President

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 5 vite më parë

Edmond Tupja
President

Vërtet që nuk e di çfarë ndodh në vendet rreth e rrotull tonit, por ma ha mendja se në këto kohëra globalizimi të pashmangshëm, fjala “president” nuk ka të bëjë vetëm me dikë, i cili, siç e përkufizon Fjalori i Gjuhës Shqipe (Tiranë, 2006), është “1. kryetar i shtetit në vendet me regjim republikan, i zgjedhur për një kohë të caktuar; 2. ai që zgjidhet për të drejtuar një organizatë a një institucion politik e shoqëror”.

Kjo fjalë, pra, që në pamje e lexim të parë, imponon respekt, në Shqipërinë e sotme është edhe emër, më falni që do ta them copë, pra është edhe emër i një prodhimi të industrisë ushqimore me bazë qumështin, qoftë ky lope, deleje apo dhie (sepse, sa për atë të dallëndyshes, ne shqiptarët kemi kohë që e presim me padurim, sidomos këto tridhjetë vjetët e fundit të tranzicionit tonë shekullor).

E kam fjalën për gjalpin francez “Président”, në dy variantet e tij: me ose pa kripë, që sot e gjen edhe në Tiranë në disa dyqane të mëdha të tipit supermarket. Madje, në një vend si Franca ka edhe djathë “Président”, tipik francez i llojit “camembert”, i cili shkon shumë me një gotë verë të kuqe jo vetëm franceze por edhe, ndër të tjera, shqiptare.

President… figurë politike, personalitet i shquar, burrë shteti, i njohur edhe ndërkombëtarisht, gati-gati gjysmëperëndi për popullin e thjeshtë të këtij vendi. Por, po e përsëris, “President” qenka edhe emër i një lloj gjalpi e djathi. Me shumë gjasë, diku nëpër botën e globalizuar, edhe emër hoteli, restoranti apo diskoje.

Ndoshta (larg qoftë!) edhe emër qenushi apo maçoku. Por le të mbetemi te gjalpi me emrin “President” që lexuesja e lexuesi im i shëndetshëm jo vetëm moralisht, por edhe fizikisht, e gjejnë tashmë në kryeqytetin tonë gati kozmopolit. Në këtë pikë, pra, në nivel gjalpi e, me gjasë, djathi, ka një padrejtësi, të paktën sipas mendimit tim modest. Pse kështu? Sepse, nëse në tregun tonë kombëtar do të vazhdojë të ketë vetëm gjalpë “President” dhe ndoshta së shpejti edhe djathë me të njëjtin emër, kjo mund të bëhet shkak për pakënaqësi në sfera të larta të politikës shqiptare, majtas apo djathtas pak rëndësi ka.

Ja, për shembull, po të kisha qenë (larg qoftë e mos e dhëntë Zoti apo Rastësia!) Kryeministër i vendit, mua do të më kishte mbetur paksa hatri. Në fund të fundit, përse të mos ketë gjalpë e djathë “Kryeministër”? Ç’të keqe ka? Përkundrazi, Presidenti i Republikës dhe Kryeministri i saj do të ndiheshim më pranë njëri-tjetrit, sepse, përveç kombësisë, shtetësisë e gjuhës amtare, do t’i lidhte edhe një tipar tjetër i përbashkët: marrëdhënia me gjalpin e me djathin.

Përpos kësaj, diçka më thotë se që të dy i kanë shumë qejf dhe i shijojnë mirëfilli këto dy prodhime me bazë qumështi. Le ta zëmë, pra, se në një mënyrë apo në një tjetër, arrihet (sigurisht me konsensus) që të prodhohet në Shqipëri një lloj gjalpi apo djathi me emrin “Kryeministër”. Por këtu lind një problem i paparashikuar: po sikur ministrat të nisin e të mendojnë përse të mos ketë edhe një gjalpë apo djathë “Ministër” (mos vallë kot e kanë francezët një djathë me emrin “Munster” të ngjashëm, pra, me atë “Ministër”)?

Nga ana tjetër, edhe Kryekuvendari ynë mund të kërkojë të drejtën e tij: Pse jo një djathë “Kryekuvendar”? Pastaj, me radhë edhe të tjerët: Pse të mos ketë një djathë me emrin “Kryebashkiak”? “Prokuror”? “Gjykatës”? “Ambasador”? “Rektor”? “Dekan”? “Profesor”? “Doktor”? “Drejtor”? A nuk do të ishte një mrekulli gastronomike që në një pritje madhështore apo, më saktë, në një darkë zyrtare edhe me ndërkombëtarë, secili nga këta ofiqarë të porosiste një djathë me të njëjtin emër si ai vetë? D.mth., Presidenti i Republikës një djathë “President”, Kryeministri një djathë “Kryeministër”, Kryekuvendari një djathë “Kryekuvendar” e kështu me radhë, që do ta hanin secili me bukë të thekur të lyer me gjalpin adash.

Sigurisht që ndonjë analist formalist do të guxonte të hidhte tezën sipas së cilës po të ndodhte kështu, do t’i binte që, në njëfarë mënyre, secili nga personalitetet e larta në fjalë të hante simbolikisht diçka nga vetvetja. Në fakt, kjo tezë nuk do të ishte krejt e pavend: a nuk janë tërë këta zotërinj të pushtetshëm duke e ngrënë veten me dhëmbë që ne të përditshmit, të zakonshmit, anonimët, të thjeshtët, të urtët e të urëtuarit të jetojmë sa më mirë, sidomos pas integrimit tonë në Bashkimin Europian dhe të kemi mundësinë të shijojmë gjalpet e djathërat e lakmuara me emra vipash duke i thënë njëritjetrit: Ca i butë ky “Presidenti”! Pak si djegës ky “Kryeministri”! Thuajse pa kripë ky “Kryekuvendari”! etj., etj. Dhe, si përfundim, e tëra kjo me një urim të vetëm: “Na bëfshin mirë e më mirë!”

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama