Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Midis sulmit dhe braktisjes

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 12 vite më parë

Albin Kurti
Midis sulmit dhe braktisjes

Në veri të Kosovës, e posaçërisht në veri të qytetit të Mitrovicës vazhdon kolonizimi. Ndërtesat shumëkatëshe që i ngreh Serbia atje mbushen me serbë shtesë që nisin të banojnë në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Në veri të Kosovës nuk ka familje serbe që jetojnë në tenda e të cilave Serbia po ua siguron vendstrehimin me këto banesa të reja.

Të gjithë serbët në veri të Kosovës jetojnë e banojnë nëpër shtëpi një a dykatëshe ose nëpër banesa të ngrehinave shumëkatëshe. Ndërtesat e reja e të larta mbushen me serbë të tjerë që erdhën të banojnë rishtazi aty. Në shumicën e herëve shumëkatëshet ndërtohen në prona të shqiptarëve, të cilat janë blerë prej qeverisë së Serbisë përmes ndonjë ndërmjetësuesi. Fizikisht këto ndërtesa ndërtohen prej poshtë-lart, porse politikisht ato po instalohen prej lart-poshtë.

Këta serbë janë kolonët më të rinj në Kosovë. Mitrovica nuk është vendlindja e tyre. Mitrovica po bëhet vendbanimi i tyre. Trembëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë ende nuk është ndalur kolonizimi i Kosovës. Ndryshe prej shekullit XX, kur kolonizimi zhvillohej gjithandej nëpër Kosovë, kësaj radhe ai është i kufizuar territorialisht.

Mbase kjo lidhet me planin e Milosheviçit, i cili pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova në qershor të vitit 1999, preferonte që serbët ta kishin gjithë pushtetin në një pjesë të territorit më parë se një pjesë të pushtetit në gjithë territorin. Pasuan strukturat ilegale të Serbisë dhe koncentrimi i serbëve të Kosovës në zona pranë kufirit me Serbinë (kryesisht në veri të Kosovës, por edhe në Anamoravë).

Sigurisht që Serbia e do territorin më shumë se serbët dhe se ajo i përdor serbët për hir të territorit. Serbia nuk u beson serbëve. Ajo nuk ua jep falas atyre banesat, por u jep vetëm të drejtën e shfrytëzimit sepse frikësohet që ata do t’ia shesin banesën ndonjë shqiptari. Ua përmirëson atyre jetën duke u gjetur vende pune, duke u garantuar shkollim e shëndetësi, pra, duke u siguruar mirëqenie sociale.

Në mënyrë që t’i ketë këta serbë në territorin që e synon ajo, nga buxheti i shtetit të Serbisë ndahen mjete të mëdha për jetesën sa më të mirë të këtyre serbëve. Për Serbinë qëllimi është territori dhe burimet natyrore të tij, ndërkaq serbët janë mjeti për realizimin e këtij qëllimi. Dhe ky qëllim mëtohet të realizohet duke e forcuar mjetin e përcaktuar për të.

Në anën tjetër, qeveria e Kosovës, ata 4000 shqiptarë që jetojnë në veri të lumit Ibër, nuk i trajton as si mjet e as si qëllim. Thjesht, ajo i ka harruar fare ata. Papunësia dhe varfëria në mesin e shqiptarëve që jetojnë atje është veçse më e madhe sesa e shqiptarëve në pjesën tjetër të Kosovës.
Përveç mungesës së sigurisë dhe mbrojtjes fizike, shqiptarët në qytetin e Mitrovicës dhe fshatrat përreth, si dhe ata që jetojnë në fshatrat në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, përballen me mjerimin social ku egërsia e mbijetesës shprehet edhe te skamja për bukën e gojës.

Për shtetin e Kosovës nuk paraqet ndonjë sfidë të madhe aspirata që papunësinë në veri të Kosovës ta sjellë në zero. Serbët që jetojnë në veri të Kosovës e kanë shumë të ulët papunësinë. Standardi i jetesës së tyre është rreth trefish më i lartë sesa ai i shqiptarëve. Janë shqiptarët ata që janë të papunë.

Këta qeveritarë që s’lanë militant partiak e kushëri të tyre pa punësuar, pa dyshim që i kanë mundësitë që të angazhohen në përmbushjen e një misioni krejtësisht tjetër: t’i punësojnë ata dy mijë njerëz në veri, me shumicë dërrmuese shqiptarë, të cilët janë të aftë për punë. Rivitalizimi i Trepçës do të kontribuonte aq shumë në zgjidhjen e këtij problemi, në mos edhe do ta zgjidhte atë plotësisht. Sepse, siç thonë minatorët, një vend pune në nëntokën e minierave i hap edhe katër vende të tjera pune mbi tokë.

Asisoj, shqiptarët do të qëndronin nëpër shtëpitë e tyre dhe nuk do t’i shisnin pronat e shtëpitë e tyre pasi nuk do të ishin më pa të ardhura, të cilat i lanë me ushqim, ngrohje e veshmbathje të paktë dhe pa shkollim të duhur e kujdes shëndetësor. E, nëse ndonjë shqiptar, megjithatë, vendos që ta shesë shtëpinë e tokën e tij, atëherë sërish është qeveria e Kosovës ajo që do të mund ta blinte atë pronë dhe kurrsesi të mos lejojë që Serbia ta bëjë këtë në kuadër të planit të saj për spastrimin etnik të shqiptarëve dhe popullimin me kolonë serbë të veriut të Kosovës.

Natyrisht që e gjitha kjo nuk do të mjaftonte pasi shqiptarët gjithnjë do të ishin nën kërcënimin e strukturave armiqësore dhe kriminale të Serbisë. Mirëpo, edhe kjo nuk është aspak e vështirë që të zgjidhet. Përveçse duhen arrestuar ata dy a treqind pjesëtarë të MUP-it në veri, shqiptarëve atje që sot paraqesin njerëzit më të rrezikuar në Europë, duhet krijuar mundësia që të punësohen në Policinë e Kosovës dhe në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Aktualisht, numri i shqiptarëve në veri që janë të punësuar në PK ose FSK mund të numërohen gjithsej në gishta të dorës. Nuk ka familje shqiptare në veri, së paku një anëtar i së cilës nuk do të pranonte të punësohej në PK ose FSK. Madje janë me qindra shqiptarë që në këto vitet e pasluftës kanë aplikuar, por janë refuzuar që të punësohen në PK ose FSK. Po ashtu, janë me dhjetëra familje shqiptare atje që vullnetarisht do ta lironin shtëpinë e tyre për ta shndërruar atë në nënstacion të PK-së ose FSK-së.

Shqiptarët në veri të Kosovës qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre edhe pse luftohen në forma të ndryshme nga qeveria e Serbisë dhe nuk përkrahen në asnjë formë nga qeveria e Kosovës. Ata nuk janë vetëm heronj. Ata janë më shumë se kaq – ata janë të guximshëm. Siç thotë Alain Badiou, heroi përballet njëherë me pamundësinë, kurse guximtari përballet vazhdimisht me pamundësinë – ai bashkëjeton me të.

Ky guxim i shqiptarëve në veri të Ibrit pasqyrohet fare pak në Televizionin tonë publik. Ata bëhen temë vetëm atëherë kur i sulmon Serbia dhe teksa njoftohet se qeveria e Kosovës i dha ca para familjes shqiptare pasi asaj ia vranë ndonjë anëtar dhe e dëbuan nga veriu. Sepse kjo qeveri të ndihmon e të jep para vetëm për funeral, jo për të jetuar. Apo jo?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama