Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Minifundi i një maksigreve

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 14 vite më parë

Edmond Tupja
Minifundi i një maksigreve

Para tri ditësh, pa pritur e pa kujtuar, seç na përfundoi greva e urisë karnavaleske e socialistëve të Edi Ramës, d.m.th. të atyre që kishin hyrë në të me sugjerimin, vendimin dhe urdhrin e Kryetarit. Për gati tri javë rresht bulevardi "Dëshmorët e Kombit" u bllokua  nga kapsllëku i kësaj greve të paparë e të padëgjuar ndonjëherë për mënyrën sesi u stis, u sajua, u zhvillua dhe... përfundoi: na u mbars mali socialist dhe polli një... mi, një mijush më saktë! Oh, mrekullia e shkencës "politike" rameske na la kështu pa gojë! Ku vajti vendosmëria e grevistëve për ta çuar grevën deri në fund? Ku qëndron fitorja e saj? "Ja vdekje, ja liri" qe parulla, deviza, motoja, kryefjala agresivisht e çmendur dhe çmendurisht agresive e Kryetarit! Kjo grevë, për fatin e mirë të pjesëmarrësve në të, nuk përfundoi me vdekje, pra, i bie që të ketë përfunduar me liri! Po ku qenka kjo liri? Liri për kë? Me çkushte? Për sa kohë? Deri në grevën tjetër të radhës të të njëjtit lloj e në të njëjtat rrethana, d.m.th. sa herë që Partia Socialiste të humbë zgjedhjet, parlamentare apo vendore qofshin ato?

Nga ana tjetër, u fol e stërfol që grevistët kanë ngrënë fshehurazi. Por fakte dhe prova bindëse nuk ka deri më sot. Në këtë pikë, miku dhe kolegu im i ri Françesk Armadhi është i mendimit se kur nuk vënë vërtet asgjë prej gjëje në gojë, njerëzit përpiqen ta kompensojnë mungesën e ushqimit duke fjetur; gjatë gjumit, pretendon ai, me siguri që grevistët ramoidë kanë ëndërruar sikur hanin e pinin; dhe ka të drejtë sepse, të paktën sipas Zigmund Frojdit, ëndrra luan një rol të dyfishtë: bën të mundur realizimin e një dëshire, qoftë edhe të nënvetëdijshme, si edhe mbron vazhdimësinë e gjumit; me një fjalë, një rrugë e dy punë, megjithëse, në gjumë, mund të bëhen vetvetiu edhe punë të tjera, madje shtendosëse...

Mirëpo, një tjetër miku im, me të cilin jam komshi prej shumë vitesh - e kam fjalën për Aqif Qifën - , mendon se kjo lloj greve, përveç të tjerave, mund të jetë ngjitëse. Kështu, ditën kur Partia Demokratike do ti ketë humbur zgjedhjet, parlamentare apo vendore qofshin ato, ka rrezik që deputetë e militantë të saj të hidhen, edhe ata, pikërisht nën shembullin e homologëve të tyre socialistë, në grevë urie, duke përdorur të njëjtën strategji, të njëjtat taktika e të njëjtën logjistikë. Dhe, me që ra fjala për logjistikë, ai do ti këshillonte grevistët e nesërm demokratë që, ndryshe nga grevistët e djeshëm socialistë, kur ti japin fund grevës së tyre, nevojtoret portative të mos i heqin menjëherë, por ti lënë që ti shijojnë edhe jogrevistët, pavarësisht shijeve të tyre politike. Por këtë këshillë u hodh dhe e kritikoi flakë për flakë një miku im emigrant në Itali - e kam fjalën për Vangjel Lezetin - i cili është i mendimit se, me gjithë lezetin që të sjell përdorimi i nevojtoreve portative gjatë një greve urie, heqja ose lënia e tyre në skenën e grevës edhe pas mbarimit të saj, varet nga cilësia aromatike e nënprodukteve bio të barqeve pjesëmarrëse në grevën e urisë; sipas tij, Partia Socialiste në këtë grevë qe me fat: shirat që ranë bënë që shëtitorja "Dëshmorët e Kombit" të mos qelbej erë barqesh bosh ose të ushqyer në mënyra klandestine.

Sidoqoftë, show i grevës së porsapërfunduar ishte pothuajse great, fantastic, wonderful! Them "pothuajse" sepse, mjerisht, kjo maksigrevë pati një minifund. Një minifund që i la asaj zbuluar shalë, vithe dhe ndonjë gjë tjetër, duke u ofruar kështu kur(var)eshtarëve një show aq befasues, provokues e eksitues sa shumëkujt do ti ketë ardhur të pickonte veten për tu bindur që nuk ishte në ëndërr. Por nuk po e tjerr më gjatë këtë lloj humori erotik duke qenë i bindur se miqtë e mi humoristë Saitori dhe Dokmiri, këta dy intelektualë të shquar të emisionit Fuks Fare, do të dinë ta zhvillojnë e ta pasurojnë atë në mënyrën më të denjë e më të përsosur në shkallë botërore dhe, pse jo, ndërplanetare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama