Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mbledhja e Prizrenit si nje fillim

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Mbledhja e Prizrenit si nje fillim

Çdo koment i arsyeshëm dhe i drejtë në lidhje me mbledhjen e ardhshme të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë në Prizren, nuk mund të injorojë projekte të ngjashme në rrafsh botëror dhe ideatorët e saj në mjedisin shqiptar. Pra çdo koment duhet të niset nga fakti se kjo mbledhje nuk është një shpikje e krerëve të dy qeverive, dhe për pasojë ata mund të marrin medalje vetëm për jetësimin konkret të saj. Për më shumë, çdo krahasim mbështetet mbi premisën se ky takim nuk do të jetë takim i parë ceremonial i dy qeverive, siç po nguten kasandrat e tij, por do të jetë fillim i një marrëdhënieje të institucionalizuar. Çdo të thotë kjo? Do të thotë që qeveritë do duhet të krijojnë dhe institucione të përbashkëta që do tu përgjigjen problemeve dhe do të formulojnë strategji, politika të përbashkëta në të gjitha fushat, derisa ato të shkojnë së bashku në Unionin Europian. Nëse ky takim do të jetë pa përmbajtje thelbësore dhe pa vijimësi, atëherë çdo krahasim me ide, aktivitete politike të ngjashme në rrafsh botëror do të ishte i kotë.


Bota njeh plot shembuj të ngjashëm në marrëdhëniet midis dy a më shumë vendeve pas Luftës së Dytë Botërore. Kemi Unionin e vendeve skandinave, atë të Beneluksit, Bashkësinë e vendeve të dala nga ish-Bashkimi Sovjetik, organizata të ngjashme në Azi, dhe më në fund kemi vetë Bashkimin Europian.


Pas kësaj paranteze është mirë të kuptojmë lindjen e kësaj ideje në mjedisin shqiptar. I pari që e ka formuluar atë në formën më të qartë është Arben Xhaferi. Ai e bëri këtë në një forum të ideuar dhe organizuar nga unë me bashkëpunimin e tre universiteteve të hapësirës shqiptare vetëm pak muaj (në 2008) pasi u shpall pavarësia e Kosovës, pikërisht për tu dhënë përgjigjeve pyetjeve të mëdha mbi vetëmjaftueshmërinë ekonomike të Kosovës. Forumi tentoi ti përgjigjej pyetjes: mirë Kosova e fitoi pavarësinë, por a ka ajo kapacitete ekonomike të mbijetojë e lirë? Shumë intelektualë që morën pjesë në atë forum e gjetën përgjigjen e ngjashme me Arbenin në krijimin e kapaciteteve ekonomike, arsimore, kulturore, sportive të përbashkëta me Shqipërinë. Një studim i profesor Marenglen Verlit mbi potencialet ekonomike të kombit shqiptar para copëtimit ishte një bazë e shkëlqyer, e cila na tregonte se hapësira ku jetonin shqiptarët para 1912-s ishte hapësirë që ofronte burime natyrore, plotësisht të vetëmjaftueshme, rrugë strategjike etj. Më pas ideja u rimor nga dy universitete të tjera dhe përsëri Arben Xhaferi, Behgjet Pacolli, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Adrian Civici etj., e rilançuan idenë në formën e një Lëvizjeje e cila do ofronte softuerin për çdo lloj forme bashkëpunimi dhe do tu bënte presion të dy qeverive për të ecur në këtë drejtim. Ka një peticion të intelektualëve dhe politikanëve të shquar në internet që e provon këtë përpjekje, e cila u artikulua me forcë në fjalimin si President të Behgjet Pacollit në Parlamentin e Shqipërisë. Profesor Rexhep Qosja, në një artikull të vetin për këtë fjalim, do të thoshte:

 

"I pazënë prej ideologjisë komuniste staliniste prej së cilës kishin qenë të pushtuar titullarët e Shqipërisë shtetërore, sidomos Sali Berisha, dhe prej ideologjisë komuniste titiste prej së cilës kishin qenë të pushtuar dy titullarët e Kosovës, do të flasë për shqiptarët si një tërësi, si një komb, do të flasë për gjeografinë, historinë, gjuhën, kulturën e njësishme të kombit shqiptar. Mund të thuhet kështu, pikërisht kështu, sepse Behgjet Pacolli do të rrëfejë se çka, çfarë institucionesh të përbashkëta politike, ekonomike, bujqësore, energjetike, arsimore, kulturore e të tjera do të duhej të krijojnë Shqipëria shtetërore dhe Kosova, me qëllim që populli shqiptar të ekzistojë, të funksionojë, më në fund, si një Komb Modern". Në Shqipëri, PDIU e futi në programin e saj fillestar që në vitin 2009, krijimin e Komunuelthit kombëtar, "një lloj organizimi ekonomik që ekzalton potencialet ekonomike të bashkësive kombëtare, veçoritë e tyre të përbashkëta, si gjuhën, kulturën e traditën shumëshekullore; … institucionalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë në modelet e vendeve të Bashkimit Europian, nëpërmjet takimeve periodike të zyrtarëve më të lartë shtetërorë dhe shqyrtimit të të gjitha iniciativave ekonomike, infrastrukturore, tregtare etj. me interes kombëtar". Për fat të mirë, një ide e tillë u rimor nga Partia Socialiste në programin e saj dhe u formulua me forcë nga Edi Rama në Parlamentin e Kosovës.

Mbledhja e pritshme


Nga kjo perspektivë, mbledhja e pritshme e dy qeverive është hap i duhur, megjithëse i vonuar në historinë e re të dy vendeve. Të dyja vendet tona kanë ekonomi të vogla, që nuk kanë rritje cilësore dhe sasiore të konsiderueshme në bashkëpunimin e tyre që prej kohës së fitores së lirisë në Kosovë. Ato janë të vetmet në Europë që kanë mungesa energjetike, megjithëse janë të pasura në burime ujore dhe qymyri. Tekstet shkollore janë të ndryshme, ka një "lulëzim" universitetesh private në të dyja vendet, por nuk ka universitet të përbashkët; nuk ka media të përbashkëta, megjithëse ka të tilla mes Francës dhe Gjermanisë etj., etj. E ashtuquajtura Rruga e Kombit, që ende nuk ka përfunduar dhe ka kushtuar shumë, nuk ka sjellë efektet që priteshin në mungesë të strategjisë së bashkëpunimit. Ka pasur plot raste pengesash reciproke në prodhimin e patateve, rrushit, qumështit, çimentos etj., etj., megjithëse jemi dy vende me popullsi që vjen nga një komb.
Pse kaq vonë? Kosova prej pak kohësh doli nga pavarësia e mbikëqyrur dhe Shqipëria ka një qeveri të re prej pak më shumë se 3 muajsh. Problemet kanë ardhur nga Shqipëria politike me gjasë prej induksionit të faktorëve rajonalë, të cilët nëpërmjet interesave ekonomike kanë blerë apatinë e klasës së saj politike. Mosveprimi më i rëndësishëm ka qenë ai për linjën e interkonjeksionit, e vonuar pafundësisht nga socialistët në fillim dhe nga Berisha më vonë.


Në këtë dritë arsyetimi, ka pikëpyetje mbi vendimet që do të merren në Prizren. Iniciativa për Maternitetin e Preshevës është shumë e nevojshme, por ai sduhet të jetë i vetmi vendim konkret me të cilin do dalë kjo mbledhje historike. Si dhe shumë intelektualë dhe politikanë të tjerë, njerëz të angazhuar jo vetëm shpirtërisht në realizimin e kësaj ideje që prej 2008-s, së bashku me rilindësin modern Arben Xhaferi, siç tregohet nga shumë dëshmi dokumentare, ne kërkojmë qartësi, planifikim strategjik në një ndërmarrje si kjo.

Kombi shqiptar dhe  integrimi europian


Rreth kësaj ideje ka një paragjykim fiks: a shkon domosdoshmërisht objektivi ynë për bashkim kombëtar kundër integrimit europian? Kush tha se Bashkimi Europian ka interes të ketë dy shtete shqiptare si Shqipëria dhe Kosova, që të kenë dy vota brenda institucioneve të Unionit?


Sigurisht, çështja e kohës, e momentit të zgjedhur, është e rëndësishme. Derisa të arrijmë te vota e vetme shqiptare brenda Unionit, duhet të bëjmë çështë e mundur të rikrijojmë potencialet tona zhvillimore që për shkak të copëtimit të 1912-s u orientuan të shkëputur nga njëri-tjetri. Mbledhja e Prizrenit si fillim tubimesh të tjera duhet të orientohet kah objektivat rritës ekonomikë, kulturorë, arsimorë, dhe pse jo të strukturohet qartësisht sipas modeleve europiane të lartpërmendur. Fjala kyçe: institucionalizim i takimeve, krijim institucionesh të përbashkëta në disa nivele për arritjen e këtyre objektivave. Ka një orientim të vetë Bashkimit Europian që vendet ballkanike të integrohen në fillim brenda vetes, pra të heqin barrierat mes tyre para se të përfshihen në Union. Është krejt e qartë se kombi shqiptar, si kombi më i coptuar, do të përfitonte më shumë se sa të tjerët nga heqja e tyre. Do kuptohej shumë qartë se kombi shqiptar numerikisht është i krahasueshëm me kombet e tjera në rajon dhe ska arsye pse të jetë mbrapa tyre nga pikëpamja e zhvillimit. Shqipëria dhe Kosova duhet të ftojnë dhe shtete të tjera në këtë iniciativë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë nëse do, duke marrë iniciativën dhe duke mos u bërë pjesë projektesh për rikrijimin e Jugosllavisë, që kanë në qendër Serbinë.


Takimi i Prizrenit është vetëm fillimi, dhe jemi shumë kuriozë për qasjen e dy qeverive në këtë drejtim. Sa kohë që përgatitjet kanë qenë larg vëmendjes së publikut dhe polemikat ditore kanë përmbytur vizionet strategjike, kurioziteti është i justifikuar. Një lloj përgjigje për pikëpyetjet mbi vijimësinë në realizimin e këtyre ideve, vjen nga profesor Qosja: ato që i hesht dhuna e burokracisë së regjimeve autoritare, ato aq më me përkushtim i rikujton dhe i sendërton historia.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama