Vali & Tini

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Vali & Tini

Ajo quhet Vali, kurse ai Altin. Shkurtimisht, i thërrasin Vali e Tini. Në anglishte Vali & Tini. Që të dy kanë lindur në shkurt, ditën e “Shën Valentinit”. Janë moshatarë dhe dashurohen.  Dhe datën 14 të çdo muaji e kanë shans. Ëndrra e tyre është që të jetojnë përherë bashkë e që çdo ditë për ta të jetë Shën Valentin. Dhe të jenë të pasur që të kenë mundësi t’i bëjnë njëri-tjetrit dhurata nga më fantastiket.  Ndërkohë, duke pritur që të bëhen të pasur, vetëm ëndërrojnë. Ëndërrojnë duke ecur rrugëve të kryeqytetit dhe duke vështruar dyqane ku nuk hyjnë dot. Jo se nuk munden, por nuk kanë para. Madje as për “Shën Valentin”. Zakonisht, ai mjaftohet me një tufë lule. Nga më të lirat. Ajo me një buzëqeshje. Nga më të shtrenjtat. Pak vite kanë familjet e tyre që kanë ardhur e janë vendosur në kryeqytet. Për secilin, babi e mami janë pa punë të përhershme, gjyshet lypin, gjyshërit vijnë rrotull nëpër shtëpi, motrat e vëllezërit, më të vegjël se ata, rrëmojnë në kazanët e plehrave. Ata vetë bëjnë ndonjë punë të herëpashershme. Dhe lekët e fituara i dorëzojnë të gjitha në familje. Studimet e mesme nuk i kanë mbaruar. Rrjedhimisht, as nuk u shkon mendja te diploma universitare. Ndonjëherë, blenë ndonjë biletë lotarie. Për një çast, e shohin veten me shtëpi, punë, makinë. Sigurisht që kjo ëndërr nuk po u realizohet. Megjithatë ëndërrojnë. Ëndërrojnë edhe kur nuk blenë biletë lotarie. Mirë bëjnë: të ëndërrosh nuk të kushton asnjë. Madje koha, e mërzitshme në qoftë se je i papunë, kalon pa u vënë re kur, të paktën, ëndërron. Vali e Tini ëndërrojnë jetën e tyre në pamundësi për t’i jetuar ëndrrat që thurin.

Këtë vit, “Shën Valentini” i gjen më të dashuruar se kurrë ndonjëherë tjetër. Më të varfër gjithashtu. Megjithatë, nuk kanë zili për të dashuruarit e tjerë që duken të lumtur rrugëve e shesheve të Tiranës, që hyjnë e dalin nëpër dyqane lulesh, nëpër argjendari, markete, qendra tregtare, bare e restorante. Ecin bashkë dhe shihen në sy. Janë, gjithsesi aq të pasur sa t’i dhurojnë njëri-tjetrit shikime të ëmbla, të përmalluara, të dhembshura. Dhe e falënderojnë shoku-shokut me shtrëngime duarsh. Edhe këto shtrëngime janë dhurata. Dhurata të ngrohta, të bukura. Pastaj u vjen radha buzëqeshjeve. Si rreze lumturie. Që u sjellin më shumë dritë në shpirt. Tani nuk ëndërrojnë më për shtëpi, punë e makinë të tyren. Jo, sot ata ëndërrojnë që të jenë përherë bashkë, ja kështu, edhe të varfër, të përditshëm, të përgjithshëm, madje anonimë si ajri, shiu, era. Anonimë si vetë jeta që bëjnë. Por jo të rëndomtë, aq më pak vulgarë. Sepse duhen. Pa e ditur përse, kur dhe si ka lindur dashuria e tyre. Thjesht duhen. Dashurohen. Pa fjalë të mëdha, të fryra. Pa betime pompoze. Me shpirt. Me trup. Me gjithë të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e tyre të përbashkët.

U bënë disa orë që po ecin rrugëve të kryeqytetit. Befas, ndiejnë uri. Dhe etje njëkohësisht. Ndalojnë diku dhe blejnë një qese të madhe me kokoshka. Dhe një shishe me ujë te një pikë shumice. Dhe përtypin kokrrat e kripura. Dhe pinë ujin e ftohtë. Ulur në një stol. Te Parku Rinia. Ku rinia e tyre klith në heshtje dramën e saj paqësore, por dramë gjithsesi. Dramë me një akt. Me rastin e “Shën Valentinit”, shenjtorit të të dashuruarve.

Nga pikëpamja hierarkike, mbi shenjtorët vijnë engjëjt. Cili të jetë vallë engjëlli mbrojtës i Valit dhe i Tinit? Pak rëndësi ka: dihet se engjëjt janë të padukshëm. Nga e njëjta pikëpamja, pra, hierarkike, mbi engjëjt qëndron Perëndia. Edhe ajo e padukshme, kjo dihet, madje, nganjëherë, ndoshta përherë e më shpesh, ajo shkëlqen me mungesën e vet edhe për të dashuruarit. Siç shkëlqen sot që Vali e Tini kanë dalë të kremtojnë varfërisht festën e tyre, festën e dashurisë  së tyre të pasur e të pastër. Që është njëkohësisht ditëlindja e tyre e përbashkët. Ta kremtojnë me kokoshka e ujë. Pa bujë, pa dhurata, pa drekë në restorant. Vetëm duke ecur rrugëve të zhurmshme të kryeqytetit. Të kryeqytetit indiferent deri në shushatje. Por ndoshta shushatje është në modë. Ndoshta...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama