Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Prijesit e mehalleve Shqiptare

Shkruar nga: Kim Mehmeti  
Botuar më: 12 vite më parë

Kim Mehmeti
Prijesit e mehalleve Shqiptare

Është gabim të thuash se për Sali Berishën është e papranueshme ideja për bashkim të trojeve shqiptare dhe se ai nuk e dëshiron bashkimin e popullit të vet. Mbase më i saktë do ishte vlerësimi se ai nuk e përkrah këtë ide ngaqë mendon se duke e mbështetur atë, ai do i irritonte “miqtë ndërkombëtarë”, se do linte përshtypjen e politikanit që nuk mban llogari për stabilitetin e rajonit dhe mbi të gjitha, ai nuk e përkrah këtë ide ngaqë e di se në një Shqipëri etnike, ka me qindra bajraktarë të tjerë që do ia rrezikonin pozitën e “babait” të demokracisë enveriste.

Andaj, për të është më mirë kjo ide të vonohet aq sa të arrijë të ngihet me pushtet, e pushteti të lodhet nga ai. Gjithashtu, është gabim të thuash se Edi Rama nuk mbështet idenë e bashkimit kombëtar, ngaqë nuk e do një Shqipëri të natyrshme. Andaj, ndoshta do ishte më i saktë vlerësimi se Rama këtë ide e konsideron si të hershme, se beson që ende nuk janë barazuar dy mentalitetet shqiptare që u ndërtuan në dekadat gjatë të cilave këta nga kjo anë e kufirit, dhe ata të Shqipërisë, i ndante muri socialist. Pastaj, mbase ai vlerëson se këto dy mentalitete që shprehen në një gjuhë, por ende nuk janë mësuar të mendojnë mbarëshqiptarçe, kanë ndërprerje në lidhje dhe si të tillë, edhe bashkimin do e shijonin si grindje të zgjeruar në hapësirë e të rritur për nga numri.

Është mëkat ta fajësosh Hashin Thaçin se nuk e do bashkimin kombëtar po aq sa edhe Albin Kurti. Por për dallim nga Albini, të cilin ideja për bashkim ia ushqen dëshirën për të ardhur në pushtet, Hashim Thaçit mbetja me çdo kusht në pushtet ia mëkon dhe ia përcakton të gjitha idetë. Pastaj Thaçi e di edhe se me retorikën e tij dyqindëfjalëshe, në një Shqipëri të përbërë nga të gjitha trojet shqiptare, ai vështirë se do mund të pretendonte të bëhej deputet, e le më atë që është sot. Gjithashtu, është e padrejtë të thuash se Isa Mustafa nuk e përkrah idenë e Albin Kurtit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ngaqë nuk e do një të arrirë të tillë. Por, ajo që e pengon atë ta përkrahë këtë ide mund të jetë edhe vetëdija se me politikën e tij anemike, në një Shqipëri të natyrshme, ai nuk do mund të ishte asgjë më shumë se një profesor i mirë, e le më lider partiak.

Do ishte shumë e padrejtë të thuash se Ali Ahmeti nuk e përkrah idenë për bashkim kombëtar, ngaqë nuk e do realizimin e kësaj ëndrre të qindra gjeneratave shqiptare që flijuan çdo gjë për Shqipërinë e tyre. Por, ajo që e çon Ahmetin t’i përkushtohet Maqedonisë europiane, e të bëjë çmos që shqiptarët e këtushëm ta harrojnë këtë ide, mbase ka të bëjë me vetëdijen e tij se në një shqiptari të bashkuar, me politikën e tij të “çiftelisë me dy tela”, ai nuk do mund të pretendonte të zgjidhej as kryeplak i fshatit të tij të lindjes, Zajazit, e le më të kishte kënaqësinë që ka sot: të vetëgënjehet e ta gënjejë popullin e vet se është burrështetas, se “miqtë perëndimorë” e mbajnë për strateg të ruajtjes së paqes rajonale. Pa dyshim se asnjëri nga liderët partiakë të shqiptarëve të Maqedonisë, intimisht nuk ka asgjë kundër bashkimit mbarëkombëtar, por ata nuk e ushqejnë këtë ide ngaqë e dinë se mund të shiten në tregun e këtushëm politik ku pushtetarët maqedonas nuk mund të bëjnë qeveri pa një parti shqiptare, qoftë ajo edhe e pavlerë, por nuk do vlenin gjë në tregun politik mbarëshqiptar, ku nuk do kishin shumë hapësirë të lëvdoheshin me patriotizmin e rrejshëm.

Tirana, Prishtina dhe pjesa shqiptare e Shkupit zyrtar, e heshtin idenë e bashkimit kombëtar jo pse atë nuk e dëshirojnë, por mbase pse e dinë se ajo duhet t’i lihet të ardhmes dhe ngaqë më shumë u pëlqen dhe u leverdis që çdonjëri ta kontrollojë lagjen e vetë shqiptare, se sa të mbeten askushi në “qytetin” mbarëkombëtar. Dhe duke qenë kështu, duket se ideja për bashkimin kombëtar sot është më e zbehur se në vitet e Rilindjes kombëtare. Por, jo çdoherë gjërat janë ashtu siç duken. Posaçërisht kur bëhet fjalë për idetë, të cilat asnjëherë nuk janë ushqyer nga mendësia e atyre që e shohin vetëm grazhdin, e jo edhe kush e paguan ushqimin, e aq më pakë idetë janë mëkuar nga frika e të paaftëve.

Andaj, atë që e harrojnë pushtetarët e sotëm të Tiranës e Prishtinës, së bashku me vasalët e Gruevskit në Shkup, ka të bëjë me të vërtetën se idetë që njëherë janë ngjizur, nuk veniten as atëherë kur “bajraktarët” i heshtin. Ato kurrë nuk veniten ngaqë përpos të pakënaqurve, ato i mëkojnë edhe njerëzit që nuk veprojnë sipas mendësisë së “bandave” që kënaqen me “harçin” e mbledhur në lagjen e qytetit që u është lënë nën kontroll, por që udhëhiqen nga mendësia se, nëse kjo botë orvatet t’i shlyejë kufijtë që ndajnë mes veti njerëzit, atëherë është e pakuptimtë që të frikohesh nga ideja që mban gjallë shpresën e zhbërjes së kufijve shqiptaro-shqiptarë.

Ideja për bashkim kombëtar – por që nuk ka të bëjë me mendësinë serbe të “gjakut e tokës” – nuk duhet të jetë e frikshme për askënd dhe ajo sot do duhej të kishte filluar realizimin e vet me integrimin e shoqërive të copëzuara shqiptare në shumë sfera jetësore, e të cilat janë në frymën e Europës pa kufij. Gjë të cilën do mund ta bënin politikanë të një lloji tjetër nga këta që sot na rrjepin neve, por bëjnë çmos që të jenë të pëlqyer nga të huajt. Dhe të cilët janë të pëlqyer nga të huajt ngaqë ia dolën ta bindin botën se ata i kontrollojnë edhe idetë tona. Pra ia dolën ta mbulojnë të vërtetën se sasia e dëgjueshmërisë së tyre ndaj “miqve ndërkombëtarë”, është proporcionale me padëgjueshmërinë ndaj popullit që i voton dhe të cilin pamëshirshëm e plaçkitin. Me çka pra ia dolën ta mbulojnë të vërtetën se ata do ishin të parët që do e mbështesnin idenë për bashkim kombëtar, por nuk ka kush u garanton se do realizohej ëndrra e tyre e fshehtë për t’u bërë “baba” i kombit.

Pra, duke e ditur se ky popull qëmoti e ka tejkaluar periudhën e të jetuarit sipas parimit “mos ia prish babait edhe kur ai nuk din çka bën e çka flet”, prijësit e sotëm të mëhallëve shqiptare ngjajnë në politikanë që e përkrahin idenë e Europës pa kufij, por me shqiptari të paintegruar brenda vetes. Ata pra ngjanë në prijës të bandave të lagjeve, që kënaqen me mosndërhyrjen e njëri-tjetrit në territorin që kontrollojnë. Dhe duke qenë të tillë, ata vetëm e dëshmojnë naivitetin e shumicës së politikanëve të sotëm shqiptarë, e të cilët nuk e kanë kuptuar se të vdekshëm janë njerëzit, e jo idetë. Dhe se ideja për bashkim kombëtar mëkohet edhe me shpirtrat e atyre që kanë jetuar e kanë vdekur gjatë shekujve, duke ëndërruar se ky popull nuk ka pse t’u frikohet ëndrrave të veta të natyrshme, që nuk dëmtojnë askënd në këtë botë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama