8 me 2

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 6 vite më parë

Edmond Tupja
8 me 2

Nuk e kam fjalën për ndonjë rezultat ndeshjeje futbolli, as për ndonjë veprim të thjeshtë aritmetikor. “T’ia bësh dikujt 8 me 2″ ka kuptimin “t’ia mbledhësh (rripat)”, “t’ia fusësh të dyja këmbët në një këpucë” “t’ia shtrëngosh vidhat”, “t’ia bësh rup-sup” (siç thuhej në rininë time të hershme midis shokësh). Sidoqoftë, pak rëndësi ka prejardhja e kësaj shprehjeje frazeologjike thjeshtligjërimore. Pak rëndësi ka gjithashtu fakti që numri 8 është i plotpjesëtueshëm me numrin 2, d.m.th. 8 pjesëtuar për 2 baras 4; pak rëndësi ka, së fundi, që 4-ra është, jo vetëm për nxënësit, por edhe për qeveritarët, notë mbetëse. Sikur t’i kisha vënë këtij shkrimi titullin “7 me 1”, lexuesit tim të vëmendshëm që e ndjek aktualitetin shqiptar, do t’i kishte shkuar menjëherë mendja te shtatë të arratisurit, këto ditët e fundit, nga burgu i sigurisë së lartë të Drenovës. “7 me 1”. Shtatë të burgosur që sfidojnë një polici të tërë. Një qeveri të tërë.

 

Sepse qeveria është NJËSHI. Qeveria e kap lepurin me qerre, thotë një proverb i popullit tonë. Mirëpo qerrja do qerrexhinj të aftë dhe sidomos të ndershëm, të cilët të mos merren vesh fshehurazi me lepurin ose lepujt (Sa lepujt? – Le të themi shtatë, me këtë rast) që t’i lënë të armatosen brenda burgut të sigurisë së lartë dhe të arratisen duke sfiduar kështu autoritetin e qerrexhinjve dhe, veçanërisht, atë të kryeqerrexhiut, të numrit NJË. Si është e mundur: Shtatë të arratisur përballë njëshit të Ministrisë së Brendshme! 7 me 1 që ia bëjnë 8 me 2 këtij të fundit.

 

Në mos 8 me 2, ia tronditin sadopak themelet e postit që ka zënë, veçse jo aq sa të japë dorëheqjen. Megjithatë, shenjat e kësaj tronditjeje nuk mundi t’i fshihte: Kështu, para disa ditësh, kur sapo kishte ndodhur arratisja në fjalë, ndoqa emisionin “Shqip” (d.m.th. Troç) të Rudina Xhungës me të ftuar pikërisht numrin një të Ministrisë së Brendshme, me siglën “100 ditët e Saimir Tahirit”. Sigurisht, binte në sy, gjatë intervistës, pasiguria e zotit ministër (paqëndrueshmëria e vështrimit të tij, shtrëngimi i herëpashershëm i duarve me njëratjetrën, buzëqeshja si prej gjysmëfajtori, ajo “ëëëëë” që mbushte shpesh ndërprerjet e fjalive të tij, si edhe disa të tjera vetëtradhtime të vogla).

 

“Pas 100 ditësh”, kështu e kërkon tradita moderne e bilancit të parë të punës së vet që duhet të bëjë çdo qeveritar që merr detyrën e re. Gjithsesi, mua, shprehja “100 ditët e…” më kujton Napoleonin e Madh, jo atë të gjatoshin, Napoleonin III, që Viktor Hygoi e stigmatizoi me pamfletin e tij botërisht të njohur “Napoleoni i vogël”, më kujton, pra, Napoleon Bonapartin, që, në 100 ditët e tij të fundit pas largimit nga ishulli i Elbës, nuk arriti t’u bënte ballë forcave të kundërshtarëve duke u mposhtur prej atyre në betejën e Vaterlosë, çka i solli për pasojë internimin në ishullin e Shën Helenës, ku vdiq nga kanceri në stomak ose, thonë, i helmuar nga dikush. Për analogji, mos vallë arratisja e të shtatëve nga burgu i sigurisë së lartë është një mikrovaterlo ndjellakeqe për ministrin Tahiri? 100 ditët e Saimir Tahirit… 100 ditët e Napoleonit… Oh, për dreq, një shoqërimi idesh seç më sjell ndër mend këngën popullore “Kush kërcen naplonin, bija e kapidonit”.

 

Naploni, shtrembërim e njëherazi shkurtim i emrit të monedhës napolon, më saktë napoleon, që vjen, pra, nga emri i Napoleon Bonapartit, më shtyn të kërkoj të di se çfarë e bëri vërtet të mundur këtë arratisje, aq më tepër spektakolare që ajo ndodhi në një burg të sigurisë së lartë: ndonjë thes i vogël me naplona, më thjesht, ndonjë thes i madh me para? Nga ana tjetër, kush të jetë vallë kjo “bija e kapidonit”? Ndonjë Mata-Hari shqiptare që kishte lidhje me të shtatët? Tek e vrisja mendjen për t’u gjetur përgjigjen e duhur këtyre dy pyetjeve, brofa në këmbë dhe klitha “Eureka!” E bija e kapidonit është ose Maria, ose Marjana! “Si kështu? – do të habitet lexuesi i rregullt dhe i vëmendshëm i kësaj rubrike të së dielës. –

 

Ku mbështeteni ju, zoti Tupja, kur e pohoni një gjë të tillë?”. Përgjigjja ime është e thjeshtë, e thjeshtë sa s’bëhet më: A nuk thotë vetë kënga: “O Mari, Maria, faqet gurabija, O Mari, Marjana, faqet me nishana”? Rrjedhimisht dhe për pasojë, i sugjeroj me shumë modesti zotit ministër të Brendshëm të vërë në ndjekje të Maries ose të Marianës agjentët e tij më të aftë në mënyrë që, edhe me ndihmën e CIA-s (pse jo?), të zbulohen të gjitha fijet, e brendshme e të jashtme, e arratisjes të të shtatë lepujve, që i nxorën shtetit shqiptar aq telashe para opinionin të vendit, saqë shumëkush ka nisur të mendojë se fajin nuk duhet ta kenë vetëm të shtatë lepujt, por edhe qerrexhiu që nuk u tregua aq i zoti saqë, me qerren e tij, t’i kapte në kohë, ende pa dalë nga burgu i sigurisë së lartë, ata shtatë lepuj, të cilët, tek largoheshin duke qëlluar me armë, këndonin (kështu thonë gojët e liga), sipas mënyrës së tyre, këngën popullore “Një ditë ia mbatha nga Drenova”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama