Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Presidenti si viktimë dhe si mashtrues!

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 12 vite më parë

Mero Baze
Presidenti si viktimë dhe si mashtrues!

Presidenti Bujar Nishani ka qenë viktimë e një mashtrimi thuajse të vetëdijshëm deri në shtator të vitit 2011, kur mësoi zyrtarisht se një master i paguar prej tij për “studime evropiane” ka qenë një mashtrim i një shtetasi francez, i cili ua ka shituar atë plot zyrtarëve të shtetit shqiptar, deputetëve dhe ministrave. Deri këtu nuk kemi arsye ta penalizojmë, por maksimumi mund të bëjmë humor me të, me dëshirën për të pasur një “master” me çdo kusht. Por në vitin 2011, kur Bujar Nishani ishte ministër në qeverinë shqiptare, ai ka mësuar zyrtarisht se Gjykata e Tiranës ka provuar edhe përmes dëshmitarëve, që i bie të jenë shokë kursi me Bujar Nishanin (nëse kursi është mbledhur ndonjëherë), se shtetasi francez që kishte regjistruar shkollën e lartë për studime pasuniversitare pranë Fakultetit Histori- Filologji, duke përdorur dhe pedagogë të atij fakulteti, ishte thjesht një mashtrim.

Gjesti i parë që duhet të bënte në atë moment ishte të dorëzonte publikisht masterin e tij fallco së bashku me zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, ku ka plot shefa kabinetesh ministrash, deputetë, etj. Bujar Nishani nuk e ka bërë. Edhe këtu mund ta justifikojmë sërish duke bërë humor me të, se i vjen turp që i shkuan 500 euro dëm dhe disa ditë sorollatje derisa ka marrë në dorë atë copë letër.

Deri këtu ai është një viktimë qesharake për nivelin që përfaqëson në shtetin shqiptar.

Por, ndërsa një javë më parë Bujar Nishani u votua në Kuvend për President të Republikës, ai paraqiti zyrtarisht para Kuvendit, dhe e ka ende në faqen e tij zyrtare, masterin për studime evropiane, që është i provuar nga Gjykata e Tiranës që është një mashtrim, për të cilin është dënuar dhe pronari i shkollës fantazmë. Nga ky moment Bujar Nishani është një mashtrues. Ai ka paraqitur me vetëdije para Kuvendit të Shqipërisë një dokument fallco, që identifikohet me gradën “master”. Kemi plot shembuj të freskët të kohëve të fundit kur në Gjermani dhe Hungari janë bërë beteja të mëdha publike derisa Presidenti hungarez dhe ministri gjerman i Mbrojtjes u larguan nga detyra për disa paragrafë plagjiaturë në punimet e tyre shkencore, për të cilat mund të mos kenë qenë koshientë, por thjesht viktima të ndihmësve të tyre. Bujar Nishani është një mashtrues i vetëdijshëm, nëse është i aftë nga ana shëndetësore. Ai na ka mashtruar zyrtarisht se ka një master të rregullt për studime evropiane, nga një institut fantazmë.

Kjo nuk duhet të tolerohet. E kam të qartë tani si psherëtijnë mijëra shqiptarë kur dëgjojnë një lajm të tillë duke folur me vete se ky nuk është ndonjë qamet i madh. I kam parasysh ata që do nxitojnë të thonë se ky burrë me mustaqe nuk ka dhënë dorëheqje as kur u varrosën 26 vetë në Gërdec, as kur shpalli puç shteti më 21 Janar dhe as kur u doli në krah gardistëve që vranë demonstruesit e pafajshëm. E di që mund të rreshtojnë gjëra shumë më të rënda që kanë ndodhur në këtë vend dhe nuk është ndëshkuar askush.

Por unë këmbëngul se ky njeri duhet të japë dorëheqje, dhe nëse jo, qytetarët e këtij vendi duhet ta detyrojnë të japë dorëheqje për këtë gjest. Nuk dua ta krahasoj as me ministrin gjerman dhe as presidentin hungarez, që ishin viktima mashtrimi. Ky nuk është më viktimë. Ky është një mashtrues që po na gënjen ne. Për këtë arsye ai duhet të largohet.

Një diplomë false për Renzo Bossi-n në Itali shkatërroi politikisht një parti të tërë politike dhe ktheu debatin për arsimin në Itali në plan të parë, ndërsa në vendin tonë Renzo Bossi e ka emrin Bujar Nishani. Ai ka pranuar të na paraqesë si master një dokument të provuar nga Gjykata e Tiranës që është fallco. E ka bërë këtë me vetëdije. E ka bërë pasi gjykata është shprehur për falsitetin e tyre. E ka bërë si president i këtij vendi. Mund t’i durojmë sakatllëkun e tij fizik, i cili mund t’i vlejë Sali Berishës për t’ia bërë të pamundur ikjen me vrap prej tij, mund ta falim dhe për mediokritetin e tij apo ndonjë budallallëk, por jo për një mashtrim kaq të vetëdijshëm.

Të rinjtë shqiptarë, atyre që po u masakrohet përditë e ardhmja e tyre nga kjo super-piramidë arsimore, studentët shqiptarë që po shkollohen jashtë me sakrifica të panumërta të prindërve të tyre, gjimnazistët që kanë ëndërr arsimin në këtë vend, duhet ta dinë se në krye të vendit është një njeri me letra fallco. Nëse ai do të ishte modeli i tyre në jetë, ata nuk do të kishin nevojë më të arsimohen, por me 600 euro mund të blinin një master si presidenti ynë. Nuk duhet ta falim këtë shembull të ndyrë të falsitetit dhe mashtrimit. Nuk duhet tu lëmë të rinjve shqiptarë një model kaq fyes për dëshirën e tyre për të pasur një diplomë normale në këtë vend. Si viktimë Bujar Nishani mund të dëmshpërblehet me 600 ose 1 mijë euro në varësi të faturës që ka paguar, nëse e ka. Si mashtrues duhet të ikë në shtëpi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama