Humor i zi

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Humor i zi

U përmbyt sërish Shkodra,siç u përmbytën disa të tjera qytete në Shqipëri, madje edhe në vendet fqinjë të Ballkanit. Për arsye objektive kryesisht, d.m.th. të pavarura nga vullneti i faktorit njeri qoftë ky i llojit homo albanicus, por edhe për arsye subjektive, d.m.th të varura nga faktori i sapopërmendur. Po përpiqet, përpëlitet, përdridhet e përplaset pushteti qendror, por edhe ai vendor, për tu ardhur në ndihmë shqiptarëve të goditur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Gjithsesi, ajo që më shqetëson sot e më shtyn të merrem me atë, nuk janë (gjysmë)sukseset apo (gjysmë)dështimet e pushtetit qendror, as ato të pushtetit vendor për përballimin e përmbytjeve, por sjellja e neveritshme e atyre që sigurojnë "qarkullimin" e qytetarëve të Shkodrës së përmbytur. E kam fjalën për varkëtarët që po praktikojnë tarifa të larta për transportin ujor në rrugët e Shkodrës: "Le malheur des uns fait le bonheur des autres", thotë frëngu në mënyrë proverbiale (Fatkeqësia e disave lumturon disa të tjerë).

Para pak ditësh, tek shihja një kronikë për përmbytjen e Shkodrës në njërin prej kanaleve tona televizive, mu kujtua, si për dreq, një gazmore italiane lidhur me tarifat e praktikuara nga gondolierët venedikas në raste dasmash dikur, në fillim të shekullit të kaluar: ekzistonin, pra, asokohe tri tarifa: më e shtrenjta, për ato gondola të mëdha ku, në rast shiu, nusja e dhëndri, bashkë me prindërit e tyre, mbroheshin nga një tendë e madhe, kurse dasmorëve të tjerë u shpërndaheshin çadra e mushama; tarifa e dytë, pak më e lirë, siguronte një tendë për nusen e dhëndrin, çadra e mushama për prindërit e tyre, ndërsa  dasmorëve të tjerë u premtohej solemnisht që shiu do të pushonte pas pak çastesh; së fundi, tarifa e tretë, më e lira, i siguronte nuses e dhëndrit një çadër të përbashkët dhe dy mushama, prindërve të tyre u premtohej solemnisht që shiu do të pushonte pas pak, ndërsa dasmorëve të tjerë, në mënyrë që të mos e ndienin fare shiun, u bëhej një thirrje e sinqertë që ta ndiqnin gondolën me... not (stili sipas mundësisë së secilit, madje edhe duke notuar nën ujë).

Nuk e di se si më ndodhi, por aty për aty, mu fanit një skenë e papritur, si në makth, por plot humor. Plot humor të zi. Sterrë të zi. Katran fare. Në një si biçim vegimi të llahtarshëm pashë se varkëtarët shkodranë, ata të pamëshirshmit pa më të voglin dyshim, kanë caktuar, në këtë fillimshekulli të lagshëm, tri tarifa qarkullimi. "Në raste dasmash?" - do të pyesë patjetër lexuesi i vëmendshëm e kureshtar i rubrikës sime të së dielës. Përgjigjja që do ti jap me siguri do ta zhgënjejë atë: "Jo, në raste vdekjesh". Sepse, kur ndodhin përmbytje të mëdha, të frikshme, mund të ketë edhe të vdekur.

Kështu, tarifa e parë, më e shtrenjta, siguron, po të bjerë shi një tendë të madhe për arkivolin me trupin e të ndjerit dhe për njerëzit e tij më të afërt, ndërsa pjesëmarrësve të tjerë në varrim u shpërndahen çadra e mushama; tarifa e dytë, pak më e lirë, siguron, gjithmonë në rast shiu, një tendë për arkivolin, njerëzve më të afërt të të ndjerit u shpërndahen çadra e mushama, kurse të tjerëve u premtohet solemnisht që shiu do të reshtë pas pak; më në fund, tarifa e tretë, më e lira, siguron një mushama për arkivolin, një çadër për fjalimmbajtësin mortor, një premtim solemn për njerëzit më të afërt të të ndjerit, ndërkohë që të tjerët ftohen të ndjekin varkën me... not (stili sipas mundësisë së secilit, madje edhe duke notuar nën ujë).

Besoj se ky vegim, sado i pabesueshëm të duket, do ti bëjë qeveritarët tanë (qendrorë e vendorë shkartisur) të mendojnë disi më thellë për telashet jo vetëm të mëdha, por edhe të vogla, jo vetëm dramatike, por edhe komike, që nxjerrin fatkeqësitë natyrore në përgjithësi dhe përmbytjet në veçanti, sidomos në qytete të tilla si Shkodra ime e preferuar, ku humori, qoftë edhe i zi, bën pjesë në kulturën e qytetarëve fisnikë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama