Legenët

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 6 vite më parë

Edmond Tupja
Legenët

Këto sende të përdorimit të përditshëm, të rrumbullakët e mjaft të thellë dhe që shërbejnë për të larë, mund të jenë prej metali ose plastikë; aty njeriu mund të lajë rroba, zarzavate, fruta, por edhe këmbët ose pjesët më intime të trupit (femëror apo mashkullor, pak rëndësi ka). Siç shihet, të dobishëm, fort të dobishëm kanë qenë, janë dhe do të jenë ata për njeriun. Mirëpo edhe për sa kohë ende, sepse, këto dekadat e fundit, në rolin e pamohueshëm që luajnë për higjienën vetjake të njeriut, atyre po u bën konkurrencë bideja, ky legen modern që nuk endet nëpër shtëpi, por rri i mbyllur në banjë me një mendjemadhësi të paparë, ndryshe nga legeni që mund të varet në mur, ta shoqërojë njeriun (femër apo mashkull, pak rëndësi ka) në tërë mjediset e shtëpisë, madje edhe në oborr apo në ballkon.

Sidoqoftë, me gjithë shërbimet e shumta që i bën të zotit apo së zonjës, ndërkohë që bidesë ky apo kjo i besojnë vetëm pjesët e fshehura të trupit, ne, shqiptarët dhe shqiptaret (sidomos ata e ato të tipit homo albanicus), prej shumë e shumë kohësh, jemi treguar dhe vazhdojmë të tregohemi mosmirënjohës me atë, d.m.th. me legenin. Përse kështu? Sepse, në kuptimin e figurshëm, në gjuhën e përditshme, e cilësojmë pikërisht "legen", sigurisht me përbuzje, një "njeri, të cilit i ka dalë boja, që është bërë qesharak dhe që e shpërfillin të gjithë" (shih Fjalorin e gjuhës shqipe, Tiranë, 2006). Fatkeqësisht, legenët nuk kanë gojë të protestojnë për këtë padrejtësi, asnjë parti, asnjë sindikatë, asnjë shoqatë te ne nuk i mbron të drejtat e tyre, madje ky kuptim përçmues ka dhënë ndihmesën e vet që te vetë fjala "legen" të kenë zanafillën fjalë të tjera, si "legenizëm, legenist, legenizoj, legenizim" etj., etj. Dikur e një kohë, legeni vlerësohej si të ishte diçka prej kristali apo floriri, të paktën në Shqipërinë e Mesme: kështu, për ti dëshmuar respekt një bamirësi, i thuhej (sigurisht në mënyrë të figurshme) personit që përfitonte nga mirësia e këtij: "Bamirësit tënd tia lash këmbët në legen dhe ti pish ujin!". Por ja që dikush shpiku bidenë dhe, ne, shqiptarët e sotëm, nxituam ta përqafojmë përdorimin e tij dhe termin "legen" e përdorim kryesisht si sharje (Mbase sot e tutje, por në një mënyrë aspak dinjitoze për përfituesin e bamirësisë, ky do tia lajë këmbët bamirësit të vet, qoftë edhe me shampanjë, në bide dhe pastaj do të detyrohet tia pijë détyrimisht në banjë!).

Dhe dora-dorës, duke sharë me termin "legen" njëri/njëra-tjetrin/tjetrën jo vetëm në zënka anonime diku në rrugë, pazar, dyqan, stadium apo kush e di se ku tjetërkund, por sidomos, kryesisht e veçanërisht gjatë përplasjeve majtas-djathtas apo djathtas-majtas në Kuvend e në komisione parlamentare, nëpër emisioni televizive e radiofonike, si edhe nëpër gazeta e revista të shumëllojshme, po legenizohemi si pa u ndier, veçse pa pikë mëshire e në mënyrë, ndoshta, të pakthyeshme. Ky legenizim që po përparon urtë e butë e plot legenin, me sa duket, nuk ka kursyer së pari asnjë nga ata shqiptarë pragmatistë që shitën votat gjatë zgjedhjeve të fundit legjislative, por nuk do të kursejë asnjë nga ata shqiptarë po aq pragmatistë që do ti shesin ato gjatë zgjedhjeve të ardhshme vendore.

Dhe kështu, dora-dorës, do të kristalizohet një teori e tërë e quajtur "legenizëm", e cila, falë traktateve teorike dhe doracakëve praktikë të kryelegenistëve shqiptarë, do të arrijë, me gjasë, të legenizojë edhe brezat e ardhshëm të Shqipërisë, të cilët, të legenizuar madje edhe gjenetikisht, do të votojnë me referendum për zëvendësimin, në flamurin tonë kombëtar, të shqiponjës dykrenore me një legen krenar (pra, aspak e kurrsesi me një bide) të admirueshëm, gjithsesi.

Në këtë kontekst të ardhshëm, përkufizimin e fjalës "legen" në fjalorët e gjuhës shqipe leksikografët tanë do ta rishkruajnë, në kuptimin e saj të figurshëm, natyrisht si vijon: "njeri, të cilit nuk i ka dalë boja, që nuk është bërë qesharak dhe që nuk e shpërfill askush" ose, më mirë akoma, "njeri, të cilit i ka dalë një nam madhështor, që është bërë legjendar dhe që e adhurojnë të gjithë". Personalisht, shpresoj që ky shkrim, i pari që guxon e merr nismën për të vënë në vend nderin e humbur të legenëve përballë sulmit të pabesë të bideve, dhe që lajmëron lindjen e shpejtë e të mezipritur të teorisë e të praktikës së legenizmit fitimtar, do të figurojë modestisht në arkivat dhe në muzetë e shtetit të ardhshëm legenian të Shqipërisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama