Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gjykata foli: Keni prekur kufijtë!

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Gjykata foli: Keni prekur kufijtë!

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me atë që quhet rëndom marrëveshja e ujërave me Greqinë, u bë publik tërësisht në një moment kyç. Një media serioze si Top Channel njoftoi se mbrapa ngutit dhe insistimit grek për të marrë atë sipërfaqe që ju dha, sipas marrëveshjes tashmë të rrëzuar, kishte interesa ekonomike që lidhen me një zonë nafte dhe gazmbajtëse. Përveç kësaj, zbardhja e vendimit, domethënë paraqitja e tërësishme e argumenteve se pse kjo marrëveshje ishte antikushtetuese, vjen pas disa deklarimeve keqardhëse të autoriteteve tona dhe atyre greke për rrëzimin e marrëveshjes, ashtu si dhe shprehjes kokëfortë të vullneteve politike të dy palëve për t’ia “terezitur prapë”, një marrëveshjeje të re. Sipas disa informacioneve që mbeten për t’u konfirmuar zyrtarisht, këto negociata mund dhe të kenë filluar.

Pas këtij vlerësimi, lidhur me rëndësinë në kohë të publikimit të plotë të vendimit, le të parashtrojmë disa argumente të tjerë për rëndësinë historike, kombëtare, të këtij vendimi, nisur nga përmbajtja e tij. Së pari, në lidhje me llojin e vendimit që implikon marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit, kemi një lloj precedenti në jurisprudencën apo pse jo dhe doktrinën kombëtare. Praktikisht në marrjen e tij, autorët, këshilluesit, ekspertët e Gjykatës janë mbështetur në doktrinën apo jurisprudencën ndërkombëtare më shumë se në ndonjë rast tjetër të punës së tyre. Pra vendimi në fjalë ka shërbyer më së miri për integrimin e parimeve apo praktikës të së drejtës ndërkombëtare në të drejtën e brendshme, për pasurimin apo maturimin profesional të kësaj Gjykate, të anëtarëve të saj (në një fushë me të cilën s’merreshin fare më parë) duke shënuar një etapë të shënuar në historinë e saj. Parimet e të drejtës së detit, konceptet e saj nuk janë familjare për të gjithë, ndaj dhe vendimi në fjalë ka shumë shpjegime bazike, që do të vlejnë për rritjen e kuptueshmërisë së tekstit nga shumë individë.

Gjykata ndërkohë ka riafirmuar veten dhe në praktikë, si institucion që mund të monitorojë marrëveshjet ndërkombëtare vetëm nisur nga parimet kushtetuese. Së dyti, jo vetëm procedurialisht, vendimi në fjalë thekson rëndësinë ekskluzive të marrjes së plotfuqisë, një autorizim juridik i kreut të shtetit për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare në emër të shtetit shqiptar. Duke qenë se deri më tani ishte instaluar një praktikë e mosmarrjes së kësaj plotfuqie- tekst, ku autorizohen personat dhe objekti i marrëveshjes-, pra ishte Qeveria që vendoste, ky vendim merr rëndësi akoma më të madhe. Ai restauron të drejtën kushtetuese të kreut të shtetit për të mbikëqyrur, vendosur, përfaqësuar, apo autorizuar çdo veprim, çdo marrëveshje në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit. Pra nëse deri më tani kjo e drejtë e plotfuqisë presidenciale ishte “asgjësuar” në shumë raste, diçka që në rastin e marrëveshjes së ujërave përdorej si justifikim, tanimë duhet të ndodhë e kundërta. E drejta pra, shkoi tek i zoti.

Përmbajtja e marrëveshjes-ja mëkatet!

Së treti, në lidhje me përmbajtjen. Sipas Gjykatës Kushtetuese, marrëveshja në fjalë ka të meta jo thjesht proceduriale, por përmbajtësore që lidhen me mënyrën sesi është formuar vullneti i palës shqiptare. Gjykata me një fjalë ka hyrë dhe në meritë të marrëveshjes, diçka që ka rëndësi të jashtëzakonshme politike. Ajo dënon ekipin e djeshëm negociator, por edhe përcakton mënyrën sesi do të procedohet në rinegociimin e saj. Asnjë grup negociator nuk ka kompetencë të shkelë këto parime, këto përfundime të arritura në vendimin më historik të Gjykatës Kushtetuese të vendit. Ja disa prej tyre.

Gjykata Kushtetuese, që në fillim e detyron çdo ekip negociator që të ketë parasysh se me palën greke është negociuar në pjesën më të madhe të sipërfaqes ujore, jo “shelf kontinental”, por territor të mirëfilltë, pra kufij shtetërorë që janë të ndryshëm nga kufijtë detarë. Kjo dënon politikisht nënshkruesit e marrëveshjes, tutorët politikë të tyre dhe e bën më sensitive punën e ekipeve të rinj, më të domosdoshëm monitorimin politik, transparencën e punës, etj, etj. Në fund të fundit, Gjykata i jep iniciatorit të ndritshëm të këtij procesi- Profesor Myslim Pashës të drejtë, thuajse në gjithë pretendimet e veta, veçanërisht në atë më kryesorin, se “këto kufij kanë ekzistuar prej Protokollit të Firences”. Paragrafi 82.3, më i rëndësishmi i këtij vendimi është, “nuk lejohet të prekni kufijtë e përcaktuar ndërkombëtarisht prej 1925!”-urdhër absolut.  Gjykata i jep të drejtë Profesor Pashait, sa i takon nevojës së heqjes së vijave bazë dhe pasjes apriori të një legjislacioni të brendshëm për ujërat territorialë. Edhe ky përfundim përfaqëson një urdhërim për institucionet shqiptare, Parlamentin, etj. Në lidhje me këtë, pozita, fituesja politike e këtij procesi, duhet të imponojë prej nesër një axhendë legjislative që rrjedh prej vendimit të Gjykatës.

Po ashtu, Gjykata i jep të drejtë Pashait në pikëpamje të parimit themelor, për t’u ndjekur në ndarjen e kufijve detarë (në fakt mbron sovranitetin e vendit), atij të barazisë, dhe jo atij të barazlargësisë. Ky është gjithashtu një urdhërim për grupin e ardhshëm negociator. Gjykata urdhëron të ndiqet një metodologji rigorozisht e përcaktuar dhe kjo duhet t’ia lehtësojë atij punën, por dhe shoqërisë civile, opozitës që të mbikëqyrë procesin dhe të mos lejojë shkarje të përsëritura.(paragrafi 95).

Po ashtu, Gjykata fikson një tjetër udhërrëfyes jo dhe aq të parëndësishëm në punën e ekipit të ardhëm negociator, ai mbi rëndësinë e ishujve të vegjël apo të shkëmbinjve në përcaktimin e kufijve detarë. Edhe këtu, ai i jep të drejtë pretendimeve të profesor Pashajt mbi barazimin nëpërmjet kësaj marrëveshje të të drejtave të ishujve grekë Othonoi, Erikusa, me ato të hapësirës sonë kontinentale. Për më shumë, Gjykata na njofton me precedentin greko-italian ku këta “ishuj” kanë pasur të drejta të pjesshme, ndërsa ne shqiptarët jemi treguar shumë bujarë duke i dhënë të drejta të plota. Në përfundim, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ishte shpëtimtar për integritetin territorial të vendit. Ai dënoi me turp në histori ekipin e mëparshëm, por dhe udhëheqësit politikë të tij që sakrifikuan pjesë të integritetit territorial të vendit në favor të politikave të tyre ditore, apo interesave të tyre pragmatikë për pushtet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama