Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Luanet dhe Minjte

Shkruar nga: Kim Mehmeti  
Botuar më: 14 vite më parë

Kim Mehmeti
Luanet dhe Minjte

Kaloi edhe samiti i NATO-s në Lisbonë. Siç kaluan edhe shumë të tjerë që i priti e i përcolli Maqedonia, duke shpresuar se ai i radhës do jetë vendimtar për anëtarësimin e saj në këtë Aleancë. Pritje e përcjellje që gjithnjë e më shumë u ngjajnë atyre nga rrëfimi për dhelprën që ecën pas dashit duke shpresuar se herdo – kurdo, atij do i bien herdhet dhe ajo do ngihet me to. Pra, që i ngjajnë shpresës absurde se, o do shpërbëhet kjo Aleancë, o do falimentojë e do zhbëhet Greqia, e që pastaj Maqedonia të mos ketë nevojë ta ndërrojë emrin dhe të mos ketë kush ta kushtëzojë pranimin e saj në NATO. Shpresë që i ngjan asaj të Millosheviçit: se një botë e tërë do mbytet në baltën mitike serbe. Pra, se një botë e tërë do të ngatërrohet në intrigat dhe lojërat mesjetare ballkanike, ku Greqia luan rolin e rojtarit të vlerave të lashta të këtyre hapësirave, e Kryeministri maqedonas Gruevski, paraqitet si rilindës i vonuar i popullit të vet. Si rilindës i cili assesi ta kuptojë se aty ku vendos më i forti, vetëm i marri flet për drejtësi. Pra, si rilindës i cili me gjithë mend beson se do i ndryshojë ligjet e kësaj bote, e ku nuk ka luan i cili do lejonte që miu t’ia lëpijë mustaqet.


Pra, kaloi edhe Samiti i NATO-s në Lisbonë, ku Maqedonia thuajse as që u përmend. Apo u përmend vetëm aq sa t’ua rikujtonte burrështetasve të saj se ata s’duhet t’i presin samitet e NATO-s, por t’i përkushtohen zgjidhjes së pranueshme për emrin në kuadër të OKB-së. Dhe ende pa mbaruar punën Samiti i Lisbonës, në Maqedoni filloi debati lidhur me dështimin e radhës për anëtarësimin e vendit në këtë aleancë. Partitë opozitare maqedonase paralajmërojnë angazhimin e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. E nga ana tjetër, shqiptarët bëhen gati për protesta në të cilat, si shumë herë më parë, do kërkojnë nga Gruevski anëtarësimin e menjëhershëm të vendit në BE dhe NATO. Por, duke mos kërkuar shpjegim se ku gabuan e u bënë peng të politikës antiperëndimore të Gruevskit, i cili fatin e vet politik e ka lidhur me mosndryshimin e emrit të shtetit. Pra, do protestojnë duke mos kërkuar shpjegim se si ndodhi që partitë shqiptare të mbeten në spiralen e paskajshme të manipulimeve të VMRO-DPMNE-së së sotme, e për të cilën thuhet se para se ta fillonte betejën për defaktorizimin e partive shqiptare, kishte mposhtur krahun “probullgar” në radhët e veta dhe kishte rënë në duart e rrymës “proserbe” të kontrolluar nga qarqet e Beogradit.

Rrymë e cila partitë politike shqiptare i solli këtu ku ndodhen sot: të mos kërkojnë zgjidhje për popullin që përfaqësojnë, por mënyra nga më perverset për ta asgjësuar njëra-tjetrën. Gjë që më së miri tregon se nën kujdesin e kujt janë shqiptarët e këtushëm, gjë që mund të çojë edhe drejt më të keqes – që të gjithë të bëhen pjesë e një skenari tragjik, i cili mbase edhe ka filluar të realizohet, nga vetë fakti se sot në shoqërinë shqiptare ka humbur kuptimi i çdo debati, se në këtë shoqëri absurdi i veprimit politik  të partive shqiptare ka arritur në atë shkallë sa është e pamundur ta përcaktosh kufirin që e ndanë destruktivitetin e kryesuesve të njërës nga konstruktiviteti i proklamuar i partisë tjetër.

Shikuar nga këndvështrimi i një partie shqiptare, e cila thuajse e ka harruar rolin e saj parësor – mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të këtushëm – dhe u është përkushtuar vetëm proceseve integruese euroatlantike, pra vlerësuar nga pozita e BDI-së në pushtet, e cila e ka ndërlidhur fatin e vet politik me një parti maqedonase që në “kodin gjenetik” të saj ka “pansllavizmin” dhe nacionalromantizmin e vonuar, qysh tani mund të thuhet se nga kjo bashkëshortësi perverse qeverisëse, humbës të vetëm do jenë shqiptarët. Në mos për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se në Maqedoninë e sotme, realizohet vetëm një projekt politik – ai i Gruevskit, projekt që e izolon vendin dhe e ushqyen nacionalizmin maqedonas, por njëkohësisht, duke i frustruar shqiptarët e këtushëm, të cilët mbase edhe nuk i shqetëson gjithaq (dis)fati politik i Ali Ahmetit, sa vitet e humbura në pritje që bashkështetasit e tyre maqedonas të gjejnë përgjigje si do e mbrojnë identitetin e tyre etnik.

Kuptohet, nuk është aspak e pandershme që t’i ndihmosh bashkështetasit e tu kur ata e jetojnë periudhën e zgjimit të tyre etnik, por është shumë e pandershme dhe politikisht e papërgjegjshme që të dehesh nga ëndrrat e të tjerëve. Aq më shumë, është e pandershme dhe papërgjegjësi e plotë politike, të lejosh që populli yt të frustrohet dhe të mbetet peng i politikës së Gruevskit, peng i veprimeve politike të cilat janë plotësisht të drejta, nëse i shikon nga këndvështrimi i një politikani i cili përballet vetëm me një pyetje: Ç’më duhet shteti që nuk do u takojë vetëm maqedonasve. Gjë që do duhej ta çonte Ali Ahmetin t’ia shtronte vetvetes pyetjen: Ç’më duhet pushteti pa pasur shtet dhe ç’më duhet një shtet i ndërtuar sipas modeleve të udhëheqësve shpirtërorë të VMRO-DPMNE-së të tipit të “llatasëve e milenkove”, e të cilët nga larg të qelbin me frymimin e tyre antishqiptar e antiperëndimor.

Shkurt thënë, pas Samitit të NATO-s në Lisbonë, Maqedonia do mbetet ajo që ishte gjatë dy dekada me radhë: një gropë e thellë ku qytetarët e saj nuk kërkojnë gjë tjetër, përpos shkallëve për të dalë nga ajo dhe për të ikur sa më larg këtyre hapësirave ku edhe kur bie shi, nuk mbijnë kërpudha, por përmendore. Mbase ngutja për ta braktisur Maqedoninë, më e shprehur është te shqiptarët, edhe atë shkaku se ata jetojnë në pjesët më të pazhvilluara të vendit dhe ku qeveria e Gruevskit nuk investon as aq sa kushton një përmendore e ngritur në qendër të Shkupit. Dhe nëse vazhdon ky intensitet i shpërnguljes së rinisë së këtushme shqiptare, pa dyshim se do realizohet edhe projekti më i rëndësishëm i Gruevskit: që shteti t’u mbetet vetëm maqedonasve etnikë.

Me çka shqiptarët e këtushëm nuk do kenë nevojë as të protestojnë, e as të votojnë për partitë e veta, ngaqë në emblemat e tyre nuk do lexojnë asgjë tjetër përpos pyetjes: Vallë nuk patëm forca të duhura që të themelonim një parti e cila do dinte të harmonizonte interesat e popullit të vet me ato të shtetit, që do e dinte se që të bëhesh sundues, më parë duhet të kesh shtet, se ai që nuk e njeh e nuk di si ta përdorë forcën e vet, i ngjan luanit të lodhur të cilit minjtë ia hanë mustaqet. Ku ta dish, mbase shqiptarët e Maqedonisë do duhet më parë të shohin me sytë e vet atë që e pohon Ali Ahmeti lidhur me ata që publikojnë dosjet për të e shokët e tij, e kur vetveten e krahason me qëndrueshmëri shkëmbore - se mali nuk rrëzohet nga birat e minjve. Pra të shohin se mali me të vërtet nuk bie nga gërryerjet e minjve, por vrimat e minjve mbeten.

Dhe nëse ato vrima minjsh nuk i mbyll me kohë e ashtu siç duhet, nëpër to fillon të rrjedhë ujë, nga dita në ditë ato zgjerohen, bëhen gropa të thella ku shumohen gjarpërinjtë e bëjnë gosti ujqit, me çka, mali bëhet i rrezikshëm e i papërdorshëm për ata që shpresojnë se, në ditët e nxehta ai do t’u bëjë fllad, e gjatë dimrit të ftohtë do t’i furnizojë me dru.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama