Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hajde hidrocentrale!

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Hajde hidrocentrale!

“Jam shumë i dëshpëruar”, thoshte në formë batute një gazetar i njohur para dy ditësh. “S’kam as master dhe as licensë hidrocentrali. A shtyhet jeta pa këto të dyja?”. Bënte shaka natyrisht, por një shaka që i shkon shumë mirë këtij momenti surreal e në fermentim të përditshëm, ku, në një unitet të çuditshëm e paradoksal, janë kaq në modë, si licensat e hidrocentraleve, ashtu edhe masterat.

“Bizhuja” më e fundit e ka emrin “licensë energjitike”. Një derivat logjik dhe i pritshëm i “Shqipërisë, superfuqi energjitike”, siç e ka përcaktuar kryeministri Berisha në udhëtimet e tji pindarike, nëpër podiume mitingjesh, nga Sheratoni luksoz, e deri në fshatrat e humbura të Pukës. Të kesh një licensë hidrocentrali, qenka mesa po shohim, një lloj kartvizite apo më mirë, një dëshmi e një statusi social të caktuar, zakonisht e lidhur me një tjetër status politik e familjar të caktuar.

Skandali i fundit me licensimet publike vjen në sfondin e tendosur të një rrugëtimi të gjatë drejt zgjedhjeve lokale. Si i tillë, ai mbivendoset mbi një tokë të minuar, duke rrezikuar të rrisë dozën e shpërthimit elektoral të afërt. Axhenda e parlamentit, e bërë publike para dy ditëve, kishte brenda edhe ligjin për SHISH, që në MAPO e patëm parashikuar si problematik gjatë shtatorit, në numrin tonë të shkuar. Mesa duket ky ligj i nxehtë do të jetë në një “shoqëri” të mirë në sallën e re ovale të Kuvendit, e cila pritet të inaugurohet në mënyrën më inkandeshente të imagjinueshme, me përplasjet për komisionin hetimor të 28 qershorit, reformën e ardhshme elektorale, ligjet me maxhorancë të kualifikuar, e sigurisht edhe me historitë pikante të hidrocentraleve tashmë të famshme.

Kreu i opozitës premtoi para dy ditësh se saga e dokumentave, sipas tij denoncuese, të një mega-skandali me ligjet e shtetit dhe paranë publike, do të vijojë edhe në ditët e ardhshme. Madje, në stilin e njohur të Berishës, ai nuk mungoi të bëjë edhe diversionin, se e gjithë kjo valë letrash të dyshimta e ka origjinën tek printerat e zyrave të administratës, e cila sipas tij, po nxiton t’i heqë potkonjtë kalit të ngordhur.

Nëse kjo nuk dihet me siguri, diçka është shumë e qartë tashmë. Në këtë ndeshje faktesh, shkresash me kokë dhe milionash, pozita dhe opozita ndodhen tashmë në pozicione krejt të ndryshme, asimetrike. Rama po luftohet nga kundërshtarët e tij me tezat dhe akuzat e fushatës së dytë elektorale, kur pasi ishte zgjedhur herën e parë, tetë vjet të shkuara, u shfaqën për herë të parë ndaj tij akuzat për leje pallatesh dhe përqindje nën dorë. Përballë këtij korpusi objektivisht të konsumuar akuze, faktet e pretenduara të opozitës krijojnë një avantazh të dukshëm të saj përballë qeverisë. Aq sa kjo histori koncesionesh e hidrocentralesh, e kujtuar fillimisht si një shi vere, i ka tashmë të gjitha kartat në rregull për t’u shndërruar potencialisht në një uragan politik të fuqisë së pestë.

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike, të cilat, në mungesë të kulturës aq normale e të përdorur të dorëheqjes, kanë vendosur mesa duket të mbrohen deri në fund. Duke e vështirësuar edhe më parashikimin e fundit të kësaj përplasjeje të vështirë nervash. Megjithatë, nëse ka pasur nevojë edhe për një provë, sesa i lodhur e problematik mund të jetë një mandat i dytë qeverisës, kjo është pikërisht një e tillë.

Prandaj kjo kohë as e nxehtë e as e ftohtë e këtij fillim-shtatori, po i ngjan gjithnjë e më shumë piksmaës së shitësit ambulant të lagjes, i cili të duket se një ditë të bukur, në vend të kokoshkave në thesin prej celofani, do t’u ofrojë fëmijëve ... hidrocentrale. Hajde hidrocentrale!!! E thonë përditë edhe tek lajmet...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama