Homazhi dhe Imazhi

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Homazhi dhe Imazhi

E premte, ditë e zymtë dimri. Janar, 28. Ora 13.40, afërsisht. Në rrugën e Durrësit. Njerëz të heshtur. Veshur me të errëta. Fytyra serioze. Dhimbje. Janë popull, jo turmë. Po i drejtohen shëtitores “Dëshmorët e Kombit”. Për një homazh tre të rënëve të një jave më parë. Të njëjtën ditë, rreth dy orë më vonë. Në rrugën e Kavajës, diku pranë ish-uzinës që mbante emrin e diktatorit Hoxha. Njerëz të heshtur. Ose që flasin me zë të ulët, sikur druajnë se mos shqetësojnë dikë që fle. Që fle gjumin e tij të fundit, atë nga i cili nuk zgjohesh më. Njerëz që morën pjesë në tubimin e paralajmëruar e të organizuar prej opozitës në përgjithësi dhe Partisë Socialiste në veçanti. Një tubim pa dhunë kësaj radhe.  Dinjitoz. Sapo shkrova fjalën “tubim” dhe jo “demonstratë”, këtë term historikisht të dhunshëm që kurrsesi nuk mund të rrijë pranë fjalës paqësore “homazh”, term të cilin udhëheqja e së majtës shqiptare e nxori nga arkivi i terminologjisë konfliktuale të luftës së klasave të Partisë së Punës.

Gjithsesi, i nderuar lexues i vëmendshëm dhe i paanshëm i kësaj rubrike, dëshiroj të ndalem pak te qëllimi i dukshëm, por edhe tek ai i padukshëm, i organizimit të këtij homazhi masiv. Sigurisht që e majta jonë dëshironte, me anë të këtij homazhi,  t’i tregonte botës se di të organizojë protesta paqësore, ndonëse bota – që nuk është me të meta mendore dhe që nuk e ha sapunin fare të lirë për djathë tepër të shtrenjtë – me të drejtë ngre pyetjen: “Kur ishte e zonja të organizonte protesta paqësore, përse kjo e majtë organizoi një javë më parë një demonstratë, pra, një tubim të dhunshëm, pasojat e të cilit po rëndojnë vrazhdësisht tani mbi Shqipërinë?”. Mos vallë prapa këtij homazhi fshihet dëshira, madje ideja e ngulët e së majtës shqiptare, për të përmirësuar imazhin e saj të kompromentuar rëndë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, nga ngjarja tragjike e 21 janarit?

Kjo taktikë dhelpërake bie në kundërshtim të plotë, të paktën në sytë e mi e të shumëkujt tjetër, me dhimbjen e sinqertë të atyre mijëra njerëzve – po e theksoj: popull dhe jo turmë – që me dinjitet u bënë tre të vrarëve një homazh pa prapamendime, një homazh që e meritojnë gjithashtu tërë ata që shmangën një tragjedi edhe më të tmerrshme, qofshin manifestues të arsyeshëm të 21 janarit, që nuk kryen akte dhune, apo forca rendi që ruajtën gjakftohtësinë, ndonëse goditeshin pa pikë mëshire nga “ultrat” e majtë.

Për mendimin tim paqësor, ky homazh, i përjetuar me dhimbje të sinqertë, nga të majtët e ndershëm e aspak të dhunshëm, mes të cilëve të djathtët kanë të afërm,  miq e shokë, fqinjë e kolegë, është në nder të tyre, por, i konceptuar si mjet i nëndheshëm për të praruar imazhin e njollosur të Partisë Socialiste e të aleatëve të saj, njëri nga të cilët (nuk po ia përmend emrin se nuk dua që këto rreshta të bëhen pis) kërkoi, në mllef e sipër, veçse krejt vampirisht, edhe 13 000 të vrarë të tjerë), nuk duhet përzier aspak me një imazh tashmë të zhvleftësuar që nuk më ngjall veçse krupë. Që ky imazh të përmirësohet për t’u bërë i besueshëm, do të duhet kohë, shumë kohë. Tre të vrarët, të cilëve iu bë homazh, do të ishin gjallë sikur të mos ishte organizuar demonstrata e 21 janarit nga po ata “udhëheqës” të majtë që organizuan demonstratën-homazh të 28 janarit; tre të vrarët, të cilëve iu bë homazh, do të ishin gjallë sikur, në demonstratën e 21 janarit, “udhëheqësit” në fjalë të ishin mes demonstruesve për të frenuar ose zbutur impulset e dhunshme të “ultrave” të tyre; tre të vrarët, të cilëve iu bë homazh, do të ishin gjallë sikur një grusht intelektualësh, artistësh, shkrimtarësh, shkencëtarësh, me në krye një personalitet politik madhor, si, pse jo, Presidenti i Republikës, të kishin dalë para turmës të mbarsur me urrejtje.

Që nesër të mos ketë më të vrarë të pafajshëm, që të mos ketë më thjesht homazh për hir të imazhit, uroj që udhëheqja e Partisë Socialiste dhe aleatët e saj të bëjnë sa më shpejt e me seriozitetin më të madh analizën e kësaj jave tronditëse, të përcaktojnë përgjegjësitë e tyre të rënda para se t’i gërmushen së djathtës duke ia hedhur gjithë fajin asaj, e djathtë që, nga ana e saj, duhet të përcaktojë, edhe ajo, përgjegjësitë e veta.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama