Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rendi, nje instrumentalizim i demshem politik

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 10 vite më parë

Skënder Minxhozi
Rendi, nje instrumentalizim i demshem politik

Nuk ka ndërmend të fashitet disi zhurma që po rrethon situatën e rendit në Shqipëri. Prej muajsh vijojnë debatet e nxehta politike rreth shifrave të kriminalitetit, luftës ndaj trafikut të drogave, vjedhjeve, vrasjeve e ngjarjeve të bujshme.

Është pa dyshim një temë që prek ndjeshmërinë e opinionit publik. Por është përherë e më tepër edhe një temë, e cila është kthyer në gjahun e preferuar, për të mbrojtur e forcuar interesa të ngushta politike, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me shqetësimin e pastër të shqiptarëve.

Ashtu si në shumicën dërrmuese të qëndrimeve, dy kampet politike kanë pozicione diametralisht të kundërta, edhe sa i përket rendit publik dhe luftës kundër krimit. Në zemër të operacionit për hyrjen në Lazarat, verën e shkuar, opozita pretendonte në fillim se policia “as që i ishte afruar qendrës së fshatit”. Kurse më vonë, kur qendra e Lazaratit ra, doli në pah teza e “masakrimit e vjedhjes së popullsisë civile”. Paçka se aty, pra në plantacionet e fshatit ikonë të kanabisit, qindra policë vinin kokat në rrezik nga mëngjesi në darkë, për të hequr nga harta e drogës shqiptare, simbolin më famëkeq e më jetëgjatë. I njëjti qëndrim u pa edhe kur operacioni antidrogë u zhvendos në Veri të vendit. Kurse qeveria, nga ana e saj, e ka ushqyer indirekt këtë sjellje agresive të opozitës, duke shfaqur disa herë një triumfalizëm të panevojshëm dhe acarues për palën tjetër. Siç ishte rasti i vizitës së ministrit Tahiri në laboratorin e Xibrakës. Në këtë mënyrë ka ndodhur që vetë policia ka parë sesi ky operacion i suksesshëm, është ndotur brenda 24 orëve nga duhma e vulgaritetit të debateve politike në Tiranë.

Kur në Italinë fqinje, për shembull, zbulohen banda të mëdha të trafikut të drogave apo krimit, krerët e policisë vendase nuk mungojnë të dalin në konferenca shtypi, madje edhe me “mallin” e kapur para këmbëve. Nuk mungojnë gjithashtu edhe momentet e arrestimit të kriminelëve, si dhe arsenalet e armëve që u janë kapur. Por ky është i vetmi spektakël që mediatizohet. Askush nga opozita nuk del të kërkojë largimin e ministrit të Brendshëm dhe rënien e qeverisë. Përkundrazi, nënvizohet me forcë mbështetja për forcat e rendit, siç ka qenë rasti kur janë arrestuar superkriminelë të kërkuar prej vitesh. E kjo ndodh në një vend ku bashkëjetesa e mafies me politikën ka një rekord të gjatë dhe plot emra të shquar!

Kurse këtu te ne, prej kohësh që s’mbahen mend (nuk nisi dje, të kuptohemi), ndiqet një sjellje politike tërësisht acide ndaj institucioneve, sidomos atyre të rendit. Duket sikur çdo gjë vlen për të gjuajtur me gur kundërshtarin (në fakt institucionet), edhe kur në mes është siguria kombëtare, lufta kundër krimit apo rendi publik. Megjithëse këto janë të njohura botërisht, si koncepte që do të duhet të bashkonin klasat drejtuese, e jo t’i ndanin ato nëpër llogore politike.

Kapja e një laboratori droge në Xibrakë dhe vdekja e një majori të ushtrisë shqiptare teksa transportonte drogë në Spanjë, i ka dhënë hov një dallge të madhe kritikash për atë që po konsiderohet si “Kolumbia” e Ballkanit. Thuhet kjo gjë për një vend, në të cilin gjatë vitit 2014 janë asgjësuar 101 tonë marijuanë, ndërkohë që në vitin paraardhës totali nuk i kalonte 20 tonët. Alkimia e akuzave është kaq e kudondodhur dhe ngulmuese, saqë edhe në një operacion të suksesshëm si ai i Xibrakës (e ç’rëndësi ka nëse është gjerman apo shqiptar), ku janë prangosur një bandë e tërë trafikantësh, suksesi shndërrohet papritur në dështim. Me logjikën e mbrapshtë të kësaj alkimie politike, qeverisë do t’i leverdiste më mirë, që ta linte pa ngacmuar këtë çerdhe kokaine, pasi kështu do të ishte më e qetë nga sulmet e opozitës! Pak a shumë si puna e asaj shprehjes “ç’ujë i ke dhënë gomarit …”.

Sa për majorin e vrarë në Spanjë teksa transportonte hashash, do të mjaftonte lista e ushtarakëve perëndimorë të përfshirë në trafiqe në vitet e fundit, që një koleg rendiste me të drejtë para pak ditësh në një shkrim të tijin, për të pasur një ide sesa i përhapur është fatkeqësisht fenomeni i trafikut të narkotikëve, edhe në ato që ne i quajmë “ushtri të NATO-s”.

Politika shqiptare po refuzon, edhe sot pas 25 vjetësh, që t’i imponojë vetes një kod etik sjelljeje, që është i detyrueshëm, nga pozita e lartë në të cilën u flet përditë zgjedhësve. Kjo vlen për debatin mbi rendin, por edhe përtej tij. Ku është parë komunikim vulgar e banal, si ai që konsumohet çdo të enjte në Kuvendin e Shqipërisë?! Ku është parë që prej dekadash politikanët shqiptarë hedhin akuza monstruoze ndaj njëri-tjetrit, aludojnë gjithfarë mynxyrash, e askujt s’i hyn gjemb në këmbë?! Sa normale është, që të përfshihen shumë shpesh në këtë përbaltje, edhe institucione si policia, ushtria etj., që duhen mbajtur me çdo kusht jashtë debatit politik të ditës, duke nxitur kësisoj indirekt krimin dhe ngritjen e dorës ndaj shtetit?

Mund të ketë debate për kompetencat mes institucioneve, mund të ketë pakënaqësi, rivalitete e bërryla për reformat, ligjet që miratohen dhe punën e qeverisë. Gjithçka hyn në logjikën e funksionimit të një demokracie parlamentare. Por ka disa vija të kuqe që nuk duhen kaluar. Nëse i hedh sot një sy debatit që la pas në Francë ngjarja tragjike e “Charlie Hebdo”, nuk do të ndeshësh asnjërën nga akuzat që i vishen kaq shpesh policisë shqiptare. E pra, edhe atje u konsumua një krim i përbindshëm, edhe atje u pa qartë sesa “gafil” u kapën forcat e rendit, ndërsa tre persona të vetëm futën në kaos një vend me mbi 60 milionë banorë. Politika franceze diti të jetë dinjitoze në ditët e rënda që kaloi vendi. Kur në mes janë çështjet e mëdha të stabilitetit, rendit e sigurisë, politika e mban edhe dorën, edhe gojën. Në Francë, jo në Shqipëri. Prandaj nuk jemi ende në Europë apo jo?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama