Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

GJND, një vendim që nuk mbyll betejën

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Nazarko
GJND, një vendim që nuk mbyll betejën

Sot në orën 15:00, në Hagë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të shpallë mendimin këshillues në lidhje me kërkesën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së vënë në lëvizje nga Serbia: a është e ligjshme shpallja e pavarësisë së Kosovës? Është një sfidë e fortë të testosh aftësinë parashikuese një ditë para shpalljes së këtij vendimi, por gjithsesi këtu më poshtë vijon një parashtresë që mbështetet në interpretimin e kombinuar të reagimeve të palëve, dhe një lloj analize të vendimeve të ngjashme të Gjykatës. Po e nisim me analizën e reagimeve të faktorëve të huaj, perëndimorët në veçanti. Në përgjithësi perëndimorët kanë ruajtur etikën, respektojnë Gjykatën dhe kanë thënë se nuk e dinë se çfarë vendimi do të merret.

Në rastin më të mirë, ata analizojnë dy opsionet e mundshme dhe ndërsa flasin për opsionin optimist, parashikojnë rreth 30-40 njohje. Por siç mund të imagjinohet, perëndimorët e njohin vendimin e GJND. Për këtë arsye ata kanë zhvilluar disa vizita në Veri, po japin intervista testuese në opinion (ambasadori francez në Kosovë, Fitu, apo Montgomery), po bëjnë bisedime jopublike, ku më e fundit është ajo e zotit Thaçi me zv/presidentin amerikan Bajden, mik i shqiptarëve dhe njohës i shkëlqyer i Ballkanit. Institucionet e Kosovës, madje dhe ndonjë parti opozitare po bëjnë optimistin, duke thënë se ai do të jetë vendim në favor të "ligjshmërisë së shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës".

Një pyetje e ligjshme për to: nëse ata janë të bindur se vendimi do të jetë pro pavarësisë së Kosovës, atëherë pse janë të gatshëm që ti njohin veriut të Kosovës një status të ri, që mban parasysh veçoritë e atij territori", siç tha Kryeministri Thaçi?  Pala serbe, gjithashtu ka folur në mënyrë triumfale, se do ketë një vendim pozitiv pro saj, se pas saj do të ketë një mbledhje të ardhshme të Asamblesë së OKB-së, një rezolutë të re që duhet të përcaktojë bisedime të reja, apo se vendimi do të përcaktojë piketa të reja në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Serbët po infiltrojnë në hapësirën publike teza shkëmbimesh territoresh, etj, etj, teza për kompromis ku të fitojnë të gjithë palët, etj, etj.

Formulimi i vendimit në përgjithësi. Vendimet këshillimore të Gjykatës së Hagës kanë në përgjithësi dy pjesë, hiq atë hyrëse. Në pjesën e parë shqyrtohen të gjitha pretendimet e palëve dhe u jepet përgjigje atyre. Edhe aty kuptohet prirja e Gjykatës. Në pjesën e dytë jepen rekomandimet në paragrafë. Për secilin prej këtyre paragrafëve jepet dhe mënyra sesi është votuar brenda trupit gjykues. Në këtë pjesë, duke qenë se ishte Asambleja e OKB-së që ka kërkuar mendimin këshillimor, do të jepen me siguri rekomandime dhe për Asamblenë. (Shiko rastin më të fundit, ku Asambleja ka kërkuar mendim për ligjshmërinë e ndërtimit të murit izraelit http://www.icj-cij.org/docket/files/131/1671.pdf)

Ndaj dhe BE-ja po i propozon Serbisë një rezolutë të përbashkët pas vendimit të GJND.Pyetja serbe "A është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës?" duhet patjetër të marrë përgjigje në vendim, veçanërisht në fillim të pjesës së dytë të tij. Për këtë qëllim, Shqipëria luajti me një kartë tjetër: Ajo pretendoi se Gjykata nuk është kompetente për tu shprehur. Pyetja e Shqipërisë ka pasur si synim me shumë gjasa që të shmangej që si fjali e parë të ishte përgjigja për serbët, por në vend të saj, përgjigja për pyetjen e Shqipërisë. Vendimi për Kosovën. Me siguri në pjesën e parë (ku shqyrtohen pretendimet), do të kemi situatë të ngatërruar. Në disa do i jepet të drejtë disa pretendimeve kosovare apo të miqve të Kosovës, në disa atyre serbe.

Pretendimi i Shqipërisë se Gjykata nuk është kompetente do të marrë përgjigje që në fillim, dhe duket e vështirë që Gjykata të thotë se "nuk është kompetente". Nëse do të kishim shpallje të inkompetencës, kjo do të ishte fitorja më e madhe e shqiptarëve, por duket e vështirë. Ndaj dhe disa autoritete amerikane tani po thonë se ligji ndërkombëtar nuk parashikon shpalljet e pavarësive dhe 100 shpallje nuk kanë marrë në konsideratë ligjin ndërkombëtar.

Çështja është se si do të fillojë pjesa e dytë. Pjesa e dytë mund të fillojë me pohimin se "shpallja nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare". Por ajo do të vijojë me një sërë argumentesh, pse pavarësia duhet pranuar si realitet faktik, pse nuk ka kthim mbrapa, si duhen vendosur marrëdhëniet mes dy entiteteve (Serbisë dhe Kosovës) dhe ndoshta Gjykata do ti rekomandojë Asamblesë që të merret me atë çështje, megjithëse vendimi i saj është thjesht sugjerues. Mund të duket paradoksale, por edhe shumë shtete perëndimore pro Kosovës do të donin që të ishte kjo përgjigje, pasiqë nëse thjesht momenti i shpalljes do të konsiderohej si në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, atëherë kjo do të legjitimonte të gjitha popullsitë që kanë probleme të ngjashme të shpallnin pavarësinë... Pra, është e vështirë të imagjinohet se Gjykata do ti japë të drejtë plotësisht Kosovës. Por Gjykata do të legalizojë atë që gjendet në terren. Ajo të thotë se Kosova megjithatë është një entitet legal. Kjo do ta bënte Kosovën vërtet një rast sui generis, diçka që e mbron perëndimi vazhdimisht.

Që Gjykata do të marrë kësi lloj vendimi me mëdyshje, por që legalizon zhvillimin në terren, kjo duket nga reagimet e palëve. Nëse do të kishim një vendim 100% pro Kosovës, atëherë sdo të kishte asnjë arsye që asaj ti imponohej nga perëndimi ti bënte koncesione Serbisë, duke i dhënë Veriut njëlloj autonomie më të madhe se ajo që i jepet me Planin Ahtisaari. Reagimet. Palët në konflikt që e njohin vendimin, do të reagojnë duke e konsideruar vendimin në favor të tyre. Kjo është tipike në vendimet që kanë shkallë të lartë kontradiksioni brenda tyre- shikoni çndodh, për shembull, kur del Raport Progresi i Bashkimit Evropian, apo le ta zëmë raporti i ODIHR-it për zgjedhjet. Palët duan të luajnë në planin e brendshëm, pra të mburren. Ndërsa në planin ndërkombëtar, vendimi nuk ndikon dot sa kohë që rendin në botë e vendosin fuqitë e mëdha.

Këto fuqi janë me Kosovën (hiq Rusinë, më pak Kinën, dhe për fat SHBA sot kanë marrëdhënie shumë të mira me Rusinë tani). Këto fuqi po sugjerojnë: bisedime dhe autonomi për Veriun në këmbim të një ulëseje në OKB, jo rezolutë në OKB, jo ndarje apo shkëmbim territoresh. Gjykata e Hagës megjithatë do ti shmanget marrjes së një vendimi që do ti hapte dyert të gjitha rivendikimeve shkëputëse në katër anët e globit. Dje, për shembull, kurdët (Partia Komuniste Kurde) kishin kërcënuar se nëse nuk do të kishte armëpushim me autoritetet turke, ata do të shpallnin pavarësinë.

Strategjia e Kosovës. Kosova zyrtare me siguri është duke e shoshitur planin e vet (nëse ka një plan të tillë) me SHBA-në, dhe vizita e Thaçit në Uashington tani, në një nivel kaq të lartë, është dëshmia më kuptimplote. Kjo vizitë tregon se megjithatë situata është delikate. Duhet një nivel kaq i lartë sa Bajden që ti japë një drejtim zhvillimeve potenciale që mund të verifikohen pas vendimit të GJND. Gjithsesi, institucionet e Kosovës duhet të japin shenja bashkëpunimi me faktorët e tjerë legalë, politikë e shoqërorë, ekstremistë e pacifistë të politikës dhe shoqërisë së Kosovës, në mënyrë që të optimizojnë frytet për vete pas vendimit.

Në këtë kuptim, është plotësisht e drejtë dhe largpamëse që Kosova të institucionalizojë një Këshill koordinues, ku palët politike, "skifterët, pëllumbat", të koordinojnë veprimet për situatën menjëherë pas vendimit. Nëse do të duhen protesta, që të konsiderohen si presion ndaj qeverisë për të mos pranuar këtë apo atë propozim ndërkombëtar, atëherë ato duhen mbajtur. Kosova sdo të ishte vend normal nëse të gjitha palët do të mendonin njëlloj për propozimet ndërkombëtare. Kosova ndërkaq, e gjendur nën presion nga hetimet e EULEX-it, apo pse jo dhe nga vendimi i Hagës për rigjykimin e kreut të AAK-së, Haradinaj, duhet të marrë mendime më të pjekura në lidhje me të ardhmen e saj, pavarësisht nëse me Serbinë do të bisedohet për të ashtuquajturat çështje teknike, apo çështje më politike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama