Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kjo PD e majtë, kjo PS e djathtë

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Kjo PD e majtë, kjo PS e djathtë

Deri më 28 qershor të vitit të shkuar, Sali Berisha dhe Ilir Meta ishin kundërshtarë të betuar. Të paktën zyrtarisht (është i detyrueshëm ky përcaktim, pas asaj që pamë pas zgjedhjeve). Meta e zhvilloi fushatën e tij me angazhimin e përsëritur deri në mërzi, se do të nxirrte nga zyra Berishën dhe do të ndante pushtetin me të majtën. Të gjithë e dimë si përfundoi e gjitha. Sot këta dy burra ndajnë qeverinë, duke qenë njëkohësisht të domosdoshëm për njëri-tjetrin nga pikëpamja numerike. Pa Ilir Metën e majtë, nuk ka qeveri të djathtë.

Në të njëjtën periudhë kohore, Edi Rama dhe Spartak Ngjela apo Nard Ndoka, nuk ishin aleatë. Madje Ngjela ishte kundërshtari i drejtpërdrejtë i Ramës në zgjedhjet lokale të vitit 2003, që u pasuan nga protesta të shumta të stafit të tij dhe të opozitës së kohës, për parregullsi. Sot, fronti opozitar që do të derdhet rrugëve më 30 prill, ashtu siç u derdh më 20 nëntor, i sheh këta tre persona në të njëjtën llogore. Kundër Sali Berishës, dikur koleg dhe aleat i dy prej tyre.

Këta dy shembuj sipërfaqësorë, nuk na tregojnë vetëm natyrën e paqëndrueshme të klasës sonë politike, apo kapacitetin e saj për të ndryshuar pozicionimet, idetë, fjalët dhe për të harruar premtimet, kërcënimet, përbetimet dhe hakërrimet teatrale. Në dritën e asaj që po ngjet sot në vendin tonë, këto dhe shembuj të tjerë akoma (siç është pamja e Gëzim Kalasë që zbret shkallët e Partisë Socialiste), tregojnë se po ndodh një shkëmbim vendesh mes së majtës dhe së djathtës, i cili vetëm pak kohë më parë do të konsiderohej thjesht fantazi.

Katër ditë më parë, Kryeministri Berisha takoi në Vjenë Fatos Nanon. Në kthim, kur u ndodh para kamerave në Shqipëri, Berisha e shpjegoi me hollësi takimin me ish-armikun e tij historik, duke i dhënë peshën dhe përmasat e një takimi zyrtar të nivelit të lartë. Që Berisha të mbajë qeverinë me Metën, apo që të sulmojë PS-në me Nanon, nuk përbën vetëm një akt rrëshqitjeje programore e morale, apo diversioni ndaj kundërshtarit. Këto lëvizje përbëjnë gjithashtu një provë materiale të pakundërshtueshme se interesat janë motori i vetëm që ve në lëvizje këtë parodi plot sulme e akuza, në emër të kauzave të mëdha si kombi dhe ideologjia. Në të majtë gjithashtu po shfaqen disa lëvizje që mund t’i konsiderosh me plot gojën si të papritura.

PS është afruar me një numër forcash të djathta, të cilat kanë si problem qendror peshën mbytëse që ushtron Berisha në atë pjesë të spektrit politik. Bashkimi i sindikatave të pavarura në këtë front, apo edhe qasja e re që PS po aplikon ndaj shtresave tradicionalisht të djathta, si të përndjekurit politikë apo ish-pronarët, shënojnë një spostim të fortë të boshtit ideologjik të partisë, më së shumti nën frymëzimin dhe vullnetin e vetë Edi Ramës.

Ka një tezë të përkrahur gjerësisht në 20 vitet e fundit në Shqipëri, sipas së cilës vendi ynë nuk ka nevojë për reforma të majta apo të djathta, por thjesht për reforma. Ose ndryshe, për reforma standarde. Rrëzimi i sistemit komunist dhe ngritja thuajse nga hiçi e shtetit të së drejtës, impononte dhe ndoshta vazhdon ende të imponojë aplikimin, pavarësisht nga pala që qeveris dhe nga pala që bën opozitën, të disa formulave ligjore, ekonomike e sociale, që përbëjnë bazamentin e një shoqërie demokratike. Ky interpretim përbën çadrën më të mirë të maskimit të aleancave fluide që janë shfaqur deri më sot në jetën tonë politike dhe që përbëjnë aktualisht një dukuri mjaft të përhapur në të dyja anët e spektrit, në pushtetin qendror por edhe atë lokal.

Nevoja e arritjes së numrave magjikë që të sigurojnë mbajtjen e pushtetit ose që rrezikojnë pushtetin e kundërshtarit, është i vetmi element i qëndrueshëm në një kuadër ku vlerat janë vetëm të përkohshme dhe relative. Për pasojë, është e vështirë të besohet tashmë çfarëdo beteje që luhet para kamerave, me çfarëdo akuzash apo sharjesh publike. Sepse armiqtë e sotëm mund të jenë armiqtë e nesërm dhe anasjelltas. Miqësitë shkojnë e vijnë, interesat mbeten. Kjo është ndoshta aksioma më e palëvizshme e politikës shqiptare në vitet e tranzicionit postkomunist.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama