Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Me eren e qumeshtit te nenes

Shkruar nga: Kim Mehmeti  
Botuar më: 10 vite më parë

Kim Mehmeti
Me eren e qumeshtit te nenes

Sa herë që dëgjoj të flitet për shumëfetarizmin e shqiptarisë, më rikujtohet rrëfimi i gjyshes sime për një katragjyshe tonën të kohëve të Perandorisë Osmane, nga Reka e Epërme në afërsi të Dibrës. Ai rrëfim, i rrokullisur nëpër shekuj e i ardhur në veshët e mi fëmijëror, mbase është edhe i zbukuruar dhe nuk e përshkruan ngjarjet ashtu siç ka ndodhur, por besoj se me asgjë nuk e ka të lënduar thelbin e së vërtetës që përcjell. Telegrafisht treguar, rrëfimi i gjyshes përshkruan jetën e vështirë të katragjyshes sonë të mbetur pa burrë, e cila ishte pajtuar me vendimin e djalit të saj të pamartuar që të pranonte fenë myslimane, mbase pse kishte besuar se ashtu më lehtë do e përballte varfërinë dhe do e shpëtonte fenë e vet dhe të djalit më të madh me dy fëmijë. Rrëfimi pastaj thotë se përderisa kishte qenë gjallë, ajo të premteve kishte pastruar xhaminë e porsandërtuar të fshatit, e të dielave kishën e katundit. Dhe atyre që e pyesnin pse pastronte edhe xhaminë, ajo u thoshte se xhamia e kisha ishin faltoret e djemve të saj. Kur katragjyshja jonë ishte ndarë nga kjo botë, atë e kishin varrosur së bashku, djali i saj i madh ortodoks dhe ai më i riu mysliman. Dhe kuptohet, njëri i ishte lutur Allahut që nënën e tij ta shpërblente me Xhenet e tjetri, duke bërë kryq, i ishte përgjëruar Zotit që e ëma të bëhej banore e Parajsës. Dhe pasi kishin pëshpëritur lutjet kuranore e biblike, ata ishin përqafuar me njëri-tjetrin dhe kishin dhënë besën se kurrë nuk do e tradhtonin qumështin e nënës së tyre.

Pastaj çdo gjë e ka rrjedhën e njohur të degëzimit të familjeve shqiptare, por me të veçantën e hapësirave të Rekës së Epërme, ku sipas rrëfimit të gjyshes, pasardhësit e djalit të madh që nuk kishin ndërruar fenë, më vonë ishin davaritur në detin e valëzuar të sllavëve të jugut, ku kishin harruar gjuhë e etni. Dhe kur e pyesnim gjyshen pse na rrëfente për këtë degëzim të trungut tonë familjar, ajo na thoshte se këtë e bënte sa të na e rikujtonte që të ruanim dallueshmërinë, që të ruanim gjuhën e qumështit të nënës, që të mbeteshim mysliman të devotshëm, të mos bëheshim “shkije”, si dhe që ta dinim se mes atyre që nuk flisnin shqip, ishin strukur edhe kushërinjtë tanë, edhe pasardhësit e djalit më të madh të katragjyshes sonë nga Reka e Epërme. Dhe kështu, qysh fëmijë, ne u mësuam që hatri i kushërinjve tanë të asimiluar në mesin e tyre, të mos i urrenim as “shkijet” sllavë, e le më të bënim atë që bënin ata: të vrisnim nëna e fëmijë të pafajshëm vetëm pse nuk i takonin fesë sonë apo vetëm pse nuk flisnin shqip!

Kështu ne rriteshim pranë baballarëve tanë që bartnin kapela të zeza, të cilat nuk u pëlqenin sllavëve ngaqë e kishin zbuluar se ashtu burrat e atjeshëm mbanin zi për plisin që u ishte ndaluar ta vinin mbi kokë. Dhe të vërtetës për kapelat e zeza, si dhe rrëfimit të gjyshes sime, gjithmonë ia bashkëngjis edhe kujtimet nga vitet e rinisë sime, kur ne jetonim duke ëndërruar sa të lumtur ishin vëllezërit tanë të Shqipërisë, me të cilët na ndante muri i Enverit, ai mur i patejkalueshëm që na bënte të ndihemi si fëmijë bonjakë, për të cilët nuk kujdesej askush. Asokohe, ne shpesh shkonim në Stamboll. Edhe atë jo pse atje nuk kishte sllavë që na urrenin, por që t’i vizitonim kushërinjtë tanë që i kishte dëbuar socializmi jugosllav dhe të cilët kishin shpëtuar fenë, por kishin humbur gjuhën e etninë. Dhe atje takoheshim ne shqiptarët, me kushërinjtë tanë që ishin bërë turq. Në Stamboll ne shkonim edhe kur vdiste ndonjë i gjakut tonë dhe atje e lusnim Allahun që të ndjerit për të cilin lotonim, t’ia falte mëkatet e ta shpërblente me Xhenet. Kuptohet pasi e varrosnim të dashurin tonë, ne përqafonim dhe ngushëllonim njëri-tjetrin në shqip e turqisht, por duke mos harruar erën e qumështit të nënave shqiptare dhe rrëfimin për degëzimin e fisit tonë.

Rrëfimit të gjyshes sime për katragjyshen tonë, si dhe kujtimeve nga vitet e rinisë sime të hershme, më vonë iu bashkëngjitën ngjarjet që kishin të bëjnë me betejat e mia publike, që me aq sa mundem, ta mbroja shqiptarinë nga qarqet antishqiptare. Gjatë betejave të tilla, e kuptova sa e përhapur është në Ballkan sëmundja e urrejtjes ndëretnike e ndërfetare, por edhe e shijoja ndjesinë njerëzore si pjesëtar i popullit që kurrë nuk kishte vuajtur nga kjo sëmundje kolektive. Pra ndihesha superior ndaj kundërshtarëve të mi, ngaqë si shqiptar mysliman, isha mëkuar me qumështin shumëfetar të shqiptarisë. Dhe ndërkohë, rendja tutje që të arrij këtu ku ndodhem sot, e ku herë-herë, më duket se ne shqiptarët edhe e meritojmë urrejtjen e disa qarqeve sllave, ngaqë sa herë që na shohin, ata përballen me atë që ne e ruajtëm, e ata e humbën përgjithmonë – fytyrën e njerëzores. Pra, për disa qarqe antishqiptare, ne jemi si pasqyrë ku ata e shohin shëmtinë e tyre, përfshi edhe të vërtetën se e keqpërdorën fenë për të asimiluar shqiptarë.

Sido që të jetë, kur i ndërthur rrëfimin e gjyshes me përjetimet e mia rinore dhe me ato të viteve të pjekurisë, më bëhet gjithnjë e më e qartë se jo rrallëherë, duke mbrojtur fenë, ne e kemi humbur shqiptarinë, por kurrë nuk ka ndodhur e kundërta: që duke mbrojtur shqiptarinë, dikush të ketë humbur fenë. Pra, duke na joshur me afërsinë fetare, shumë nga popujt fqinjë asimiluan me qindra mijë shqiptarë, e ne, edhe duke i pasur në trungun tonë etnik edhe fetë e tyre, kurrë nuk tentuam ta shqiptarizonim joshqiptarin. Por edhe nga shqiptarët, të cilët për shkak të fesë e dhanë shqiptarinë, ne fituam diçka: vetëdijen se te shumë nga popujt fqinjë, ka me qindra mijë shqiptarë të asimiluar, e me çka mbase mësuam që më shumë ta duam njeriun sesa tokën dhe se edhe shqiptari mysliman edhe ai i krishterë duhet të mbrojë atë që ia mbron të gjitha – shqiptarinë!

Dhe sot, sa herë që dëgjoj të flitet për shumëfetarizmin e shqiptarisë, mua më duket e paktë ta vlerësosh si tolerancë e harmoni ndërfetare. Më duket e paktë ngaqë toleranca mund të jetë edhe e imponuar, si për shembull kur duhet ta durosh më të fortin që të dhunon, por që s’ke si e kundërshton. Pastaj edhe jetesa në harmoni me tjetrin, mund të jetë diçka që mësohet, si për shembull kur e mëson macen të jetojë në paqe me qenin. Andaj besoj se trungu ynë shumëfetar kombëtar, nuk mirëmbahet as nga diçka e imponuar, e as nga diçka që mësohet, por nga era e qumështit shekullor të nënave shqiptare. Dhe trupi etnik i mëkuar me atë qumësht, nuk ka si mos e kuptojë se Zoti e shpërblen devotshmërinë ndaj tij, por edhe e dënon atë që shkel mbi njerëzoren dhe që tradhton qumështit amënor të shqiptarisë. Dhe kjo është ajo që neve na ka bërë të këtillë siç jemi: ta duam njeriun dhe ta kemi të vulosur mendësinë se bëmat e kësaj bote të shqiptarit mysliman, njësoj si edhe ato të atij të krishterë, vlejnë vetëm aq sa peshojnë në kandarin e njerëzores dhe në atë të shqiptarisë!

(Teksti që u lexua në Mbrëmjen Gala të fundvitit të TV “Top Channel”)

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama