Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kryetari, vjehrra dhe mullixhiu

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 15 vite më parë

Edmond Tupja
Kryetari, vjehrra dhe mullixhiu

Na ishte një herë një kryetar partie që kishte humbur zgjedhjet parlamiellore për faj – sipas tij të paktën – të së vjehrrës, dhe që vendosi të flerë me mullixhiun.Pikërisht, pas këtij vendimin verbazi të prerë dhe prerazi të verbër që mori, me gjithë njëfarë kundërshtimi të disa prej bashkëpartiakëve të vet me njëfarë peshe, u riaktualizua, siç pretendon jo pa të drejtë kolegu e miku im i ri Françesk Armadhi, proverbi i lashtë shqiptar “Për inat të sime vjehrre do të fle me mullixhiun”. Me këtë rast, është e vërtetë dhe, natyrisht, e pritshme që gjithsecili të shtrojë pyetjet: Cila është vjehrra? Po mullixhiu?

Para se të përpiqem t’u gjej këtyre pyetjeve një përgjigje të besueshme dhe, për pasojë, logjikisht të pranueshme, më duhet të saktësoj që, pavarësisht se nuk kam pasur ndonjëherë asnjë simpati politike për partinë e kryetarit në fjalë dhe se pushova së pasuri miqësi me këtë të fundit qysh kur, në kundërshtim me namin e tij si antikonformist, ai u integrua në struktura qeverisjeje e më pas, partiake, unë vetë luftoj të jem i paanshëm në analizat e mia modeste qofshin ato, në dukje, nga më fantazistet.

Cila na qenka, pra, vjehrra e kryetarit në fjalë? Që t’i japim një përgjigje të saktë kësaj pyetjeje, na duhet paraprakisht të përcaktojmë se cila është nusja e tij. Duke ia njohur atij gjendjen civile si qytetar i divorcuar prej dekadash dhe etjen e pashuar për pushtet nëpërmjet politikës, një mendje jo fort e gabuar na thotë se nusja e tij duhet të jetë... duhet të jetë... pikërisht vetë politika! Në qoftë kështu, atëherë vjehrra e tij i bie të jetë ajo që lind, krijon, gjeneron politikën, d.m.th. klasa politike e vendit, e cila, me lëvizjet e saj para, gjatë e pas zgjedhjeve të 28 qershorit, rrahu më shumë djathtas sesa majtas. Dhe këtu nis e mbaron fatkeqësia e kryetarit në fjalë: nusja e tij, pra, politika, nuk ka nam të mirë në Shqipëri, madje për të, prej shekujsh thuhet  që është e përdalë, imorale, shkurt muhabeti, kurvë (me nder jush). Për rrjedhojë logjike dhe të pashmangshme, i bie që po të martohesh me një kurvë (me nder jush), rrezikon që ajo të të vërë brirë e ti të dekorohesh me nofkën brinar! E dhimbshme është, tmerrësisht e dhimbshme, madje e dhimbshme pa shkronjat “mb”! Mirëpo kryetari ynë nuk e ka inatin me nusen, politikën, atë kurvën (me nder jush) siç e quan populli ynë, por me klasën politike të vendit, pra me të vjehrrën: këtu qëndron absurditeti i sjelljes së tij për së paku të çuditshme (pa hyrë në analiza psikanalitike  me kompleks Edipi etj. etj.).
Tani le të orvatemi të zbulojmë se kush është mullixhiu. Për këtë, le të na lejohet të arsyetojmë si vijon: Për vetë përkufizimin e tij, një mullixhi rri në mulli ku u bluan drithin fshatarëve, por ndoshta edhe ndonjë gjë tjetër fshatareve; ai ka goxha punë dhe nuk i del koha, për shembull, të vijë për ndonjë vizitë turistike në Tiranë dhe të vizitojë, gjithmonë për shembull, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, pra, atij as nuk i shkon ndër mend të vijë, qoftë thjesht për kureshtje, në këtë institucion të nderuar; thënë ndryshe, kjo mosardhje është njëfarë bojkoti që ai i bën parlamentit. Në këtë pikë, edhe kryetari në fjalë gjendet, dashur pa dashur, në të njëjtën gjatësi vale me mullixhiun tonë po aq të nderuar, në mos më shumë. Duke qenë se të dy e bojkotojnë parlamentin, ndonëse jo për të njëjtat motive, kuptohet lehtë që mund të kuvendojnë jashtë tij, në bashki, seli partie apo mulli, pak rëndësi ka, mjafton të rrinë bashkë krah për krah ose në krah të njëri-tjetrit, ose, pse jo, edhe në krahët e njëri-tjetrit, ç’të keqe ka tekefundit (Po, po, ç’të keqe ka tekja e fundit? – E rakisë, vetëkuptohet!)? Në këtë mënyrë, të dy palët kënaqen: kryetari në fjalë për inat të së vjehrrës, pra, të klasës politike, kurse mullixhiu për qejf të vet, ho, ho, ho!

Gjithsesi, dardha e ka bishtin prapa (jo ajo e mullixhiut që, me siguri, duhet ta ketë përpara). E kam fjalën për dardhën e Historisë: po qe se nesër historia e bojkotit përsëritet, por me kahje të kundërt, d.m.th. po qe se nesër e djathta shqiptare kalon në opozitë dhe vendos padrejtësisht të bojkotojë Kuvendin, atëherë proverbi i lashtë “Për inat të sime vjehrre do të fle me mullixhiun” nuk do të mungojë të shpalosë vlerën e tij aktuale edhe për atë, të djathtën shqiptare, sidomos nëse organizmat e rëndësishëm evropianë nuk do t’ia këshillojnë një veprim të tillë, siç është rasti sot për kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, vjehrrën e tij të urryer dhe mullixhiun e dashur me të gjithë politikanët shqiptarë pa dallim partiak.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama