Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse si duhet nje mandat i katert Edi Rames?

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Pse si duhet nje mandat i katert Edi Rames?

Vetëm pak ditë pasi opozita rrëzohej zhurmshëm në zgjedhjet e 28 qershorit, një komentator i njohur politik, i njohur për qasjet pozitive ndaj kryetarit Rama, bënte thirrje në një emision në Top Channel, që mediat të rrisnin me çdo kusht presionin mbi kreun e opozitës, në mënyrë që ai të jepte urgjentisht dorëheqjen nga poltroni i kryetarit të bashkisë së Tiranës. Qenia e Ramës në të dyja postet njëkohësisht, lexohej me të drejtë nga kolegu në fjalë, si njëri ndër shkaqet kryesore që prodhuan humbjen më të rëndë politike të së majtës në pesë vitet e fundit.

Natyrisht që as mediat nuk u angazhuan me ndonjë zell të dukshëm në këtë operacion të komplikuar pushteti dhe as vetë Rama nuk u shty mjaftueshëm që të reflektonte rreth nevojës për t’u fokusuar më fort dhe më intensivisht në detyrën e tij politike. Ajo që kemi parë gjatë vitit të fundit, është thjesht një zgjatim i asaj që ndodhte edhe para fushatës së fundit elektorale. Pra, një kryetar me kohë të pjesshme, si në bashki, ashtu dhe në parti.

Partia Socialiste nuk zgjodhi në tetor të vitit 2005 si kryetar të saj, një figurë publike që do të punonte në mënyrë të vazhdueshme “me kohë të pjesshme” në zyrat e partisë. Bashkia ishte në fillimin e këtij shekulli trampolina e natyrshme politike e Edi Ramës, prej nga ai afirmoi jo vetëm ambicjen për t’u afishuar si lojtar i rangut të parë, por edhe kapacitetin e tij për të sjellë një transformim që sot është i prekshëm dhe real. Ngjitja e tij në krye të godinës numër një të kryeqytetit, një precedent analog me shumë figura të njohura europiane, krijoi komfortin e një pozite njëkohësisht protagoniste, por edhe të mënjanuar nga sherret politike të gjysmës së parë të kësaj dekade.

Tashmë ky moment është tejkaluar prej kohësh. Edi Rama nuk është më vetëm kryebashkiak. Ai është para së gjithash njëra ndër dy figurat politike kryesore në vend. Ai ka hyrë pra në atë klub shumë të ngushtë personash që janë të shtrënguar të dëshmojnë një angazhim politik të nivelit më të lartë. Dhe pikërisht këtu duket se nis, gjatë pesë viteve të fundit, diferenca mes Berishës dhe Ramës. Mungesa e kreut të opozitës në parlament gjatë legjislaturës së shkuar ishte një minus jo i vogël i opozitës në ngushtë në numra dhe të trashëguar nga ish-kryetari Nano.

Sot, kur ka nisur legjislatura e dytë dhe kur binomi Berisha-Topalli dominon pa asnjë elegancë jetën parlementare, mungesa e Ramës në Kuvend është edhe më e ndjeshme. Kryetari i PS vazhdon, ashtu si katërvjeçarin e shkuar, ta drejtojë në distancë grupi parlamentar, ndërkohë që prezenca, elokuenca dhe karizma e tij janë të pamundura të transmetohen në sallën e Kuvendit përmes sms-ve dhe telefonatave me deputetët. Opozita është edhe një herë e papërfaqësuar në shkallën më të lartë në organin më përfaqësues dhe më vendimmarrës në Shqipëri. Dhe fajin për këtë e ka sërish bashkia e Tiranës.

Tani, kur shumica e djathtë ndodhet në apogjeun e oreksit të saj politik, i cili po gllabëron ngadalë drejtësinë, po çon drejt falimentit të heshtur mediat e “bezdisshme”, ka uzurpuar praktikisht funksionet bazë të parlamentit dhe po e drejton shtetin në ujra financiare aspak të kthjellta, e majta ka vetëm një zgjedhje të mundshme: të funksionojë me potencial të plotë. Që do të thotë, më së pari, të ketë një kryetar që ushtron pa asnjë firo dhe kosto anësore, mandatin politik që mban. Sali Berisha nuk luftohet thjesht dhe vetëm me frymë dhe me avantazhin që krijon me gabimet e incidentet e tij jo të pakta personale. Ky qe në fakt eksperimenti i 28 qershorit, të cilin e dimë tashmë sesi përfundoi.

Shuarja graduale e betejës së gjatë të hetimit të zgjedhjeve, e materializuar në dhënien e karrotës së vizave qeverisë, në mënyrë të pakushtëzuar nga Europa, shtron një nevojë urgjente që opozita të nisë reflektimin për sezonin politik të vjeshtës, ku qëndrojnë disa shkëmbinj të nënujshëm që rrezikojnë të ardhmen e saj afatshkurtër dhe afatmesme. Shqipëria ndodhet nën një regjim i cili përherë e më tepër po bie pre e dëshirës së kryeministrit për të mbledhur pushtet.

 Një shtysë e vjetër, një instikt i pakorrigjueshëm i Berishës për të zgjatur dorën mbi gjithçka i ze syri pranë vetes. Opozitës i duhet të vendosë nëse do t’i futet seriozisht luftës për të korrigjuar diçka në këtë peshore të shtrembëruar të punëve në vend. Kjo përmban një vendim të qartë politik mbi pjesëmarrjen në Kuvend edhe në të ardhmen, angazhimin në një reformë tërësore zgjedhore dhe arritjen e disa kompromiseve anësore lidhur me ekuilibrat institucionalë të domosdoshëm.

Për ta bërë këtë, duhet një lidership i fortë, vizionar dhe i ngulur fort mbi një projekt politik. Edi Rama mund ta bëjë këtë vetëm po t’i ketë të lira duart nga qeverisja e qytetit, për t’u marrë me qeverisjen e ardhshme të shtetit. Një lidership i ndryshëm nga ai që e vuan sadopak, si Edi Rama, dilemën e dyzimit mes godinës elegante të bashkisë dhe ndërtesës militante të partisë.

Kësisoj, mandati i katërt eventual i zotit Rama nuk pritet të jetë një zgjedhje as e lehtë dhe as e lumtur. Nga pikëpamja numerike, por edhe ajo e imazhit të kryebashkiakut që po fillon të ndjejë peshën e viteve. Edi Rama ka shënuar në tre mandate një erë të pamohueshme ndryshimi në krye të Tiranës. Kriteri i palëvizshëm i vërtetësisë së këtij suksesi është fakti që për një dekadë të plotë PD s’ka mundur të fusë në dorë bashkinë më të madhe në vend. E kjo sepse qeverisja e djathtë, e vendosur përballë asaj të majtë në kryeqytet, “fut ujë” historikisht nga të gjitha krahët. Edhe në momentin më të artë politik, atë të vitit 2005, Berisha e dinte mirë se shumica e qytetarëve të këtij qyteti nuk e shihnin atë si pjesë të zgjidhjes, por të problemit.

E megjithatë ka ardhur koha që disa gjëra të shihen në sy dhe disa vendime të merren, edhe nëse kanë shijen e hidhur të një antibiotiku. Ka kohë që poltroni i kreut të bashkisë nuk bën më rimë me atë të partisë për Edi Ramën. Ka kohë që njëra detyrë dëmton tjetrën, më shumë sesa e ndihmon. Rama dhe socialistët kanë frikën e kuptueshme, se mosparaqitja e kreut aktual për një mandat të ri, do të kushtëzonte për keq fushatën e pasardhësit. Kjo frikë luajti një rol përcaktues në kandidimin e Ramës edhe në shkurt 2007. Por nga mandati i tretë në atë të katërt ka një ndryshim jo të vogël. Zgjedhjet lokale të majit të ardhshëm (nëse do të ketë realisht të tilla), do të kërkojnë që socialistët të përsërisin një rezultat të lartë dhe impenjativ si ai i shkurtit 2007. Ky është një objektiv sa i vështirë, aq edhe kompleks, për t’u arritur në një mjedis ku skepticizmi ndaj makinerisë elektorale dhe ndaj faktit që vota vidhet, ka bërë tashmë shumë pesimistë në rradhët e opozitës së sotme.

Por pikërisht për të gjitha këto arsye, Edi Rama duhet të vendosë më së fundi që të jetë thjesht dhe vetëm kryetari i Partisë Socialiste. Sfida e 28 qershorit qe një takim me historinë që Rama e humbi. Por sfida e pranverës së ardhshme është ndoshta edhe më e rëndësishme për t’i dhënë një shpresë opozitës dhe për të treguar se “nën rrënoja vazhdon të ketë jetë”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama