Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një arbitër për arbitrat

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Një arbitër për arbitrat

Ambasadori i OSBE, Robert Bosh, ndodhet prej ditësh në mesin e një incidenti politiko-diplomatik, pas një deklarimi publik, ku informonte se palët kanë në dorë një projekt për zgjidhjen e krizës, i cili kishte përkrahjen e aktorëve kryesorë ndërkombëtarë, të SHBA dhe BE. Vetëm pak orë më vonë, ndërkohë që PS shprehej se një draft i tillë ekzistonte dhe se e përkrahte atë, ambasadori do të përgënjeshtrohej po publikisht nga Kryeministri, i cili nuk mungonte as ta konsideronte atë tërthorazi si një zëdhënës të interesave politike të opozitës. Sikur të mos mjaftonte kjo, kreu i delegacionit të BE-së, pak orë më vonë, praktikisht i dha të drejtë qeverisë, duke hedhur poshtë kolegun e tij. Ndërkohë, dje nga Prezenca e OSBE, filtroi një lajm telegrafik, në të cilin thuhej se organizata konfirmonte atë që kishte thënë ambasadori i saj në Tiranë. Pra, që ka një projekt dhe që palët janë në dijeni të tij.

Kjo amulli diplomatike, është pasqyra më besnike e kaosit që ka mbjellë prej muajsh kriza elektorale shqiptare në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Kurrë më parë, para zgjedhjeve të 28 qershorit, Europa politike nuk ishte ndarë në dy kampe, njëri në favor të qeverisë, tjetri në mbështetje të opozitës. Kurrë s’e kemi parë Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës të lobojë sipas ngjyrimit politik, si në këtë rast, pro ose kundër kauzës së transparencës së zgjedhjeve shqiptare. 

Kjo klimë e polarizuar, ku kumbon në rreshtin e parë patosi i Doris Pakut (kjo zonjë dikur godiste me të njëjtat akuza Sali Berishën), ka vënë jo pak në vështirësi edhe organizmat e tjera më teknike, duke nisur nga Komisioni Europian që po shqyrton çështjen e statusit të kandidatit dhe atë të heqjes së vizave. Që Europa e Bashkuar nuk ka një politikë të jashtme të unifikuar, nuk të duhet të shkosh deri në Bagdad apo në Kabul. Mjafton të shohësh sesi sillen në Tiranë, ku natyrisht nuk luhen të njëjtat interesa dhe ku skena është mjaft modeste. Me ironi rrëqethëse këtë e ka konstatuar dikur edhe sekretari i shtetit amerikan, Kisinger, i cili thoshte se dëshironte t’i telefononte dikujt në Europë, por s’dinte se kujt.

Ky është precedenti i parë, mesa mbahet mend në vitet e fundit, që arbitrat tanë ndërkombëtarë kanë nevojë për një arbitër. Por përtej kësaj batute, qëndrimi ndërkombëtar për sherrin e zgjedhjeve ka qenë gjithaq problematik. Ka pasur më shumë se një të çarë strategjia e ndërkombëtarëve pas zgjedhjeve të 28 qershorit, për të qetësuar një krizë, e cila qysh atëherë dukej e komplikuar dhe me pasoja për stabilitetin e brendshëm të vendit. Nuk përbën ndonjë marrëzi apo fantazi të sëmurë fakti se kriza e sotme, e egër dhe brutale, siç po e shohim të konsumohet në sytë tanë, e ka njërën prej origjinave te dokumenti kryesor i referencës që është prodhuar pas zgjedhjeve nga ekipi i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it.

Ambiguiteti i raportit final të OSBE-ODIHR, kapërcimet logjike, qëndrimet me dy faqe, frazat e tipit ‘një e treta u numërua keq dhe shumë keq, por s’ka prova për manipulim’, vërejtjet e mjegullta dhe gjithçka tjetër që mund të konsiderohet si e keqinterpretueshme, në një ambient ku rëndom keqinterpretimi është karta më e përdorur – të gjithë këta përbërës që krijuan përzierjen eksplozive që mund të plasë sot, i gjejmë në raportin e kësaj organizate, e cila prej një dekade e gjysmë i vë notën zgjedhjeve shqiptare. E pra, formula e kësaj radhe “më të mira, por sërish jo të mira”, e përdorur rregullisht edhe në të shkuarën për të cilësuar zgjedhjet tona, duket se kësaj radhe, në kushtet e një rezultati virtualisht të barabartë mes pozitës dhe opozitës, nuk mund veçse të prodhonte krizën që kemi mes nesh.

Kjo grevë duhet të marrë fund. Jo përmes “çnderimit” të njërës apo tjetrës palë, por përmes gjetjes së një marrëveshjeje. Kundërvënia mur me mur është strategjia më e keqe dhe më traumatike për vendin, qeverinë, opozitën dhe mbi të gjitha për grevistët që vuajnë një kolaps, i cili jashtë grevës përbën një aferë politike, kurse aty brenda, siç e po e shohim, ka formën e një lufte për mbijetesë.

Si Berisha, ashtu edhe Rama, mesa duket do ta çojnë përpara këtë absurd në mes të bulevardit, për sa kohë që të ndiejnë se aty do të luhet me të ardhmen e tyre dhe të forcave që përfaqësojnë. Kësisoj duhet gjetur një pikëtakimi, një moment kompromisi dhe një formulë që t’i lërë njëfarësoj të kënaqura të gjitha palët. Opozita ka çeduar jo pak nga pozicioni fillestar në këto tetë muaj krize. Ajo ka pranuar zyrtarisht zgjedhjet, është kthyer në Parlament, ka lëshuar kutitë e votave në dorën e Komisionit të Venecias, siç i është kërkuar të bëjë nga Këshilli i Europës dhe po pretendon të hetojë kutitë e materialeve të votimit.

Një kërkesë e cila në fakt s’përbën asnjë problem, nga momenti që sipas Kodit Zgjedhor në fuqi, materialet zgjedhore depozitohen në Arkivin e Shtetit dhe mund të konsultohen nga gjithkush. Në këto kushte, ajo që ka radhën të bëjë një hap para, është mazhoranca, e cila prej korrikut të vitit të shkuar vijon të përsërisë refrenin e gjykatave.

Nëse duhet një kompromis, si parakusht duhet lëvizur nga frëngjia. Por nëse ndërkombëtarët nuk vendosin më në fund që të dalin nga fjalëformimet e mjegullta, për t’i vënë gishtin një formule të qartë dhe të detyrueshme për të gjitha palët, situata nuk do të vijë veçse duke u përkeqësuar. Të huajt janë sot alibia kryesore e sherrit, si për Berishën ashtu edhe për Ramën. Dhe kjo është thjesht jonormale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama