Angazhimi i Thaçit për Serbinë brenda Kosovës

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 6 vite më parë

Albin Kurti
Angazhimi i Thaçit për Serbinë brenda Kosovës

Kudo që serbët janë të përfaqësuar në institucionet e Kosovës, po ndodh dyzimi përmes një nënndarjeje të veçantë për përfaqësimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Ndryshimet e ligjeve po bëhen gjithandej, sepse gjithandej duan t’i sigurojnë prani këtij Asociacioni. Anekënd institucioneve të shtetit të Kosovës duan t’i sigurojnë prani Serbisë.


I këtillë ishte rasti edhe te tendenca për ndryshimin cilësor të Këshillit Konsultativ për Komunitete. Për më tepër, aty Asociacioni nuk quhej “Asociacion”, as “Asociacion/Bashkësi”, por vetëm “Bashkësi”, ashtu qysh është emërtimi i kërkuar dhe i preferuar nga Serbia. Projektligji që synonte këtë gjë nuk kaloi në Kuvendin e Kosovës, mirëpo ky nuk është fundi i përpjekjeve, përderisa e kemi këtë Qeveri.


Të gjithë e mbajmë mend se si vetëm para gjashtë muajsh  Kuvendi e refuzoi projektligjin për amnistinë, që i falte kriminelët serbë nga veriu për dhunën dhe shkeljet sistematike të tyre. Por kjo vetëm sa rezultoi me trysni shtesë vendore e ndërkombëtare që, së pari, e riktheu projektligjin në Kuvend, dhe, së dyti, e kaloi atë edhe me votat e shumë “opozitarëve”. Nëse një projektligj kalon në Kuvendin e Kosovës, atëherë ai njëmend ka kaluar, por nëse nuk kalon, kjo nuk do të thotë ende që nuk ka kaluar për shkak se deputetëve do t’u ofrohet liria e zgjedhjes deri atëherë kur ta bëjnë zgjedhjen e duhur!


Të gjithë ata që thonë se nuk ka gjasë të sajohet një republikë e tillë serbe brenda Kosovës, mbase nisen prej hartës politike, ku shihet se serbët në Bosnjë kanë gjysmën e territorit nën kontrollin e tyre. Por këtu nuk duhet harruar që serbët në Bosnjë kanë qenë 1/3 e popullsisë së Bosnjës, ndërkaq serbët në Kosovë as 1/10-ta e popullsisë së Kosovës. Në Kosovë, ata nuk do të kenë gjysmën, por çerekun e territorit, përkatësisht së paku nëntë komuna që bëhen bashkë sipas marrëveshjes së 19 prillit 2013 të ratifikuar më 26 qershor 2013 në Kuvend.


Mbi të gjitha, Republika serbe në Bosnjë nuk konsiston vetëm në përgjysmimin e territorit të shtetit, por edhe te gjymtimi që u shkaktohet institucioneve të shtetit e të cilat asisoj bëhen jofunksionale. Të tillë çfarë është, Republikën Serbe në Bosnjë e bën pasoja që e lëngon e gjithë Bosnja prej saj. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ngelet fare prapa në këtë aspekt, aq më tepër kur dihet që Kosova ka pozitë edhe më të dobët ndërkombëtare sesa Bosnja, e cila njihet si shtet nga e gjithë bota dhe ka ulëse në OKB.


Banja Lluka dhe Pale e kanë ndryshuar Sarajevën politikisht e zyrtarisht dhe të njëjtën gjë po ia bëjnë edhe veriu i Mitrovicës e Graçanica kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Paralelisht me këtë, negociatat në Bruksel nuk kanë përfunduar për dallim nga ato në Dayton të ShBA-ve. Marrëveshjet Thaçi-Daçiç nuk po i mbyllin, por po i shtojnë negociatat e të cilat, më tutje, po i shtojnë koncesionet ndaj Serbinë.


Kryeministri Thaçi është arsyeja kryesore pse Serbia jo vetëm që po e lë mbrapa e përfundi Kosovën, por po e tejkalon me shpejtësi edhe Shqipërinë. Thaçi e bëri Serbinë sërish lidere në Ballkanin Perëndimor. Shqipërisë iu shty statusi i vendit kandidat për qershorin e vitit 2014, Kosova u ngujua në premtime të vjetra për liberalizim vizash dhe MSA-në, kurse Serbia fillon negociatat për anëtarësim të plotë në BE. Duket që modelin franko-gjerman BE-ja nuk arriti ta përdorë në relacionin Kroaci-Serbi (me Bosnjën në mes). Tash po orvaten ta bëjnë këtë te marrëdhëniet shqiptaro-serbe, ku Kosova është Bosnja e re midis Shqipërisë e Serbisë. Me këso paqe e stabiliteti pa drejtësi, doemos inkurajohet barazimi i krimeve dhe relativizimi i fajësisë. 


Kontributi personal i Thaçit për largimin dhe dobësimin e Serbisë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar tashmë është më i vogël sesa kontributi i tij për kthimin dhe forcimin e Serbisë në dekadën e dytë të këtij shekulli. Pra, kontributi i Thaçit për Serbinë brenda Kosovës e ka tejkaluar kontributin e tij për Kosovën jashtë Serbisë. Sikur Kryeministri Thaçi t’i dëgjonte kërkesat e qytetarëve të Kosovës sikurse ato të Serbisë, Kosova do të përparonte shumë.


Nuk është që Thaçi s’brengoset fare për Kosovën, por ai brengoset shumë më tepër për veten e tij sesa për Kosovën. Gjithfarë kompromisesh marramendëse i bën në kurriz të shtetësisë së Kosovës, vetëm dhe vetëm ta spostojë burgun për korrupsion që i kanoset si shpata e Demokleut. Në këtë kontekst, Raporti i Progresit i KE-së për Kosovën për vitin 2013 nuk është raport i regresit sa i heshtjes së regresit. Problemi konsiston që nuk gjejmë progres në realitetin që jetojmë dhe jo që nuk e gjejmë atë në raportin që lexojmë. Për dialogun me Serbinë dhe lëshimet pe ndaj saj, Thaçi rregullisht u shpërblye personalisht me minimizim të krimit e korrupsionit në konstatimet për të.


Teksa i afrohemi kohës kur do të shënojmë një dekadë e gjysmë të largimit të Serbisë nga Kosova, Thaçi po i shton koncesionet që e ndryshojnë rregullimin dhe përbërjen institucionale të Kosovës, në mënyrë që t’i bëhet vendi Serbisë brenda Kosovës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama