Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Korrupsion? Ham, ham!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 9 vite më parë

Edmond Tupja
Korrupsion? Ham, ham!

Para disa ditësh, tek dëg joja lajmet te Radio France International, mësova se dy shkencëtarë në fushën e mjekësisë po punonin së bashku për të zbuluar që në zanafillë tumoret te trupi i njeriut. Ata kishin arritur në përfundimin se tumoret …në tërë shumëllojshmërinë e vet, lëshojnë, që në qelizat e tyre të para, njëfarë ere që mund ta dallojnë vetëm qentë!.. Po, po, i nderuar lexues serioz i kësaj rubrike të përjavshme, vetëm qentë!

Mësova, mandej, disa hollësi edhe më interesante si, për shembull, që ulcera e stomakut lëshuaka një erë karakteristike të cilën qentë e nuhatkan në 73 për qind të rasteve! Ky zbulim çel, pa më të voglin dyshim, një shteg të ri kërkimesh në drejtim të kurimit edhe me më shumë sukses të tumoreve.

Veçse, krejt papritmas, vëmendja m’u shkëput nga radioja ngaqë, nuk e mora vesh përse, m’u kujtua thënia e përdorur kaq shpesh sipas së cilës “në epokën e sotme, një tumor i tmerrshëm për shoqërinë njerëzore është korrupsioni”. Kur kjo është e vërtetë për vendet më të zhvilluara të botës demokratike, imagjinoni se sa edhe më e vërtetë e më tronditëse është për vendet në zhvillim, si vendi ynë postkomunist.

Rrjedhimisht, si pasojë e pashmangshme e një shoqërimi idesh, nga tumoret e trupit njerëzor kalova krejt natyrshëm te tumoret e trupit social dhe thashë me vete: – Me siguri, si për vendet e zhvilluara, por edhe më shumë për ato në zhvillim, pra, edhe për Shqipërinë time që ende vuan, prej disa dekadash, e mbërthyer në kthetrat e korrupsionit, ka ardhur koha t’u drejtohemi qenve për ndihmë! Ham, ham!

Sepse të gjitha qeveritë tona postkomuniste i kanë shpallur, po i shpallin dhe, me shumë gjasë, do t’i shpallin luftë korrupsionit, këtij tumori që shtetin e shoqërinë tonë fatkeqe i ka gërryer e kalbur, po i gërryen e kalb dhe do t’i gërryejë e kalbë ende për shumë kohë, nga brenda e nga jashtë, nga poshtë e nga lart, majtas e djathtas, drejtpërdrejt e tërthoras.

Veçse kjo luftë, nga mënyra e me mjetet se si është zhvilluar, po zhvillohet e do të zhvillohet, duket sikur nuk ka për të përfunduar me ndonjë sukses të bujshëm nëse qeveritë tona të njëpasnjëshme nuk hyjnë në bisedime me qentë tanë patriotë e miq të njeriut e të shkencës mjekësore, qofshin ata të majtë apo të djathtë! Ham, ham!

Qentë tanë, nga ana e tyre, qofshin qen rrugësh apo shtëpish, bastardë apo prej racash të zgjedhura, të vegjël apo të mëdhenj, leshrrafshët apo me kaçurrela, jam i bindur që nuk do ta kursejnë nuhatjen e tyre të pagabueshme për të diktuar, identifikuar e demaskuar tumoret e korrupsionit jo vetëm nga mesi e poshtë të trupit të shtetit e të shoqërisë shqiptare, por edhe nga mesi e lart, pra, nga këmbët deri te koka.

Kuvendi ynë i nderuar duhet patjetër t’i pajisë ata me një mandat të posaçëm për ta kryer pa pengesa, më së miri, më së thelli e më së gjeri këtë detyrë shpëtimtare për fatet e kombit tonë të koklavitur. Ham, ham! Imagjinoni, i nderuar lexues, se çfarë spektakli madhështor, ndonëse tragjikomik, do të na shpërfaqet ditën kur të gjitha kanalet tona televizive do të na mundësojnë të shohim drejtpërsëdrejti qentë ekspertë duke nuhatur tërë pushtetarët tanë të djeshëm e të sotëm që nga goja përherë fjalëshumë deri në thellësi të zonës anale (jo përherë të heshtur) për të pikasur, analizuar e bërë publik çdo tumor korrupsioni së pari te legjislativi, së dyti tek ekzekutivi, së treti te drejtësia, së katërti, në mbarë strukturat e pushtetit vendor, pastaj, me radhë, te forcat e armatosura, te policia, në sistemin tonë arsimor nga parashkollori tek i larti, më tej në të gjitha strukturat ekonomike, socialkulturore etj., etj.

Por kujdes, lexues i nderuar: edhe pse para ekranit të televizorit lypset të pajiseni me kundërgaz, sepse korrupsioni, sidomos në vendin tonë, duhet të ketë një erë kutërbuese aq të padurueshme saqë, përmes valëve të kanaleve tona televizive, mund t’ju helmojë e t’ju lërë çyryk për tërë jetën! Madje duhet të pajisni me kundërgaz edhe kafshët tuaja shtëpiake, si mace, qen, zogj, peshq akuariumi, madje edhe lulet, qofshin ato edhe artificiale! Ham, ham!

Së fundi, por jo më së paku, duhen marrë masa të rrepta për të mbrojtur nga era kutërbuese e tumoreve të korrupsionit varrezat në çdo skaj të atdheut tonë. Përse kështu? Thjesht sepse të korruptuarit që prehen atje, qofshin ata ish-pushtetarë të ndershëm apo të pandershëm, po të hyjnë në kontakt me erën kutërbuese në fjalë, mund të ringjallen dhe të shtojnë radhët e gjata të atyre që, me ose pa ankth, presin të nuhaten nga qentë tanë antikorrupsion! Ham, ham!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama