Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sa e djathtë është PD?

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Sa e djathtë është PD?

Në kohën kur blloku në të djathtë Partisë Socialiste është i populluar me subjekte të ndryshëm përveç PD,dhe PD pretendon se ajo është bartësja e vetme e vlerave të djathta, duket e logjikshme të pyesësh: sa e djathtë është PD-ja? Sigurisht duke mbajtur parasysh vetëpërcaktimin e saj si parti e qendrës së djathtë. Po mundohemi t’i japim një përgjigje kësaj pyetjeje, nëpërmjet një analize jo aq shumë të thelluar, më saktë embrionit të një analize të vërtetë. Do të përqendrohemi në atë sesa e djathtë është PD-ja në kuptimin ideologjik, në kuptimin e origjinës së drejtuesve të vet, në qasjen ndaj historisë së vendit, d.m.th momenteve kyçe të përplasjeve të blloqeve të mëdha politike në historinë e vendit.

Kujdes, kjo analizë e shpejtë publicistike nuk merr përsipër të shohë seriozisht luhatjet teorike të Berishës midis Hajekut dhe Kejnesit, fryt i leximeve ndoshta të tanishme të tij kur i duhet të merret me ekonominë si vendimmarrës. Po kur thuhet në kuptimin ideologjik, ajo synon të shqyrtojë veprimtarinë e kësaj partie dhe premtimet e sotme të saj në dritën e disa dogmave universalisht të pranuara në konstelacionin e ideologjive të djathta. “FMN-ja kërcënon krijimin e trazirave sociale atje ku është - me këto fjalë kreu i PD, karakterizon institucionin më të rëndësishëm të konsideruar prej ekonomistit të famshëm Stiglic si “strehën e fondamentalistëve të tregut të lirë”. Zoti Berisha nuk e bën këtë kriticizëm prej një pozicioni më të djathtë se FMN-ja, por me dëshirën për të ofruar një alibi gjigandomane (një shqiptar që godet FMN-në nga pozita universaliste!) për prishjen e marrëdhënieve të tij me të.

Ai e bën për të justifikuar kështu heqjen e saj nga këmbët, ndërsa adopton politika rreptësishtë klienteliste rrënuese të buxhetit, në prag fushatash apo brenda saj. Ai e bën me shumë gjasa dhe për të justifikuar përplasjet apo prishjet e tij më të hershme me FMN (p.sh. të vitit 1997). Ai vetë, shtypi pranë tij, duket se privilegjon kritikët ndaj FMN-së në nivel ndërkombëtar, dhe Berishës duket se i pëlqen të japë dhe kontribut teorik, madje në këtë rrafsh: sa e dobishme është FMN-ja? Berisha nuk është pra i djathtë, ndërsa kundër rekomandimeve të FMN-së rrit pensionet. Apo kur mburret ndërsa thotë se “ka kaluar dy vende të Bashkimit Europian për nga niveli i tyre dhe se do të kalojë dhe 4 të tjerë”. Rrogat dhe pensionet janë funksion i zhvillimit ekonomik të vendit. Nëse ato i rrit dhe zhvillimi nuk ka ecur me këto ritme, atëherë kjo rritje është virtuale: a ka kaluar Shqipëria për nga zhvillimi ekonomik këto dy vende të BE-së? Jo, siç tregohet nga GDP-ja apo të ardhurat për frymë (me gjithë rezervat për shifrat) dhe FMN-ja nuk legjitimon rezultate të rreme.

Berisha nuk është i djathtë as kur mburr investimet publike dhe nuk afishon ndonjë bilanc efektiv në krijimin e një mjedisi konkurencial biznesi. Ok, investimet publike janë ndihmë për biznesin privat, janë infrastrukturë materiale, por ku është infrastruktura ligjore? Apo ajo që krijohet prej sjelljes së shtetit? Rritja ekonomike e vendit e siguruar kryesisht prej aftësive ndërmarrëse të shqiptarëve, mund të ishte shumë më e madhe nëse qeveritë nga ‘92, do të synonin pikërisht arritje në këtë drejtim - mjedis konkurencial dhe liri ndërmarrjeje. Pra, Berisha dhe PD-ja nuk janë të djathta në momentin kur në gjithë zhvillimin ekonomik, në jetën e biznesit kanë vendosur rrjetën e referencave: rroga me referencë, dogana me referencë, arbitraritet administrativ etj., etj. Rrjetë që godet fleksibilitetin e tregut të punës apo konkurrencën e lirë.

Nuk ka djathtizëm as në politikën e privatizimeve: është e vërtetë se futja e operatorit të tretë në telekomunikacion po jep efekte në liberalizimin e tregut, por ama ai u kundërshtua fillimisht nga PD-ja, për të mos sjellë asnjë ndryshim në çmimin e shitjes. Nuk pati sukses as në shitjen e ARMO-s apo në atë të OSSH-së, ku shitjet janë karakterizuar nga shkelja e rregullave të tenderit (ato janë ndryshuar më pas duke privilegjuar kompaninë fituese që duket se ka patur informacione të rezervuara). Dhe mbi të gjitha veçanërisht në rastin e ARMO-s, janë krijuar probleme me konkurrencën e lirë në tregun e hidrokarbureve dhe ajo mund te ishte shitur me shtrenjte me VKM që pasuan shitjen. Pa folur për dështimin në tregun e sigurimeve kur operatori me pronësi publike INSIG u shit, dhe u kthye mbrapsht. Dhe dështimi më i madh padyshim janë sigurimet shëndetësore. Frika se reforma në këtë sektor mund të sillte humbje votash, apo do të godiste baronët e mjekësisë, e kanë lënë në vend numëro sektorin me efekte të rënda në cilësinë e kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët.

A ka politika të djathta të suksesshme të kësaj qeverie? Po, taksa e sheshtë. Përfituesja kryesore e kësaj politike ka qenë biznesi i madh, kryesisht ai i huaji, i cili po derdh më pak në buxhetin e shtetit, (janë rrogëultit ata që derdhin më shumë) megjithëse paratë e përfituara po shkojnë jashtë dhe jo në zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo taksë mund të ketë ndikuar si njeri prej faktorëve më joshës në tërheqjen e investimeve të huaja në disa sektorë si në energjetikë, nëse këto investime do të jenë efektive në të ardhmen, etj. Mund të konsiderohet sukses- për t’u verifikuar ama kur të bëhen efektive, politika e liberalizimit të prodhimit të energjisë. Mund të ketë në të ardhmen, përparime në dhënien e licencave apo regjistrimin e bizneseve, por vonesa 18-vjeçare në instalimin e Gjykatës Administrative në të tre nivelet tregon ekzistencën e një mentaliteti të fortë statalist në trajtimin e biznesit në konfliktet me administratën shtetërore.

Në këndvështrimin klasor. PD-ja nuk ka masivisht në gjirin e vet në nivele të larta përfaqësues të të ashtuquajturave klasa të përmbysura – ish-pronarë, ish të persekutuar etj., me përjashtime në individë të caktuar. Me ikjen e Ngjelës dhe shkëputjen e shoqatës së ish-pronarëve dhe afrimin e një pjese të ish të përndjekurve tek LZHK, PD mori një goditje në imazhin e saj si parti e djathtë.

E ashtuquajtura reformë e legalizimeve nuk restauroi as moralisht, as materialisht ish-pronarët, dhe në përgjithësi PD-ja për arsye elektorale (privilegjimi i një numri më të madh votuesish sesa një numri më të vogël) ka synuar të ligjërojë cenimet masive të pronës së vjetër dhe të re. As reforma e tokës nuk ka patur natyrë të djathtë, por përkundrazi. Kompensimi dhe dëmshpërblimi për ish të persekutuarit ka patur më shumë natyrë klientelare, selektive dhe shtyhet vazhdimisht në kohë.

Por mbi të gjitha qëndrimi i PD në planin historik karakterizohet nga një eklektizëm i theksuar: pro antifashizmit, pro antikomunizmit të të gjithë ngjyrave, mes tyre dhe atij të ish bashkëpunëtorëve të fashizmit, pa bërë asnjë diferencim midis figurave të ndryshme historike të së djathtës shqiptare. As dhe qëndrimi ndaj mbretit Zog nuk mund të konsiderohet si i frymëzuar nga pozicion i djathtë: zigzage të shumta në gjykimet mbi historinë e tij, në trajtimin e familjes mbretërore, pavarësisht ndonjë ndryshimi të vockël në vitet e fundit.  Antikomunizmi verbal, kriticizmi ndaj Enver Hoxhës është diçka e mjerë përballë mungesës së qëndrimeve koherente ndaj këtyre momenteve, individëve apo ndjeshmërive historike të së djathtës.

Nuk po merremi as me zbythjet në momente të caktuara siç janë marrëdhëniet me fqinjët, marrëdhëniet me fenë apo fetë, etj. Do zgjateshim shumë.

 Në vend të përfundimit

Siç duket qartë në këtë analizë të shpejtë të disa prej shtyllave të mendimit dhe veprimit që ndajnë të majtën nga e djathta, PD në drejtimin e një politikani populist si Sali Berisha, mbrojtësi më i fortë i tezës “propaganda mbi të gjitha”, nuk përfaqëson një parti të djathtë të mirëfilltë. Per të fituar vota, këtë mandat ashtu si dhe të parin (1992-1996), PD me qasje klasore tipike, është përpjekur të krijojë klasë të vetën, klasë klientësh politikë  transversalë, diçka e ngjashme me PASOK-un në Greqi, para dhe pas hyrjes në BE.

Këta klientë janë joshur dikur me kredira, me vende pune në administratën publike që nuk ka njohur zvogëlim (kujtoni policët apo pjesëtarët e SHIK kryesisht të ardhur nga ish të persekutuarit, juristët e shkollimit të përshpejtuar, etj). Klientët politikë janë joshur dhe joshen dhe me subvencione “politike” në bujqësi, pra në fshat ku ka pragmatizëm në drejtimin e votës.. Etj, etj. Por kjo është një temë e gjerë, që meriton një artikull tjetër....

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama