Qetësia e padrejtësisë

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 9 vite më parë

Albin Kurti
Qetësia e padrejtësisë

Zgjedhje të qeta, - thanë zyrtarët ndërkombëtarë. Nuk thanë se zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit ishin të lira, demokratike apo të ndershme. Sepse, thjesht, dihet botërisht që nuk ishin të tilla. Mirëpo, si bëhet që përkundër shkeljeve e parregullsive të panumërta theksi vihet te qetësia e zgjedhjeve? Pse gjëja më e vlefshme për ndërkombëtarët nga këto zgjedhje na paska qenë qetësia e perceptuar prej tyre?


Ndërkombëtarët po na e tregojnë sesa të ulëta janë ambiciet, por edhe pritjet e tyre për Kosovën. Vetëm le të jetë qetë, dhe s’është aq problem që s’ka drejtësi e korrektësi, demokraci e ndershmëri. Thuajse e rëndësishme është veçse që të jetë qetë, pra që të mos ketë zhurmë, edhe atëherë kur s’ka drejtësi e demokraci për qytetarët.

Natyrisht që e gjithë kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e doktrinës së stabilitetit afatshkurtër, që shpesh quhet edhe si menaxhim i krizës. Kosova është krizë që menaxhohet ndërkombëtarisht dhe, nën këtë dioptri, qetësia e kësaj vatre të krizës del se përbën lajm të mirë.

Shprehja ‘e qetë’, në të vërtetë, buron prej fjalisë ‘e qetë, por e tensionuar’. Kjo fjali paraqet frazën që më së shpeshti është përsëritur në raportet ndërkombëtare për Kosovën në këto 11 vitet e pasluftës. Kur thuhet që gjendja në Kosovë është e qetë, atëherë gjithmonë mendohet që ajo është e mirë, sepse është më e mirë sesa nëpër krizat e tjera nëpër botë ku organizmat ndërkombëtarë i kanë misionet e tyre sunduese. Pra, përshkrimi i gjendjes në Kosovë si gjendje e qetë, do të thotë që është gjendje më e mirë sesa në Afganistan a Palestinë. Ngjashëm, kur thuhet që zgjedhjet në Kosovë ishin të qeta, kjo do të thotë që ato ishin të një cilësie të pranueshme, sepse kuti matës është ai që i dedikohet Afganistanit e Palestinës.

Ndërkaq, kur thuhet a shkruhet ky vazhdimi i fjalisë: ‘e tensionuar’, në fakt, vetëm sa sajohet shtrati për vazhdimin e protektoratit ndërkombëtar, meqë situata në Kosovë qenka e tensionuar dhe duke iu falënderuar pikërisht protektoratit ndërkombëtar, ajo mbetet e qetë (sic.). Tensioni që gjithmonë është aty, por nuk shpërthen, është preteksti për ata që nuk e lejojnë këtë shpërthim të projektuar. Madje, për ta normalizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare të pakufizuar në shkallë e në kohë, quhemi të porsalindur, ose më saktë, të lindur para dy vjetëve e gjysmë, dhe prandaj na u dashka kujdestaria nga lart. Ama, edhe si fëmijë që na konsiderojnë nuk përtojnë të na hedhin në arenën e gladiatorëve në aspektin politik dhe ekonomik, kështu që del se mbrojtja që i bëhet Kosovës nga ndërkombëtarët është mbrojtje e Kosovës nga vetvetja. Protektorati ndërkombëtar e konsideron vetë Kosovën si rrezikun më të madh për Kosovën.

Por, si bëhet atëherë që të vetmen ditë që Kosova mbase kishte nevojë për mbikëqyrje të organizmave ndërkombëtarë, pra në ditën e zgjedhjeve, nuk kishte mbikëqyrje dhe as shqetësim të shtuar të tyre? Pse në këtë ditë faktorët ndërkombëtarë nuk e mbrojtën e ruajtën Kosovën nga vetvetja, pse nuk e parandaluan lëndimin që asaj do t’ia shkaktonin vetë ish-pushtetarët kosovarë? Dhunimi i votës së lirë të qytetarit përmes manipulimeve dhe vjedhjeve, gjithsesi ra në prapavijë të vlerësimit për zgjedhjet si zgjedhje të qeta. Nga pikëvështrimi i disa qarqeve ndërkombëtare, ‘zgjedhjet e qeta’ në Kosovë ishin veçse një fazë që duhej kapërcyer sa më shpejt drejt negociatave të reja me Serbinë. Janë po këto qarqe që e duan Serbinë me çdo kusht në binarët drejt BE-së, madje edhe nëse për këtë gjë Serbia kërkon që ta sajojë një republikë të re serbe, ngjashëm si në Bosnje, vetëm se kësaj radhe në Kosovë. Ish-pushtetarët që bënë dikur kompromise me Serbinë janë të gatshëm t’i përsërisin kompromiset. Prandaj, rrezikojmë të na përsëriten negociatat me Serbinë për vendin tonë e në kurriz të vendit tonë.

Lëvizja “VETËVENDOSJE!” tash është më e përgatitur se kurrë, që bashkërisht me qytetarët ta shërojmë këtë sëmundje kronike në formë negociatash, nga të cilat Serbia fiton më shumë pushtet në më shumë territor të Kosovës, ndërkaq pushtetarët e Kosovës fitojnë kohëzgjatje pushteti në Kosovën gjithnjë e më të rrudhur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama