Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Leksioni i pare i te pjekurit Kosova

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 9 vite më parë

Mentor Nazarko
Leksioni i pare i te pjekurit Kosova

Palët politike kanë filluar të konsumojnë që tani aktet e para të fushatës, edhe në kundërshtim me afatet e ligjit zgjedhor, dhe që tani kanë filluar të ravijëzohen disa prirje që mund të konsolidohen gjatë betejës së qershorit. Njëra prej tyre është pikërisht karakteri paqësor i fushatës që po bën kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, doktor Halim Kosova. Kjo veçori për shumë arsye meriton të analizohet.


Nuk ka dyshim se për shumë arsye doktor Halim Kosova e ka një betejë të vështirë për Tiranën. Ai po tenton të pasojë në këtë detyrë kryetarin e opozitës, zotin Basha, pas një mandati të parë në krye të Tiranës që nuk vlerësohet i ndritshëm nga shumëkush.  Afërmendsh që Kosova s’ka mundësi të kritikojë shumë, sepse do duhet të pranonte se paraardhësi i tij ka bërë gabime. Pra dimensioni kritik i tij mbetet i kufizuar që në gjenezë, por jo se nuk do duhej të ekzistonte. Ky dimension kritik për shembull mund të ishte një sintoni e plotë me natyrën e polemikave që konsumohen midis Bashkisë dhe Qeverisë, apo Partisë Socialiste: bllokimi i projekteve bashkiake nga ana e qeverisë etj. etj. Fushata ende nuk ka filluar zyrtarisht, dhe ndoshta kjo prirje mund të ndryshojë kah, por disa elementë të bëjnë të mendosh se nuk ka për të ndryshuar: veçanërisht nëse marrim këtë relacion: Halim Kosova – Edi Rama (qeveri socialiste). Kur kandidatit Kosova i thanë se Kryeministri kishte përdorur ndaj tij një cilësor që lidhej me moshën, për pasojë e nxirrte “të lodhur”, me një truk prej burri të urtë, zoti Kosova u shpreh se “u kishte thënë njerëzve të vet që të mos i përcillnin se çfarë tha njëri, dhe çfarë tha tjetri”. Sikur të mos mjaftonte ky nënvleftësim i cilësorit përkeqësues të përdorur ndaj tij prej Kryeministrit Rama, Kosova tha se “mbante mend fjalët e mira dhe konsideratën që Rama kishte shprehur për punën e tij”. Dhe krejt në fund duke parashikuar fitoren e vet, la të kuptohej se “do të bashkëpunonte me qeverinë qendrore për të mirën e atyre që do t’i jepnin votën”.


Halim Kosova e ka të vështirë për shumë arsye të tjera në këtë garë, përveç mungesës së bilancit të paraardhësit. Partia e qeverisë i ka vënë përballë një djalë që është pak më shumë sesa gjysma e moshës së tij, duke u përpjekur me këtë element të ndikojë kryesisht te votuesi i ri. Dr. Kosova do duhet të dalë jashtë kësaj përballjeje moshore, nëpërmjet urtësisë së vet dhe karakterit paqësor. Ai vetë nuk ka bilanc ekzekutiv nëse mund të quhet e tillë periudha e shkurtër e drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe eksperienca e gjatë në drejtim të maternitetit kryesor të Tiranës. Ai ende nuk e ka qartësuar se çfarë qasje do të ndjekë gjatë fushatës, për më shumë që tani është në momentin e dëgjimit dhe njohjes me problematikën e grupeve të ndryshme shoqërore, moshore etj. Por nga kaq sa kemi parë dhe dëgjuar duhet të mendojmë se urtësia do të jetë njëra nga kartat e tij kryesore. Do të shikojmë hap pas hapi se çfarë plani do të paraqesë ai për Tiranën, si do diferencohet në këtë plan nga Basha, si i mendon konkretisht marrëdhëniet me institucionet, etj.


Për të qenë të sinqertë me këtë kartë të urtësisë, dr. Kosova ngjan shumë natyral. Me ndonjë përjashtim të vogël, në aq pak ligjërim publik sa është regjistruar në emër të tij, në fushatën si deputet, në Parlament apo dhe tani, ai kurrë nuk është shquar për agresivitet. Kurrë nuk ka lexuar dacibaot e provës së zjarrit të përgatitur me aq pasion nga dr. Berisha ku kanë kaluar çupëlinat e reja të etura për karrierë, apo dhe më të pjekurit, që e kanë konsideruar leximin si dëshmi besimi të epërm prej të Madhit. Me përjashtim të një rasti të lidhur me tenderat për blerjen e ilaçeve kur sulmoi ministrin Beqaj me fjalë shumë të rënda (dhe aty e përjashtoi Ramën): “Nuk e di nëse e di shefi yt, por ti po vjedh dhe e ke dorën të gjatë”. Ndërkohë ai zotëron gjerësisht në qarqet intelektuale, mediatike, reputacionin e një profesionisti korrekt, të papërfolur për ndonjë aferë, me marrëdhënie të mira me donatorët ndërkombëtarë etj. Ky reputacion i tij është shtrirë në kohë dhe në territor: imagjinoni sa fëmijë kanë lindur në maternitetin e Tiranës, sa familjarë janë të ndërlidhur me këto lindje. Gjithë kjo eksperiencë, kontakte njerëzore, përfaqësojnë një investim të madh publik, që kapitalizohet aq më shumë në një garë politike.


Në favor të konsolidimit të këtij profili prej burrit të urtë shërbejnë paradoksalisht dhe citatet që Rama, i përfshirë në fushatën e Tiranës ka filluar të stigmatizojë, për shembull ai për raportin midis 5 premtimeve dhe 10 realizimeve. Megjithëse ky citat mund të ngjajë si “ndokian” për brezin e ri, për brezin e mesëm apo më të vjetrit ky citat është shprehje urtësie.


Nuk ka asnjë dyshim se brenda këtij profili, apo me këtë kostum, Kosova i cili luan në këtë fushatë ardhmërinë e tij politike (ndoshta si profesionist i lindjeve ai është mërzitur nga shterpësia e debateve në Parlament) PS do të ketë shumë probleme në Tiranë. Gara nuk do të jetë aq e lehtë sa mendohej, pavarësisht rreshtimit të taborreve e cila e nxjerr që tani në avantazh të majtën dhe frontin e saj. Këtë e ndjen dhe Rama i cili në Tiranë luan gjithashtu një betejë të rëndësishme në shumë plane: të zbythë Bashën që e nxori nga ajo zyrë; të shtrijë kontrollin e tij, të ideve dhe projekteve të tij në Tiranën e re dhe të konfirmojë pavarësisht se s’do ta thotë suksesin e qeverisjes së tij në nivel qendror. Kjo është arsyeja pse Rama po përfshihet vetë në fushatën e Tiranës duke thumbuar nga pak dr. Kosovën, duke e parodizuar atë në sytë e të rinjve, duke luajtur me moshën “i freskët -i fishkur”, diçka që nuk e nxjerr Kryeministrin në një pozitë shumë elegante. Për më shumë që rivali Veliaj s’ka thënë akoma asgjë për Kosovën.


Gjithsesi kjo lloj fushate, kjo qasje e Kosovës, që në fakt po vijon atë qasje me të cilën Basha e filloi fushatën e vet në Tiranë 4 vjet më parë, shtron disa pikëpyetje: kush ia fut kot? Kosova me qasjen konstruktive të mossulmimit ndaj qeverisë, apo Basha, respektivisht PD-ja, me agresivitetin e saj? Nëse Kosova ka dhe autorizimet e partisë së vet për këtë qasje, a nuk ka njëfarë çudie në këtë skizofreni qëndrimesh? Po e shpreh më qartë ku qëndron skizofrenia: nëse Kosova, kandidati kryesor i PD-së për një të tretën e shqiptarëve, mendon që këto vota, këto zemra fitohen me urtësi, me konstruktivitet, pse PD-ja luan të kundërtën për gjithë territorin? Nëse një ideolog i PD-së, apo i fushatës së Kosovës do thoshte se kjo është fushatë dhe të gjitha justifikohen, atëherë do përgjigjesha: ju po pranoni dhe një herë se fushatat janë gënjeshtra të mëdha. Apo fushatat zgjedhore janë momente të së vërtetës dhe fushatat e shtrira në 4 vjet janë mashtrim?


Një gjë është e sigurt: Nëse Kosova do të vazhdojë kështu, me stilin e tij të paqtë, atëherë ai do ta detyrojë dhe kundërshtarin e vet të sillet kështu. Përpjekja nga Rama për ta nervozuar apo dhe e qendrave të specializuara për fushatën (ekipe zhurmuesish) nuk besoj se do ta nxjerrë nga takti. Kosova është me siguri mjeshtër i artit të mbijetesës në botën e profesionistëve të mjekësisë ku konsumohen gjithashtu luftëra të egra për pushtet. Dhe kjo qasje e urtë do të ishte një kontribut për paqësimin e politikës verbale, sado që mund të ishte i kufizuar në kohë. Do të  ishte dhe një leksion i të vjetrit Kosova për të freskëtin Basha se në fitimin e gjithë Shqipërisë s’kishte pse të ndiqte modelin agresiv retorik të paraardhësit të tij Berisha, por atë të konstruktivitetit, me të cilin do të fitonin të gjithë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama