Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përsiatje për një grevë urie

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 14 vite më parë

Edmond Tupja
Përsiatje për një grevë urie

Pa më të voglin dyshim, greva e urisë është një mjet, ndoshta më i kushtueshmi, për një parti , sindikatë, shoqatë apo qoftë edhe grup individësh apo madje individ të vetëm, që rregullat e një shoqërie demokratike e pranojnë si të ligjshëm kur bëhet fjalë për të protestuar kundër një padrejtësie me përmasa skandaloze para së cilës vetë shoqëria, shteti, populli, ligji janë të pafuqishëm ta hedhin poshtë. Pa më të voglin dyshim, përvoja ndërkombëtare, por edhe ajo kombëtare e këtyre njëzet vjetëve të fundit, tregojnë se një greve urie, që t’ia arrijë qëllimit të saj, duhet menduar e organizuar më së miri, pra, ajo nuk mund të improvizohet apo të sajohet brenda natës apo ditës.

Pa më të voglin dyshim, një grevë urie, si çdo grevë tjetër, madje më shumë se çdo grevë tjetër, parashikohet të zgjasë, prandaj zgjidhen pjesëmarrës të bindur për domosdoshmërinë e saj, të fortë jo vetëm moralisht, por edhe fizikisht, të aftë t’i bëjnë ballë urisë dhe, sidomos, pasojave të saj psikosomatike.

Pa më të voglin dyshim, një grevë urie duhet të përfshijë në gjirin e saj udhëheqës të partisë, sindikatës, shoqatës, të grupit të individëve që kanë vendosur ta bëjnë atë duke e shpënë deri në fund: në fitore ose në vetëmohim; prania e tyre midis militantëve u jep zemër grevistëve, ua ngre lart moralin.

Po qe se, në dritën e këtyre konsideratave teorike, fryt gjithsesi i një praktike të gjatë në shkallë planetare, i kthehemi grevës së urisë që po bën këto ditë Partia Socialiste e Shqipërisë, detyrimisht do të vërejmë që kjo grevë bie deri diku ndesh me parimet e lartpërmendura.

Së pari, vetë zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar, vetë qëndrimet e partive, e mediave, si edhe vlerësimi i organizmave ndërkombëtare, dëshmojnë se rezultati i zgjedhjeve në fjalë nuk përbën një padrejtësi të përmasave të tilla, që të lypin detyrimisht futjen në grevë urie të deputetëve dhe mbështetësve të Partisë Socialiste me nismën ose, më saktë, me këmbënguljen e ethshme, gati histerike, të Kryetarit Rama.

Së dyti, greva duket se është organizuar nxitimthi, se futja në të u është imponuar pjesëmarrësve ose ka qenë fryt i një manipulimi mendor të konceptuar më së mirë në fshehtësi dhe të zbatuar po me aq mjeshtëri nga Kryetari Rama.

Së treti, fakti që pas disa ditësh në grevë urie, pati e ka raste komplikimesh shëndetësore te disa grevistë tashmë diabetikë ose me probleme në veshka para fillimit të grevës, tregon se grevistët nuk janë zgjedhur për t’i rezistuar gjatë urisë, madje të krijohet përshtypja se ata janë zgjedhur për t’u skartuar sa më shpejt, sigurisht me qëllim që gjendja e tyre e rënduar (apo ndoshta edhe vdekja e tyre e mundshme, e parashikuar apo edhe e dëshiruar?) t’i faturohet qeverisë.

Së katërti, nuk shohim në gjirin e grevistëve asnjë figurë karizmatike të Partisë Socialiste, asnjë teoricien apo prakticien të revolucionit pa dhunë, prania e të cilit do t’ua ngrinte lart moralin grevistëve të drobitur nga uria e tmerrshme dhe pasojat e saj torturuese. Me të drejtë publicisti Edmond Arizaj e pyeste, në shkrimin e tij të para një jave, Kryetarin Rama përse nuk ishte futur vetë ai në grevë. Edhe për mendimin tim, atje, mes grevistëve e kishte dhe e ka vendin Kryetari Rama, madje ende nuk është vonë të bashkohet me deputetët dhe mbështetësit e Partisë Socialiste.

Në këtë drejtim, shembulli i Ilir Metës është akoma i freskët, pa folur për atë të Pjetër Arbnorit. Sigurisht, mund të ketë plot arsye subjektive (për të mos thënë subjektiviste) dhe pragmatike (për të mos thënë pragmatiste) për të përligjur mospjesëmarrjen e Kryetarit Rama në grevë, por ekziston edhe një arsye objektive: Kryetari Rama vuan herë pas here nga astma dhe mund të rrezikojë shumë në një kohë që Partia Socialiste nuk mund të konceptohet pa praninë e tij, pa karizmin e tij, pa cinizmin e tij proverbial, pa autoritarizmin e tij të dhunshëm; prandaj, ç’është e vërteta, ndonëse aksh diabetikut socialist nuk iu ndaloka të futet në grevë urie, astmatikut kryesocialist nuk iu lejoka ta bëjë një gjë të tillë! Kësaj i thonë “ca të nënës dhe ca të njerkës (për të mos thënë të lopës); kësaj i thonë gjithashtu: “Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë!”. I lumtë Kryetarit Rama, se më nxori mallin e diktatorit Hoxha!

Së fundi, le të më lejohet, sidoqoftë, t’i njoh një meritë Kryetarit Rama: duke zgjedhur, vendosur e vulosur futjen e deputetëve të Partisë së vet në grevë urie, ai është treguar deri diku i mëshirshëm, sepse mund t’i kishte kushtëzuar mendërisht grevistët në mënyrë të tillë që ata të futeshin, madje hareshëm, në grevë etjeje ose, më keq akoma, në grevë frymëmarrjeje! Çka do të kishte qenë e barasvlershme me një vetëvrasje të mirëfilltë kolektive.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama