Pse u humb beteja e diges se liqenit

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 5 vite më parë

Skënder Minxhozi
Pse u humb beteja e diges se liqenit

Pas muaj debatesh mediatike, protestash, polemikash politike, bërrylash e vendimesh gjyqësore, që në gjuhën popullore klasifikohen si të tipit “hec se folim …”, kullat 17-katëshe poshtë digës së Liqenit Artificial në Tiranë kanë nisur të hedhin shtat. Nuk do të kalojnë shumë javë, e do të shohim sesi vija e horizontit e asaj pjese të Parkut Kombëtar, do të ketë ndryshuar një herë e përgjithmonë. Ndërtuesit janë veçanërisht të shpejtë kur bëhet fjalë për të zbatuar aksiomën e “faktit të kryer”, duke i hequr çdo shpresë dhe motivim asaj pjese të shoqërisë që arrin të protestojë ndrojtur, nën hijen e vinçave që vijojnë punën të pashqetësuar.

Ka nisur zaptimi final i një hapësire që deri më sot ka qenë një qoshe e mbijetuar e Tiranës, për banorët e këtij qyteti, për të bërë not, luajtur futboll apo thjesht për të hedhur disa hapa larg betonit që i ka marrë frymën metropolit shqiptar. U humb edhe një betejë e radhës me etjen e skajshme për fitim. U humb gjithashtu një betejë me arsyen e shtrembër, e cila na thotë prej 25 vjetësh se kudo ku syri të sheh një hapësirë, duhet me patjetër të hedhë shtat një pallat, një supermarket gjigant, një monstër betoni.

Fillesa e kësaj batërdie, që sot ka nisur zbatimin, i ka rrënjët tek aferat e deformuara të politikës shqiptare, te pikat e takimit të kësaj të fundit me botën e biznesit. Nuk po bëjmë asnjë zbulim të panjohur, teksa shkruajmë këto radhë, porse diga e liqenit vlen të komentohet paksa më gjatë se aferat e tjera të politikës. Në rrjedhën e viteve, qëkurse bashkinë e drejtonte Kryeministri i sotëm Edi Rama dhe kur në qeveri ndodhej ish-kryeministri Sali Berisha, diga e liqenit konsiderohej si ndër të paktat pika takimi mes një pozite dhe një opozite, që asokohe e luftonin njëra-tjetrën me ç’t’u vinte për dore. Ardhja e Bashës në bashki, me premtimet e tij që tashmë janë kthyer në hite humoristike në internet, vetëm sa krijoi iluzionin se ajo copë fushe ngjitur me Liqenin Artificial do t’u shpëtonte interesave meskine të industrisë së ndërtimit.

Plani i fundit urbanistik që kryetari aktual i bashkisë i la në derë kryeqytetit, po prodhon këto orë mure tullash dhe soleta betoni, jo vetëm te diga, por në disa pika tejet delikate të Tiranës. Kryebashkiaku po bën sërish atë që bëri në vitin 2013, kur në tarracat e pallateve të kryeqytetit mbinin si me magji shtesa katesh brenda pak orëve. Ikja e sigurt e tij nga bashkia verën e ardhshme, duket se po prodhon këtë dritëshkurtësi, që po dëmton në mënyrë të pakthyeshme edhe qoshet e fundit të mbetura bosh në hartën e Tiranës.

Për t’iu kthyer ndërtimeve te diga, e gjitha kjo që ndodhi këta muaj, me ndërtimin e disa kullave 17-katëshe, konfirmoi edhe një herë se oreksi i biznesit të ndërtimit për parkun e liqenit vijon të mbetet i lartë, pavarësisht mbingopjes së tregut imobiliar, krizës financiare dhe rënies së fuqisë blerëse.

Po provohet edhe një herë se ajo pjesë e Tiranës, i ka bashkuar sërish të gjithë bashkë: të djathtë, të majtë, opozitë e pushtet. Disa hedhin në letër planet urbanistike “miqësore”, të tjerë bëjnë sikur protestojnë, e lenë “me rrjedhje të lirë” problemin, derisa një panel gjykate, nga ata që shqiptarët i njohin dhe i provojnë përditë, të sanksionojnë “në emër të popullit” vendimin për të mos prekur asnjë grimë nga projektet. Një mekanizëm i perfeksionuar i devijimit të interesave qytetare, në dobi të interesave të biznesit dhe politikës.

Ndërtimi i shtetit ligjor nuk kalon përmes qëndrimesh të diferencuara, tarafesh a miqësish e aleancash politike ose financiare. Nëse shumica aktuale ka marrë përsipër të instalojë të drejtën, duke u zotuar thuajse çdo ditë solemnisht se do të luftojë të gjitha të këqijat e imagjinueshme të sistemit, kjo s’mund të kryhet duke dënuar disa, për kundërvajtje të cilat nuk vlejnë për disa të tjerë.

Disiplinimi i sektorit të ndërtimeve ka qenë në krye të axhendës së Ramës në dy vitet e fundit, por “amnezitë” që kjo politikë ka shfaqur rrugës në raste të caktuara, dëmtojnë në tërësi imazhin e ri që qeveria përpiqet të ndërtojë në këtë drejtim. Diga e liqenit ishte një betejë qytetarie, më parë se një sfidë ligjore e urbanistike. Duke humbur këtë sfidë, e gjithë ngrehina e Shqipërisë së çliruar nga përmbytja e betonizimit, është më e dobët, më iluzive dhe më e pabesueshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama