Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Me dialog e pa republikë

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 12 vite më parë

Albin Kurti
Me dialog e pa republikë

Ndonëse liria dhe e mira nuk janë në lidhje të thjeshtë shkakësore, liria nën despotin e mirë është liri private dhe jo liri publike. Kjo liri mund të jetë edhe liberale, por kurrsesi s’mund të jetë republikane. Philip Pettit argumenton që republikanizmi ndodhet më lart sesa liberalizmi sa i përket çështjes së lirisë. Teksa liberalizmi në kuptimin e tij klasik e koncepton lirinë si liri nga ndërhyrja që është ndërhyrje e ushtruar, te republikanizmi, liria nga ndërhyrja është edhe e mbrojtur: askush nuk ka të drejtë të të ndërhyjë. Liria republikane është liri nga ndërhyrja dhe si e tillë, liri e siguruar. Liria liberale është liri nga ndërhyrja e aktualizuar dhe e konkretizuar. Nëse despoti nuk ndërhyn, atëherë ti je i lirë, thotë liberali.

Nëse ka despot, pavarësisht a ndërhyn apo jo, ti nuk je i lirë, thotë republikani. Për shkak të protektoratit ndërkombëtar, në shtetin e Kosovës, në rastin më të mirë, kemi liberalizëm pa republikë. Edhe nga leximi më i përciptë i Kushtetutës së Kosovës e merr vesh që aty s’janë të drejtat e qytetarit, por kushtëzimet e Ahtisaarit. Tash, kjo republikë e jona në mungesë ndodhet përballë republikës perandorake të Serbisë, e cila prej Kushtetutës së saj e deri te strukturat ilegale në Kosovë zbaton në mënyrë agresive hegjemoninë e saj. Veriu i Kosovës dhe enklavat me shumicë serbe në Kosovë kanë shkallë të ndryshme të zbatimit të Kushtetutës së Serbisë. Jo vetëm nevoja e Serbisë për avancim drejt BE-së, por edhe trysnia për zbatim më të lartë të Kushtetutës së Serbisë po e rikthen dialogun.

Plani i Ahtisaarit është zbatuar vetëm atje ku ka dashur Serbia: në Partesh e Kllokot, në Ranillug e Graçanicë, por jo edhe në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës thotë se po orvatet që përmes bisedimeve me Serbinë të mbarojë punë me të. Mirëpo, kjo është pikërisht mënyra si zgjatet puna me Serbinë. Ajo mbetet e pakënaqur me koncesionet e bëra të Kosovës që kjo e fundit i implementon njëanshëm deri te rifillimi i dialogut për koncesione të reja. Gatishmëria e qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë po e afron këtë qeveri me Beogradin dhe po e largon atë prej qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. Beteja midis qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë po shndërrohet në betejë të këtyre tw dyjave kundër Kosovës. Sepse Serbia nuk është e kushtëzuar; sepse Kosova është tema.

Dialogu ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë nuk është vendi ku ndahen këto dy qeveri, por momenti ku bashkohen ato. Atyre po u pengojnë zërat që ua kundërshtojnë dialogun dhe që ata i quajnë zhurmë, meqë s’duan t’i dëgjojnë. Mirëpo, ata nuk janë zërat ndërluftues, por zëri që e zë gjithçka tjetër për zhurmë. Ballafaqimi i tyre ndërmjet veti e maskon luftën e tyre të përbashkët kundër nesh. Populli i Kosovës është sikur mjedisi, ndërsa qeveritarët dialogues nga Prishtina e Beogradi janë sikurse ndotja. Ndotësit e ndryshëm edhe mund të jenë në konkurrencë, veçse konkurrenca e tyre tashmë i ka shpallur luftë mjedisit.

Ja çfarë shkruan filozofi Michel Serres te nënkapitulli ‘Dialogu’ i librit të tij ‘Kontrata Natyrore’: “Në dialog, të dy kundërshtarët luftojnë bashkë, në të njëjtin kamp, kundër zhurmës që mund të zhurmojë zërat dhe argumentet e tyre.

Dëgjojini si e ngrenë tonin njëherësh, kur u ndërhyn ndonjë zhurmë nga jashtë. Debati e supozon ende këtë marrëveshje. Sherri apo shamata, në kuptimin e betejës, supozon një betejë të përbashkët kundër sherrit apo shamatës, në kuptimin e zhurmës. Menjëherë plotësohet skema fillestare: dy bashkëbisedues që ne i shohim mirë janë kapur fort në kontradiktë, mirëpo aty, të pranishëm, vigjilojnë dy spektra të padukshëm, në mos po edhe të heshtur, miku i përbashkët që i pajton, me anë të kontratës, sa më pak virtual, me gjuhë të përbashkët dhe fjalë të përcaktuara, dhe kështu, armiku i përbashkët kundër të cilit ata luftojnë, në fakt, me të gjitha fuqitë e tyre të përbashkuara, është kjo zhurmë sherri, ky zhurmues që do të mbulojë deri në shuarje vetë zhurmën e tyre. Për të ekzistuar, lufta duhet t’i hapë luftë asaj luftës atje.

Dhe askush nuk e vë re këtë gjë. Ja përfundimisht një lojë katërshe, mbi një vizatim të ri, katror apo i kryqëzuar, e kërkuar nga çdo dialog. Dy ndërgrindësit këmbejnë argumente të ndershme apo sharje të ulëta përgjatë një diagonaleje, ndërkohë që mbi diagonalen e dytë, tërthorazi apo pingul me ta, shpeshherë pa ditur gjë ata, gjuha e tyre kontraktuese ndeshet hap pas hapi kundër zhurmës së mjedisit për të ruajtur pastërtinë e saj. Betejë subjektive aty, unë dua të them midis subjektesh, e kundërshtarëve; por ndeshje objektive këtu midis dy instancave që nuk kanë emër, as edhe status juridik, sepse spektakli fenomenal i dialogut të zhurmshëm dhe i flaktë i mbulon gjithmonë duke argëtuar vëmendjen tonë. Debati fsheh armikun e vërtetë.” Mbase nuk do të mund të pranosh me pranimin e marrëveshjes aq shumë sa ke pranuar tashmë nëse fillon dialogun për marrëveshje.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama