Një humbje 'a forfait' për Edi Ramën

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 8 vite më parë

Mero Baze
Një humbje 'a forfait' për Edi Ramën

Kryeministri u detyrua më në fund të flasë qartë lidhur me debatin e ndezur rreth mundësisë së neutralizimit të lëndëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Vuri theksin tek fakti që do merret një vendim duke u konsultuar me opinionin publik dhe me parlamentin.

Në të vërtetë kryeministri nuk ka gënjyer, por nuk ka thënë diçka që e zgjidh tanimë lëmshin e ngatërruar kryesisht për faj të tij. Nga dy faktorët që ai llogarit se do konsultohet, njërin e ka humbur- edhe për shkak të nxitjes politike, kurse tjetrin, parlamentin, mund ta fitojë, por nuk është e nevojshme.

Kur them që Edi Rama e ka humbur opinionin publik për faj të tij, në këtë histori kam parasysh  faktin që ai ka mëse një muaj që është ndeshur me këtë problem të vështirë, me të cilin nuk do të donte të ndeshej asnjë kryeministër dhe ka zgjedhur një metodë idiote ta përballojë atë, duke mos bërë asnjë përpjekje të përgatisë opinionin publik.

Ai është sjellë me opinionin publik si me ata ushtarët e tij të bindur, të cilët e kanë për detyrë të heshtin kur ai hesht, të qeshin kur ai qesh dhe të qajnë kur ai qan. Askush nga rrethi i afërt i tij në media nuk ka pasur dijeni, bile as informacion konfidencial se ç’po ndodhte, askush nga rrethi i afërti i tij politik nuk ka pasur informacion apo leje për ta përcjellë këtë mesazh, dhe mbi të gjitha, asnjë përpjekje nuk është bërë nga ai vetë apo stafi i tij, që të përgatisnin opinionin para se sa ai “të helmatisej me gënjeshtra” siç thoshte ai vetë, ndoshta me të drejtë, në deklaratën e sotme.

Të përpunosh opinionin publik si kryeministër, nuk është si të bësh truke në fushatë elektorale, ku populizmi dhe fasada mund të mposhtin dhe hutojnë kundërshtarin për 45 ditë. Në qeverisje, përpunimi i opinionit publik nuk është gënjeshtër dhe as propagandë, por informacion. Beteja fitohet duke informuar dhe sqaruar qartë situatën dhe jo duke bërë truke apo duke qenë konspirativ.

Ka së paku tre arsye të forta përse Rama ka dështuar në këtë pikë.

E para, nuk ka qenë gati për këtë zhvillim dhe preferoi ta zgjasë kohën kur opinioni do ta merrte vesh. Në një botë të hapur, ku informacioni qarkullon me shpejtësi dhe ku burimet janë të pafundme, misioni i Ramës ishte një mision i pamundur dhe ai dështoi. Gazeta TemA ka botuar e para lajmin për këtë informacion tre javë më parë, marrë nga media ruse dhe amerikane, dhe debati që pasoi natyrisht e mbushi opinionin me gjithë frikërat pagane të shqiptarëve nga skema e kundragazit. Është i njëjti popull që e merrte seriozisht se do ta përballonte luftën kimike me kundragazët e Enver Hoxhës, që është në panik me të drejtë, edhe pse thuhet se neutralizimi i helmeve do bëhet nga ekipe speciale të NATO-s. Boshllëku që la qeveria në informim dhe përpjekja për të fshehur një informacion gati publik, është paranoja e parë e madhe që ushqeu opinionin publik kundër qeverisë.

Aspekti i dytë ku Rama e ka humbur opinionin publik, është fakti që ai nuk hyri vetë në këtë betejë. Të mbrosh Edi Ramën si lider, është ndoshta gjëja më e vështirë në Shqipëri, edhe nëse ke vendosur të jesh mbështetës i tij. Të mbrosh një lider që nuk e di çfarë mendon, është gati e pamundur. Në një botë të hapur, ku informacioni është pushtet, mungesa e informacionit apo konspiracioni rreth tij është mungesë fuqie. Dhe për këtë shkak gjithë njerëzit rrotull Ramës janë të pafuqishëm ta mbrojnë atë. Ata nuk dinë as ç’mendon Edi Rama, as çfarë di ai. Ai po sillet me opinionin publik si me partinë e tij, me të cilën zbavitet kur e shikon që turfullojnë nga vendimet e tij të papritura, nga emërimet e papritura dhe nga njerëzit që mbijnë nëpër karrige. Por me partinë e tij ka llogaritë e veta, por opinioni publik nuk është në dorë të tij. Ata që po mbushin radhët e protestave, që udhëhiqen ndershmërisht nga shoqëria civile, janë në të vërtetë kundërshtarë të tij politikë më shumë se ekologjistë apo pacifistë. Ka plot prej tyre që dalin vërtet nga frika e lëndëve kimike, por të motivuarit kryesorë janë produkte të armiqësisë së tij politike.

Aspekti i tretë pse Rama e ka humbur opinionin publik, është mëdyshja e tij mes përfitimit që mund të ketë vendi nga një demontim i sigurt dhe frika nga opinioni publik. Pra, në një farë mënyre Edi Rama pret të zbutet opinioni që të shpjegohet, ndërkohë që mund të ishte shpjeguar qysh në fillim me një ide të qartë dhe të kish bërë betejë për këtë çështje. Nga sa po shihet tani, Edi Rama, Lulëzim Basha dhe gjithë klasa politike, nuk janë aq të frikësuar sa masa e qytetarëve nga ky proces. Ata kanë më shumë informacion dhe janë të qartë se një proces i drejtuar nga NATO dhe njësia e OKB-së për lëndët kimike mund të çojë në një proces të sigurt, nga i cili Shqipëria mund të ketë përfitime. Por sjellja e dyzuar e kryeministrit, dhe ideja për të folur pasi të testojë opinionin publik, nuk është një sjellje prej lideri. Një lider i merr vendimet në momentin e parë dhe pastaj harton strategjinë për t’i mbrojtur ato dhe nuk pret të degradojë ideja në opinion publik dhe pastaj të pastrojë gërmadhat e vendimit që nuk e ka marrë ende.

Duke u sjellë në këtë mënyrë, ai ka vënë në pozitë të vështirë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat po trajtohen nga paranoja e shoqërisë shqiptare si një fuqi keqbërëse, që kanë një plan për të zhdukur shqiptarët, ndërkohë që janë shteti, falë të cilit ne jemi sot komb dhe kemi dy shtete shqiptare.

Pra, Edi Rama e ka humbur betejën me opinionin publik në të tre këto aspekte, dhe nuk ka çfarë pret më. Ai ka vetëm një betejë për të fituar, atë me parlamentin dhe politikën. Që ta fitojë këtë betejë, duhet të marrë një vendim personal, një vendim prej lideri dhe ta mbrojë atë. Aty provohet aftësia e tij. Ai nuk mund të shkojë pas kurtheve që do t’i ngrenë kundërshtarët në këtë rrugë dhe as pas çoroditjes së pafajshme të opinionit publik. Për të bërë 71 vota në Kuvend nuk është problem, bile me dy- tri kafe t’i bën ambasadori Arvizu dhe 100, por problemi është që kjo të jetë një betejë që e ka udhëhequr kryeministri ynë dhe jo një betejë ku e kanë udhëhequr atë.

Ky është një nga ato momentet, kur udhëheqësit tregojnë aftësitë e tyre prej shtetari. Sali Berisha bëri operacione të tilla me ujgurët apo muxhahedinët iranianë, duke na vënë në rrezik dhe shënjestër të grupeve terroriste, dhe e konvertoi atë në mbështetje klienteliste nga Podesta për qeverinë e tij, pa e përfillur opinionin tonë publik, pasi e kontrollonte atë duke e ndarë me qëndrimin e tij. Kurse Edi Rama nuk po përdor dot as fuqinë e tij politike për të ndarë opinionin, pasi nuk bëri kujdes për këtë gjë. Ata që organizojnë protestat kundër tij janë të majtë dhe pjesëtarë të ndershëm të shoqërisë civile. Plot zell mes tyre futen kundërshtarët e tij politikë në një kauzë që opinionit i duket e drejtë. Edi Rama e ka humbur fuqinë politike për të ndikuar në opinionin publik, jo aq nga kompliciteti i çështjes se sa nga paaftësia e tij për t’u sjellë me opinionin publik siç duhet të sillet një shtetar.

Shqiptarët e kuptojnë se në këtë histori nuk ka zgjedhur Edi Rama, por është zgjedhur, dhe ai duhet t’i përgjigjej lartësisë së zgjedhjes për t’i shërbyer vendit të tij, qoftë duke refuzuar qartë, qoftë duke e pranuar qartë dhe duke luftuar për një projekt të madh në ndihmë të Shqipërisë. Por deri tani nuk ia ka dalë. Sot ka hyrë në betejë, shumë vonë, shumë qartë, shumë dhimbshëm. Siç nuk i duhet askujt. Përveç Berishës!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama