Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Do you flisni shqipish?

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 14 vite më parë

Edmond Tupja
Do you flisni shqipish?

Para disa vitesh, te libri identitetet vrastare të franko-libanezit, Amin Maalouf, hasa në një të vërtetë të madhe, që e kisha parandier turbull, por nuk kisha arritur ta formuloja qartë: Ideja e këtij autori është se në epokën e pashmangshme të globalizimit, gjuha anglo-amerikane është bërë tashmë gjuha e komunikimit ndërkombëtar, po kjo s’do të thotë se njeriu i globalizuar nuk do të ketë një gjuhë amtare dhe, me siguri, të paktën një gjuhë të tretë, që ai e cilëson si “gjuhë të zemrës”.  Në këtë perspektivë, unë jam i pafuqishëm të bëj gjë tjetër veçse t’i bashkohem pa asnjë rezervë, madje me admirim intelektual, analizës bindëse të pedagoges, përkthyeses dhe publicistes së njohur Mirela Kumbaro, botuar më 29 qershor në gazetën “Panorama”, lidhur me “tezën” e habitshme të gjuhës angleze që do të na u bëka gjuha e dytë zyrtare në Shqipëri, “tezë” e hedhur kohët e fundit, gati-gati me një ndjenjë triumfalizmi arrogant, nga një personalitet zyrtar pranë Kryeministrisë.

Gjithsesi, deri dje, nuk kisha ndër mend të merresha me këtë problem sepse, në shkrimin e saj, zonja Kumbaro tashmë i kishte shtjelluar e trajtuar qartazi të gjithë argumentet në fjalë. Por ja që, për fatin e keq të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, më ra kalimthi e rastësisht në dorë një shkresë me firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, drejtuar tetë universiteteve publike të Republikës së Shqipërisë, të cilave u kërkohet t’i dërgojnë së njëjtës ministri, pra, MASH-it, deri më 15 korrik 2010, propozimet e tyre për ristrukturimin e programit të studimit të mësuesisë sipas një modeli të ri; bashkëngjitur lexova edhe një shtojcë si edhe udhëzimin përkatës me emrin (por pa firmën) e ministrit Tafaj.

Dhe këtu, pikërisht te “Shtojca”, në sythin “Ndryshimet që sjell modeli”, m’u errën sytë e më kërceu damari kur në fushën time pamore hynë dhunas rreshtat që vijojnë: “Gjuha angleze nuk mësohet, por përdoret për qëllime specifike. Tashmë në programet mësimore të universiteteve tona do të hiqet dorë nga mësimi i gjuhës angleze, të paktën në nivelet master dhe shkollat doktorale, pasi gjuha angleze do të shndërrohet në gjuhë të dytë zyrtare në vendin tonë dhe ajo do të përdoret për qëllime specifike, për komunikim, për shfrytëzim të literaturës për punë kërkimore”. Sidomos mendimi agresiv se “gjuha angleze do të shndërrohet në gjuhë të dytë zyrtare në vendin tonë” më bëri efektin e një rrufeje në qiell të kaltër. Dhe, nga zemërimi, vendosa, në kundërshtim me vendimin tim fillestar, të marr penën e të shpreh edhe unë publikisht mendimin tim lidhur me këtë problem.

Së pari, ç’do të thotë në shqipe të mirëfilltë “gjuhë zyrtare”? Kam ndjesinë se zotërinjtë e MASH-it nuk e kanë fort të qartë kuptimin e këtij togfjalëshi, prandaj, meqenëse në zyrat e tyre ata me siguri nuk kanë ndonjë fjalor të gjuhës së tyre amtare, që na qenka edhe e imja, unë hapa tre fjalorë të kësaj gjuhe pikërisht te fjala “zyrtar”, ku çdo shqiptar që di shkrim e këndim mund të lexojë: Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, botim i vitit 1980, “zyrtar... 3. Që përdoret në punët e zyrës, që përdoret në të gjitha veprimet shtetërore. Gjuha zyrtare. Stil zyrtar”; në “Fjalorin e shqipes së sotme”, botim i vitit 2002, “zyrtar... 1... Që përdoret në të gjitha veprimet shtetërore. Akt zyrtar... Orar zyrtar... Gjuha zyrtare.” dhe në “Fjalorin e gjuhës shqipe”, botim i vitit 2006, “zyrtar... 1... që përdoret në të gjitha veprimet shtetërore: gjuha zyrtare.” Siç shihet dhe kuptohet, një gjuhë quhet zyrtare kur përdoret së pari dhe para së gjithash brenda vendit ku funksionon shteti, pra, në rastin tonë, në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për pasojë të pashmangshme logjike, sipas shkresës në fjalë të MASH-it, i bie që në tërë veprimtarinë e tij brenda kufijve të Shqipërisë, shteti ynë të përdorë njëlloj si gjuhën shqipe, ashtu edhe atë anglo-amerikane.

Nga ky koncept i gabuar që kanë disa zyrtarë të lartë të MASH-it për togfjalëshin “gjuhë zyrtare”, të vjen të gajasesh së qeshuri kur përfytyron, qoftë edhe për një çast të vetëm, se çdo ligj, akt, vendim Kuvendi, qeverie, bashkie e gjykate, çdo shkresë zyrtare, çdo udhëzim, çdo fletëvotimi, çdo fletëgjobe, çdo urdhër, rekomandim etj. etj. duhet të përpilohet, vuloset e lexohet në dy gjuhë! Ndonëse ateist i vjetër, më vjen të ulërij: “O Zot, nënës sime mbi tetëdhjetë e tetëvjeçare do t’i duhet tani, me gjithë sëmundjet dhe pleqërinë e saj të thellë, të mësojë gjuhën anglo-amerikane! Forca, mama, jepi, kurajo, se do të bëhesh me dy gjuhë zyrtare! Si lum ti, se me diplomën e TOEFL-it në xhep, kurrë s’ka për të të marrë lumi, as ai i vdekjes!”. “To speak or not to speak English in Albania today, that is the question”, do të thoshte Shekspiri.

Nga ana tjetër, siç thuhet në paragrafin e nxjerrë nga “Shtojca” e dokumentit të përmendur në krye të këtij shkrimi, në sythin “Ndryshimet që sjell modeli”, gjuha angleze “do të përdoret për komunikim”, pra, shqiptarët do të komunikojnë jo vetëm me të huajt, por edhe me bashkëkombësit e tyre në gjuhën anglo-amerikane. Kështu, thjesht për ilustrim, lexuesi është i lutur t’i imagjinojë pensionistët në radhë për të marrë pensionin duke folur English US jo vetëm me arkëtaret, por edhe midis tyre; shpresoj për ata më të moshuarit që gjuha anglo-amerikane do t’u shërbejë edhe pas vdekjes, sepse, me siguri, edhe vetë Perëndia, engjëjt, shenjtorët e të lumnuemit, të gjithë flasin e shkruajnë (ose po mësojnë ta bëjnë një gjë të tillë) English US si gjuhë zyrtare e dytë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Parajsë.

Në të njëjtin paragraf, thuhet shprehimisht se gjuha angleze “do të përdoret për shfrytëzim të literaturës për punë kërkimore”, pra, literatura shkencore në gjuhët e tjera nuk do të shfrytëzohet menjëherë, sado e dobishme qoftë, në pritje që të përkthehet në anglishte. E bukur logjikë shkencore, kjo, që nuk ka nevojë për më shumë komente!

Por, në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin intensitet, të vjen të sokëllish nga zemërimi, kur e krahason këtë tezë të freskët ministrore me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ku shkruhet e zezë mbi të bardhë se tek ne “gjuha zyrtare është shqipja”. Na del se kjo shkresë shkel ligjin themeltar të Republikës së Shqipërisë ose se duhet amenduar Kushtetuta në fjalë thjesht sepse disa zyrtarë të lartë të MASH-it nuk ia dinë mirë kuptimin togfjalëshit “gjuhë zyrtare”.

Meqë gjithçka mund të ndodhë në vendin tonë (“Liza në Shqipërinë e çudirave”, do ta kishte quajtur Lewis Carroll-i librin e tij të vitit 1865 po ta kishte shkruar këto kohët e fundit), përse, në fund të fundit, të mos bëhemi shteti i pesëdhjetë e njëjtë apo i pesëdhjetë e dytë i SH.B.A-së? Përse të mos bëhet edhe Shqipëria, në mos shtet përbërës i SH.B.A-së, të paktën, si Puerto Rikoja, që është shtet i lirë, por i asociuar me SH.B.A-në, vend malor, si i yni, me një të tretën e sipërfaqes që e zënë fushat dhe me gati po aq banorë sa i yni, me gjuhë zyrtare spanjishten, por ku 400 000 banorë flasin rrjedhshëm edhe gjuhën anglo-amerikane, dhe me njësi monetare dollarin?

Së fundi, thjesht me pak fjalë (sepse kolegia ime Kumbaro, me penën e saj të mprehtë, e ka shteruar këtë temë në të tëra rrafshet), dëshiroj të theksoj seriozisht se një veprim i tillë nga ana e shtetit tonë, do të bjerë keqas në kundërshtim me orientimin shumëgjuhësor të Bashkimit Europian ku ne, shqiptarët, aspirojmë çmendurisht të përfshihemi sa më shpejt, sa më mirë, sa më bukur e, sidomos, sa më lirë!

Fare së fundi, falënderoj kolegen Kumbaro që më ka përmendur në analizën e saj duke më dhënë falas, ndër të tjera, edhe idenë e titullit të këtij shkrimi modest, të shkruar në shqipe të mirëfilltë, ndonëse, me sa duken bathët (me “a” dhe jo me “y”), së shpejti unë gjithashtu do të detyrohem të shkruaj edhe në shqipe (gjuhë e parë zyrtare), edhe në English US (gjuhë e dytë zyrtare), d.m.th. në shqipish, gjuhë e vërtetë zylyfqare!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama