Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hashim Thaçi, një keqpërdorim joelektoral

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 15 vite më parë

Mero Baze
Hashim Thaçi, një keqpërdorim joelektoral

Ka shumë zëra kritikë për pjesëmarrjen e zotit Thaçi në ceremoninë elektorale të përurimit të një pjese të tunelit në Kalimash. Kritikët kryesorë qortojnë zotin Thaçi pse u bë pjesë e fushatës elektorale të zotit Berisha dhe pse u përdor në një podium, ku shkruhej slogani elektoral i PD. Për të gjithë ata që e njohin zotin Berisha, kjo mbetet një kritikë e paarsyeshme, pasi njeriu që duhet të ruante mysafirin nga ky keqpërdorim nuk e ka një zakon të tillë. Ndaj unë nuk e kritikoj dot zotin Thaçi pse nuk arriti të shmangte keqpërdorimin elektoral nga zoti Berisha.

Por skena më e dhimbshme e asaj ceremonie ishte momenti kur kryeministri Berisha iu referua kostos së tunelit dhe pranoi çmimin e lartë të tij dhe për ta justifikuar atë iu drejtua retorikës patriotike se ky është “tuneli i bashkimit”, “tuneli i shqiptarëve”, “tuneli që ndryshon historinë” etj. Sali Berisha është një lider i kujdesshëm për të përdorur retorikën patriotike. Ai e ka shmangur atë në kushte shumë herë më të vështira sesa tani. Hashim Thaçi po ashtu ka bërë përpjekje të stërmundimshme të pranohet si një lider mendjehapur që nuk lufton për bashkimin me Shqipërinë, por për një shtet të pavarur të Kosovës.

Por, i gjendur në ditë të keqe mes nevojës për të përdorur elektoralisht tunelin dhe për të justifikuar patriotikisht koston, Sali Berisha keqpërdori prezencën e Hashim Thaçit, jo për fushatë elektorale, por për justifikim patriotik të historisë së dyshimtë të financimit të 60 km të rrugës që kushtojnë 5 herë më shumë se 110 km e tjera. Sali Berisha keqpërdori Hashim Thaçin duke e shpallur prezencën e tij atje si pjesë e “projektit” për Bashkim Kombëtar. Kjo është dhe për të qeshur, dhe për të qarë.

Është për të qeshur, se Berisha nuk e ka seriozisht këtë projekt dhe i është ruajtur gjithë jetën kësaj retorike, dhe është për të qarë, se atij iu desh të përdorte patriotizmin si “strehë” të fundit për përlyerjen e tij në këtë histori të pistë financimi.

Për çdo diplomat të huaj që ka parë dhe përkthyer atë skenë, lexohej qartë si një demonstrim muskujsh të dy liderëve shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë për një projekt të bashkimit të kombit. Dhe kjo nuk i prish shumë punë Berishës, pasi ai është tashmë lideri i një vendi nën kontroll të institucioneve dhe i lexueshëm në hipokrizinë e tij. Ky demonstrim i prish realisht punë Hashim Thaçit dhe rrit seriozisht dyshimet për të ardhmen e tij në krye të një shteti ende të pasigurt për të mbijetuar. Cinike në gjithë këtë histori është se, as Berisha, as Thaçi nuk e mendojnë “bashkimin” dhe nuk e kanë këtë projekt. Por Berishës i duhej aq shumë ky justifikim atë ditë, sa keqpërdori kryeministrin e Kosovës, jo për fushatë elektorale, por për një proces të ardhshëm transparence që shoqëria shqiptare ia kërkon dhe do t’ia kërkojë. Ai tentoi të na mbyllte gojën të mos pyesim më për atë që ndodhi me fondet e asaj rruge për shkak të një “projekti” hipotetik bashkimi.

Ky është një spekulim i madh që dëmton realisht, jo vetëm zotin Thaçi, por dhe vetë rrugën dhe misionin e saj social dhe urban. Dhe ky ishte një keqpërdorim cinik, shumë herë më i rëndë nga keqpërdorimi elektoral i zotit Thaçi. Madje ai ishte i tillë, pikërisht pse Berishës Thaçi nuk i duhet për elektorat në Shqipëri, por i duhet për të justifikuar një faturë që askush nuk di ta shpjegojë.

Berishës nuk i duhet zoti Thaçi për fushatë, pasi nuk besoj se në ndonjë qytet të Shqipërisë dikush shkon voton edhe pse Thaçi ishte në ceremoninë e tunelit. Nga pikëpamja elektorale, më shumë nder mund t’i ketë bërë Berisha Thaçit sesa Thaçi Berishës. Por dëmi real që i ka bërë Thaçit Berisha është pikërisht përdorimi i tij si dëshmitar i një “projekti kombëtar”, që në të vërtetë as nuk ekziston, as ka ekzistuar dhe as është në projektet e Berishës dhe Thaçit për t’u ndërtuar. Nevoja e Berishës për ta shpikur atë para medieve dhe syve tejpërshkues të ndërkombëtarëve shpjegon në të vërtetë problemin e tij të madh me transparencën dhe shpjegimet që duhet t’u japë shqiptarëve për koston anormale dhe konfliktin e interesit që ka duke ia prokuruar këtë rrugë një ish-“miku të tij të vjetër dhe personal”, siç e tha vetë në atë ceremoni, i cili nuk vjen nga SHBA, por nga Turqia.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama