Dosja 'Doshi', te gjithe te humbur

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 5 vite më parë

Skënder Minxhozi
Dosja 'Doshi', te gjithe te humbur

Të gjithë kërkojnë të buzëqeshin të pashqetësuar dhe të shohin përpara, teksa saga dyjavore e Tom Doshit e ka shkundur nga themelet politikën shqiptare.

Partitë e mëdha e bashkë me to, edhe LSI, janë munduar të përshtatin strategjitë e tyre, konform kthesave hileqare që merr orë pas ore historia e hetimit të akuzave të deputetit të majtë, në adresë të kreut të Kuvendit Ilir Meta. Por jo të gjithë ia kanë arritur qëllimit për të fituar diçka. Ose më saktë, për të humbur sa më pak, në këtë aferë të errët, që sado e banalizuar dhe e pavërtetë që duket me kalimin e ditëve, përfaqëson sërish një “Vaterlo” të vogël për të gjitha palët. Dhe ja pse.

Partia Socialiste e kandidoi Tom Doshin në vitin e largët 2005, në garën tradicionalisht të vështirë të Shkodrës. Prej asaj fitoreje të parë, Doshi është afishuar gradualisht si njeriu që mund të ndryshojë fatet politike për të majtën, jo vetëm në Veriperëndim, por edhe më gjerë se kaq. Me këtë status e gjeti deputetin verior edhe fushata e vitit 2013 dhe më pas, fitorja e gjerë elektorale e 23 qershorit. Në një vit e gjysmë qeverisje, krahas ftohjes graduale me Ramën, Tom Doshi ka gëzuar gjithsesi një autoritet të gjerë dhe hije të rëndë brenda së majtës qeverisëse. Fakti që ai ka pasur akses të përsëritur te ministrat socialistë, për të paraqitur ankesat e tij sa herë e ka parë të arsyeshme, tregon se ai shihej si një person me fuqi të madhe politike brenda PS. I vetmi problem i kësaj fuqie të Doshit ishte indiferenca në rritje e Ramës, gjatë muajve të fundit, e cila, me gjasë, është edhe ndër shkaqet kryesore të asaj që pasoi.

Me Tom Doshin në kampin përballë, Kryeministri duhet të llogarisë sot jo vetëm betejën e vështirësuar për Bashkinë e Shkodrës, por duhet gjithashtu të rishohë kriteret mbi të cilat ka afruar shumë prej të zgjedhurve në parti. Secili prej socialistëve mund t’i drejtojë sot Ramës pyetjen “asgjësuese” se përse duhej futur në Parlament një deputet, i cili i shkaktoi kaq kokëçarje shumicës, në prag të zgjedhjeve lokale. Dhe përgjigjja e kryeministrit mund të jetë jo fort e lehtë, në një rast të tillë.

Hartimi i listave elektorale nga krerët partiakë, larg çdo konsulte dhe thithje mendimi a opinioni nga strukturat e partisë, ka qenë një sëmundje e viteve të fundit, e cila u ka dhënë dorë kryetarëve të partive, që të fusin e nxjerrin nga listat cilindo që preferonin ose përçmonin. Në rastin e PS, ky fenomen është veçanërisht i dukshëm. Nga ana tjetër, ikja e Doshit, përtej lavdërimeve të ambasadës amerikane, riktheu në skenë me forcë problemin e inkriminimit në listën e deputetëve. Gjithsesi, duke heshtur, më shumë sesa duke u bërë pjesë e sherrit, Edi Rama ia ka dalë mesa duket, të jetë më pak i dëmtuari i kësaj historie, duke përfaqësuar njëherësh liderin politik që i rrihte dikur shpatullat Tom Doshit, por edhe kryetarin që e largoi atë nga partia, sapo iu paraqit rasti.

LSI është humbësja tjetër e kësaj ngjarjeje. Akuzat e rënda nominale të Tom Doshit, megjithëse nuk janë provuar si të vërteta, megjithëse duken sot shumë më të dobëta se ditën kur u bënë publike, kanë shërbyer si një pretekst për të rimarrë nga e para të gjitha peripecitë që Meta ka pasur me ligjin dhe momente të tilla si video-përgjimi i Priftit, apo 21 janari që e pasoi. Është rihapur, me duart e opozitës, dikur aleate e LSI, kutia e Pandorës që Meta e mbylli me vështirësi në harkun e disa viteve. Edi Rama ka qenë i heshtur këto ditë, teksa opozita dhe kreu i LSI përplasnin shpatat ashpër në Parlament dhe jashtë tij. Një “hakmarrje” e vogël e Kryeministrit ndaj aleatit të tij të majtë, për heshtjen dhe komoditetin që Ilir Meta i ka lejuar vetes, kur Rama merrte mbi vete të gjitha kostot e reformave disa herë të dhimbshme, që qeveria ka ndërmarrë këta 18 muajt e fundit.

Kjo ka bërë që Ilir Meta ta përballë thuajse i vetëm këtë betejë. Ia ka dalë të menaxhojë deri tani dallgën e sulmeve të Berishës, e kjo falë aftësisë së tij prej lundruesi të vjetër në ujërat e politikës shqiptare, i ndihmuar edhe nga zbehja graduale e akuzave të Doshit, gjatë procesit hetimor. Gjithsesi problemi i Metës duket se nuk janë akuzat e deputetit si të tilla, më shumë sesa balta e vjetër dhe e re që ato sollën me vete, e që e ka prekur imazhin publik të kreut të LSI.

Nëse Sparta qan, Athina nuk qesh, thotë proverbi. Edhe PD duket se ka humbur në këtë histori. Ka humbur, duke mos fituar atë që shpresonte. E kjo ndodhi për shkak të nxitimit dhe të turravrapit për të dëmtuar qeverinë, duke i vënë pa u menduar dy herë akuzat e Tom Doshit, në krye të axhendës së saj politike. Dhe kjo bëri që ajo ta radikalizojë strategjinë e saj, duke u bazuar mbi një kauzë të paqëndrueshme, e cila varet nga kthesat e papritura që mund të marrë hetimi.

Nga tundimi për të tërhequr maksimumin, në aspektin politik, nga kjo krizë e radhës brenda së majtës, PD nuk u kujdes në ditët e para, që të qëndronte në distancë sigurie nga vetë figura e Doshit, duke u bërë palë me akuzat e tij dhe me atë vetë. Vetëm në mitingun e fundit, Lulzim Basha sulmoi, bashkë me shumicën, edhe vetë deputetin shkodran. Por protesta modeste në numër, tregoi se ishte vonë. Populli i djathtë nuk e kishte ndier kauzën “Doshi”, sa ç’e kishin ndier atë krerët politikë të opozitës në Tiranë. Si pasojë, sot PD duhet të llogarisë drejtimin që do t’i japë qëndrimeve të saj ndaj Kuvendit (bojkot i ri në horizont?!), duke u mbështetur mbi një fabul, e cila po humbet terren në çdo orë që kalon. Kërkesa e Doshit për hetim ndërkombëtar, pasqyron qorrsokakun ku ka hyrë çështja e ngritur prej tij. E që mesa rrezikon të marrë me vete edhe fatet e sezonit politik të opozitës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama