Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Këshilla një të pavendosuri

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Këshilla një të pavendosuri

Fushata zgjedhore merr  përsipër shumëçka: të kompaktësojë elektoratin tradicional, d.m.th atë ushtri individësh që ka votuar gjithnjë për ngjyrat e partisë apo koalicionit tënd. Të mos ketë asnjë firo prej këtij elektorati, askujt prej tij të mos i shkojë ndër mend të shkojë e të votojë për një forcë tjetër. T’ia heqë pra zgjedhësit besnik gjithë mëdyshjet, pakënaqësitë e vogla dhe ta vejë në rresht pro ngjyrave të veta. Por jo vetëm kaq: një pjesë e mirë e mesazheve të fushatës shkojnë për ata të pavendosurit. Ata që në të gjithë rastet që kanë votuar, kanë ndërruar forcë politike, apo që mendojnë se pikërisht zgjedhjet janë rasti më i mirë për të ndërruar forcën politike që meriton besimin e tyre. Dhe akoma më shumë: të thithë përfundimisht në krahun e vet votuesit e herës së parë dhe që gjithashtu mund të futen tek të pavendosurit.

Po cili është identikiti i të pavendosurve?

Është vështirë të arrish përfundime shteruese, për më shumë që apriori mund të thuash se nuk ka një emërues të përbashkët as klasor, as moshor, apo as dhe të ndonjë natyre tjetër që e fut një votues në mendime dhe e lëkund preferencën e tij midis partive të ndryshme. Sondazhet që u shumëfishuan këtë sezon politik nuk kanë synuar të gjejnë përgjigje përfundimtare për të bërë identikitin kompleks të të pavendosurve. Por disa përfundime mund të arrihen. Diku nisur nga rezultate të vërtetuara empirikisht. Diku me teorinë e përjashtimit. Pa asnjë pretendim shkencor: madje nëse prej tyre fillon debat, aq më mirë akoma. Kështu për shembull, një pjesë e mirë e të pavendosurve gjendet në fshat. Nisur nga rezultatet zyrtare mund të vërtetohet saktësisht se në vitin 1991, fshati ia dha votën së majtës. Në vitin 1992 ia dha votën së djathtës. Në vitin 1997, ia dha së majtës dhe me shumë gjasa dhe në vitin 2001, dhe në vitin 2005. Në vitin 2007 u pranua gjerësisht se e djathta fitoi shumicën e komunave, pra fitoi zemrën e pjesës fshatare. Ndërsa në qytete, veçanërisht në ato që nuk kanë njohur ndryshime të mëdha demografike ngjyrat e partive janë përgjithësisht të qëndrueshme. Elektorati fshatar duket se është më pragmatiku: nuk kupton ose nuk do të kuptojë diferencat e partive që lidhen me tema të tjera, por kupton vetëm ato premtime që lidhen drejtpërdrejt me të. Bash për këtë arsye, edhe partitë e mëdha i kanë kushtuar rëndësi fshatit në premtimet apo në thesin me produkte elektorale si kredi të momentit të fundit, rritje pensionesh, rrugë, ujësjellës etj.

Por tek elektorati i pavendosur mund të jenë me shumë gjasë dhe të rinjtë nga 18 deri në 35 vjeç. Po rritet një brez i ri që nuk ndihet i lidhur politikisht me preferencat e prindërve, që kërkon të thyejë zinxhirët e varësisë politike që e lidhin me babain, gjyshin etj., etj. Të rinjtë s‘kanë memorie politike, d.m.th eksperienca politike të rëndësishme që kanë shenjuar preferencat e tij, si punësim apo heqje nga puna, apo nuk kanë përjetuar thellësisht ngjarje që mund të provokojnë tek ta rreshtim politik përfundimtar. Ata nisen nga mesazhet e momenteve të fushatës, nga ngjyrat e saj, nga fakti sesa trendi i duken krerët e partive. Ata janë të prirur të sheshojnë mendërisht diferencat ideore apo programore të partive, dhe kështu zgjedhjet e tyre janë më të çliruara nga arsye të njohura dhe të vlefshme për të tjerët. Edhe ky grup moshor përbën një grup të rëndësishëm numerikisht tek të pavendosurit. Tek të pavendosurit mund të bëjnë pjesë dhe një grup njerëzish me pavarësi të spikatur mendimi. Që arsyetojnë më shumë se të gjithë të pavendosurit e tjerë apo të vendosurit. Që kanë aftësi të bëjnë bilance reale të qeverisjes apo premtimeve të njërës apo tjetrës palë. Dhe të vendosin në momentin e fundit. Por kjo pjesë duket e vogël numerikisht dhe partitë as që merren me ta. Megjithatë këta njerëz kur shndërrohen në udhëheqës të opinionit publik, d.m.th kur gjejnë kanale të afirmimit të ideve, të mendimeve të tyre, ata orientojnë me vendimet e tyre shumë prej të pavendosurve të tjerë.

Këshilla për të pavendosurit.

Modestisht do të doja t’i drejtoja ndonjë këshillë këtij grupimi të papërcaktuar zgjedhësish. Vetëm atyre ama, pa patur frikë se po bëj ndonjë diversion politik ndaj partive të mëdha.

Nëse je i djathtë, d.m.th prindërit janë të djathtë, apo ke votuar djathtas dhe nuk dëshiron të votosh majtas, mendo pak më gjatë para se të votosh. Afirmimi në pushtet i PD-së do të thotë zgjerim i hartës politike të ndikimit të saj, shtënie në dorë të institucioneve të tjera jopolitike. D.m.th arrogancë e shtuar që vjen prej një mandati të dytë, shtim i papërgjegjshmërisë për shkak të arritjes së paparashikueshmes - mandatit të dytë, lodhje, konsumim në rritje! Sa më shumë gjëra të kesh në dorë, më shumë gabime do të bësh. Në një rast të tillë, mund të votosh për partitë e tjera të së djathtës. Mund të votosh për Partinë e zotit Ngjela, që e ka paguar integritetin e tij, pavarësinë e tij në gjykim dhe në veprim dhe me burg. Apo e ka lartësuar këtë integritet duke refuzuar poste të një krahu apo të një tjetri në mbrojtje të ideve dhe jo të interesave të veta. Individualiteti i tij, kapacitetet e tij intelektuale janë një aset i demokracisë së tranzicionit, prej të cilës nuk mund të privohemi, për shkak të arrogancës së një sistemi zgjedhor që do të reduktojë ngjyrat e ylberit pluralist.

Mund të votosh edhe për Polin e Lirisë, ku ka, me gjithë vërejtje për individë të caktuar, plot burra dhe gra të arsyeshëm që i kanë dhënë të djathtës shumë nga dituritë e tyre. Janë njerëzit e shoqatës së ish-pronarëve apo të persekutuarve, që meritojnë respekt gjithashtu. Nëse je i majtë prej origjinës, apo s’do të votosh për asnjë arsye djathtas; nëse PS-ja nuk ta mbush mendjen me listën që ka, apo nëse ke frikë prej arrogancës eventuale të një partie të vetme të bllokut të majtë, mund të votosh G99. Por nëse s’ta mbush syrin asnjëra prej partive të Aleancës për Ndryshim, ka një zgjidhje. Mund të votosh për LSI-në. Me gjithë spekulimet, LSI, Meta nuk mund të bashkohet kurrë me PD-në pas zgjedhjeve. Do të gëzonte një mandat bashkëqeverisjeje, por kurrë s’do të marrë më vota majtas. Duke shkuar në tretje përfundimtare, pa realizuar ambicien e Ilir Metës: të drejtojë dhe njëherë qeverinë apo PS-në e bashkuar. LSI gjithnjë ka thënë se aleatët tanë janë PS dhe se do të marrë pjesë vetëm në një qeveri të majtë. Ka dhe më shumë arsye: LSI ka punuar shumë për një program serioz; pranë saj me gjithë hijen e rëndë të Metës ka burra dhe gra të zotë, të ditur dhe patriotë.

Votat për partitë e ashtuquajtura të vogla nuk janë vota të shkuara kot. Janë vota për pasurimin e demokracisë. Që përkundër propagandës së liderëve të mëdhenj, shtojnë shanset për stabilitetin e qeverisjes. E majta dhe e djathta janë përgjithësisht në ekuilibër të plotë votash siç e kanë treguar gjithë ballafaqimet zgjedhore të 18 vjetëve të fundit, apo siç e tregojnë dhe sondazhet e fundit me gjithë marzhet e gabimit. Qeverira me 71 deputetë janë të destinuara të dështojnë. Partitë e vogla do të shtonin shanset për qeverisje të qëndrueshme. Partitë e vogla mund të kushtëzojnë apo korrigjojnë zgjidhje të gabuara politike të të mëdhenjve. Mund të imponojnë dhe emrin e kryeministrit. Partitë e vogla mund të bëhen të mëdha: kështu ka ndodhur kudo në lindje, ku punët kanë shkuar shumë më mirë se ne, sepse partitë tradicionale janë zhdukur dhe në skenë janë shfaqur parti dhe individë të rinj politikë. Ne që ecim me parti tradicionale jemi më mbrapa.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama