Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kërcënim ndaj grekëve?!... Jo, ndaj Berishës!

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Kërcënim ndaj grekëve?!... Jo, ndaj Berishës!

Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi, krerët e LSI dhe të PDU, lajmëruan pas një takimi dypalësh, se do të koordinojnë veprimet e tyre në parlament, në përkrahje të procesit të integrimit të Shqipërisë, si dhe të çështjes çame. Në fakt ka qenë vetëm zoti Idrizi që e ka nënvizuar këtë aspekt të dytë të marrëveshjes, duke evokuar, sipas tij, angazhimin e hershëm të LSI në favor të dosjes çame.

I vërtetë ose jo, fiktiv apo irreal, ky shtrat negociatash ka çuar në një aleancë të re brenda Kuvendit të Shqipërisë, ku siglat alternative ndaj PD e PS janë rralluar shumë pas 28 qershorit.

Kjo lëvizje e çuditshme për nga objekti dhe e vonuar për nga qëllimi (ai i çështjes çame), shënon një zhvillim për t’u vëzhguar me kujdes brenda rradhëve të maxhorancës. Dhe si e tillë mund të konsiderohet edhe PDU, e cila merr pjesë në parlament, madje edhe në momentet më delikate për programin e saj, siç qe marrëveshja për varrezat greke, ku prezenca e dy deputetëve të saj siguroi krijimin e kuorumit parlamentar. Për të mos folur për faktin që asnjëra nga partitë në fjalë, nuk ka mundur ta influencojë asnjë gram linjën qeveritare, që ka flirtuar në më shumë se një rast me palën greke gjatë vitit të fundit.

Për t’iu kthyer marrëveshjes në fjalë, mund të thuhet se ajo, më shumë sesa një nismë integruese apo një kërcënim ndaj shtetit fqinj, duket hapur si një tentativë për të kërcënuar, ose të paktën për të sugjestionuar kryeministrin Berisha. Duke bashkuar potencialisht votat në parlament (në total gjashtë të tilla), LSI dhe PDU e nxjerrin në minorancë qeverinë aktuale, në rastin e një përplasjeje a krize politike. E ndërsa për momentin kjo mbetet një mundësi teorike, duket se as Meta dhe as Idrizi nuk kanë lënë pa e dhënë këtë mesazh të tërthortë, duke sigluar një marrëveshje që s’do të ketë ndonjë efekt të lexueshëm, por që shërben fare mirë si një sinjal, sado i kriptuar dhe i kujdesshëm politik, për shumicën demokrate.

Kjo lëvizje, tipike për Ilir Metën, nuk pritet të prodhojë ndonjë konfigurim të ri brenda shumicës së djathtë. Por në një stinë ku lufta e hapur me opozitën, mund të konvertohet dikur në një stinë bashkëpunimi, edhe nën presionin e ndërkombëtarëve, partitë satelite parlamentare të PD duket se po kërkojnë mënyra dhe mjete faktorizimi në një mjedis politik që i ngjan një toke të djegur për forcat politike më të vogla. Është e vështirë të thuhet se cili do të jetë rezultati i marrëveshjes LSI-PDU, por dy gjëra duken të sigurta: çeshtja çame nuk është më solide pas kësaj marrëveshjeje dhe së dyti, ky gjest kërkon më shumë të rrisë protagonizmin e dy partive brenda shumicës, sesa ta minojë realisht atë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama