukidhis, ku dhe ju dorëzua rojes së policisë. Por nuk mundi t’i shpëtojë egërsimit të turmës. Kalimtarët që e ndoqën dhe banuesit fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur identitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar ndaj egërsisë që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vijë skuadra e policisë, u turrën dhe ata duke thirrur: - Shqyeni, shqyeni, vrasësin. Ndërsa polici më kot përpiqej të shpëtonte atentatorin, turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysmë vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën “Paleon Patron”, ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi tu mbyllte derën e jashtme turmave të zemëruara. Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri z.Zografo, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë. Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia. Në orën 2.50 minuta mbas dite oficeri Sotiriu nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke.

Vrasësi për Hasan Prishtinën

Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë atentatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjetë ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogu. Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit të mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhtar. Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregtar frutash, ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ish shpërngulur në Nikea për hir të shplodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kishte treguar për rininë, vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtarë kundër xhonturqve. Mori pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare”.

Para shtëpisë së Hasan Prishtinës në Selanik do të mbahet një manifestim përkujtimor për të në 80 vjetorin e vrasjes së tij.  Më pas do të vendosen buqeta me lule të freskëta në vendin ku iu bë atentati. Sot shtëpia e Prishtinës funksionon si shkollë për të verbrit.

Pas 80 vjetësh Hasan Prishtina përkujtohet në vendin ku u vra, në Selanik

Buqeta me lule të freskëta, pas 80-të vjetësh do të vendosen sot në vendin ku më 13 gusht të vitit 1933 u vra pabesisht Hasan Prishtina. 80-të vjetori i vrasjes së atdhetarit për herë të parë do të shënohet në Selanik, në vendin ku dhe u vra heroi. Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, të ndihmuar edhe nga Mehmet Prishtina, pinjolli i familjes së Hasan Prishtinës do të organizojnë manifestim përkujtimor me rastin e 80-vjetorit të vrasjes së atdhetarit Hasan Prishtina. “Manifestimi përkujtimor do të organizohet para shtëpisë së Hasan Prishtinës në Selanik. Qëllimi është që të përkujtojmë në vendin e ngjarjes figurën madhore të kombit tonë”, ka thënë për “Lajm”, kryetari i Shoqatës së historianëve, Skënder Hasani.

Në manifestimin do të jenë prezent udhëheqësit e Universitetit të Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’, udhëheqësit e Universitetit Shtetëror të Tetovës, udhëheqësit e Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, përfaqësues të lobit shqiptar në botë, të cilët kanë ardhur në vendlindje për pushime, përfaqësues të shoqatës së historianëve, etj. Ftesa ka qenë dhe për historianin Llalla, pasi ashtu sikurse dihet i gjithë infromacioni është bazuar në materialet që ai vetë ka dhënë për Hasan Prishtinën,  duke përfshirë dhe foton e vdekjes, por ai e ka të pamundur të jetë prezanet në këtë përkujtimore në Selanik. Hasan bej Prishtina ka qenë njëri nga personalitetet dhe figurat më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare. Ky ideolog i shquar, dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurinë e dha për çështjen kombëtare shqiptare. Lirisht mund të thuhet se veprimtaria e tij luftarake gjatë muajve maj-gusht 1912 e përgatitën ngritjen e Flamurit në Vlorë. Hasan Prishtina lindi në vitin në vitin 1873 në Vushtrri, por familja e tij, ishte nga treva e Drenicës, Polaci (tani Hasanprishtina).

Mbiemri i vërtet i Hasan Prishtinës ka qenë Berisha, por me largimin e gjyshit të tij Haxhi Ali Berisha nga Polaci në Vushtri, mbiemrin e ndryshoi nga Berisha në Polaci. Mbas zgjedhjes së tij deputet në Kuvendin Popullor Turk (1908-1912), ai e ndryshoj mbiemrin përsëri, por kësaj here nga Polaci në Prishtina pra, edhe u njoh si Hasan bej Prishtina. Studimet politiko-juridike i kreu në Stamboll. Shovinizmi i xhonturqve kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, nxiti një urrejtje të deputetëve shqiptarë, anëtarë të Kuvendit Popullor turk, të cilët ndërmorën një takim të fshehtë për fillimin e Kryengritjes (1909-1912) në Shqipëri. Esat Pashë Toptani mori përsipër krahinën e Shqipërisë së Mesme dhe krahinën e Mirditës, Myfti Beu, Azis Pasha dhe Syrja Beu, morën përsipër krahinën e Toskërisë. Ismail bej Qemali u nis për në Europë, për të mbledhur të holla dhe armë për kryengritjen. Hasan bej Prishtina mori përsipër organizimin e kryengritjes në Kosovë, bashkë me Bajram Currin dhe Isa Boletinin.

Hasan Prishtina Ministër i Qeverisë Kombëtare të Vlorës

 Më 28 nëntor 1912 merr pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë së zvogëluar. Në vitin 1913 u ngarkua me detyrën e Ministrit të Qeverisë Kombëtare të Vlorës. Hasan Prishtina ka qenë drejtor i së përditshmes “ZUKRE” (Afërdita) që ka dalë më 1911. Për arsye të gjendjes së jashtëzakonshme brenda dy vjetëve gazeta e ndërroi emrin rreth 20 herë, ku dolën 412 numra. Dhe emri i drejtorit shkruhej gabimisht si; “Pessembe Mebusu Hasan” (deputeti së enjtes). Në vitin 1914, kur vjen për të drejtuar Shqipërinë princ Vidi, Hasan Prishtina zgjidhet ministër i punëve botërore në qeverinë e Durrësit. Më 1918, Hasan Prishtina, Kadri Prishtina (Hoxhë Kadriu), Bajram Curri dhe shumë të tjerë formojnë Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me përfaqësuesit e tyre në Romë dhe në shtetin mëmë Shqipëri, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 Komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris, ku kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjes (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Hasan Prishtina më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar kryeministër dhe ministër i jashtëm, por më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen pas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Prishtina mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Me vendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo – Kroate - Sllovene më 1922 Qeveria e Ahmet Zogut dhe e Xhaferr Ypit u hoqi të drejtën e deputetit në Kuvendin Popullor shqiptar, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Hoxhë Kadriut dhe shumë udhëheqëse të tjerë nga Kosova dhe filloi ndjekja për eleminimin e tyre.

Kjo ishte marrëveshja që bëri kryeministri Ahmet Zogu me ministrin e jashtëm të mbretërisë Jugosllave z.Ninçiç më 1922. Në janar të vitit 1922 qeveria e Tiranës lidhi marrëveshjen që ushtria serbe ta ndiqte Hasan Prishtinën dhe udhëheqësit e tjerë kosovarë edhe brenda territorit të shtetit shqiptar. Në fund të muajit shkurt 1923, Hasan Prishtina dhe Barjam Curri u ngritën kundër rrëgjimit serb në Kosovë. Kjo kryengritje u shtyp sepse qeveria e Ahmet Zogut nuk i mbështeti. Mbas kësaj 3500 shqiptarë të Kosovës u përzunë nga trojet e tyre për në Turqi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama