Jo kundër të pasurve, por pro të varfërve

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 10 vite më parë

Mero Baze
Jo kundër të pasurve, por pro të varfërve

Spiralja absurde ku Berisha kërkon të fusë debatin mbi ndryshimin e sistemit fiskal në vend nga opozita, po krijon idenë sikur sistemi i ri i propozuar nga opozita është një masë ndëshkimi kundër të pasurve. Në të vërtetë propozimi i opozitës nuk është i ri, por bazohet në sistemin e mëparshëm fiskal të Shqipërisë me disa ndryshime, kurse taksa e sheshtë dhe modifikimet e shëmtuara të saj nga referencat që kanë mbytur lirinë ekonomike në vend, janë një eksperiment i ri, i panjohur dhe i dështuar, i cili më shumë se sa favorizon të pasurit, dhunon punonjësit me taksa të ulëta.

Pra, tipari kryesor i sistemit me taksë të sheshtë është se ai vë në pikëpyetje ekzistencën e njerëzve me paga të ulëta, që janë shumicë e shoqërisë. Një qytetar që merr 250 dollarë rrogë, kur i mban dhe 25 dollarë  nga ajo rrogë, e rrezikon shumë, kurse një deputet që ka 2500 dollarë rrogë në muaj, me gjithë të ardhurat e tjera nga dietat dhe përfitimet, nëse i mban 250 dollarë nuk i prish asnjë balancë ekonomike. Pra, defekti kryesor që duhet rregulluar është persekutimi i qytetarëve me pagë të ulët dhe mesatare në raport me ata që kanë pagë të lartë dhe përfitime të tjera. Kjo nuk është luftë ndaj të pasurve, por drejtësi ndaj shtresave në nevojë.

Së dyti, taksa e sheshtë, ashtu si është vënë në zbatim në Shqipëri, është një pirg ligjesh dhe urdhëresash kundër lirisë ekonomike. Taksa e sheshtë mund të funksionojë nëse vërtetë ekonomia ka një shkallë të lartë të lirisë ekonomike dhe një formalizëm tërësor të saj. Mënyra se si e zbatoi qeveria e Berishës taksën e sheshtë është qesharake, pasi urdhëresat e Ridvan Bodes dhe aktet nënligjore janë tërësisht kundër parimeve të taksës së sheshtë.

Le tu kujtoj disa shembuj. Pasi shpalli taksën e sheshtë, qeveria shpalli dhe uljen e normës së kontributeve në sigurimet shoqërore deri në masën 26 për qind. Fill pas kësaj erdhën urdhëresat e Ridvan Bodes që trefishonin referencat për pagat dhe kontributet në sigurime shoqërore, që do të thoshte se kontributi u ul dhjetë për qind dhe u shtua 300 për qind. Pra, nëse ti duhet të paguaje sigurime për një pagë 250 dollarë në masën 35 për qind, me urdhëresën e re do të paguaje sigurime shoqërore për një pagë 750 dollarë në masën 25 për qind, çka do të thotë jo ulje, por gati trefishim të këtij kontributi me dhunë, duke cenuar rëndë lirinë ekonomike dhe aftësinë paguese të kompanive.

Një tjetër shembull i shëmtuar, që e prekin vetë qytetarët, janë blerjet personale të veturave jashtë Shqipërisë. Shqiptarët blejnë të gjithë vetura në Perëndim, kryesisht Gjermani dhe Itali, vende të Bashkimit Evropian, të formalizuara dhe me rregulla strikte. Kur blen aty të japin formularin A1 dhe çmimin e makinës, por kur vjen në doganat e mbushur me devollinj nga Ridvan Bode, nuk ta njohin faturën e Bashkimit Evropian dhe në vend të çmimit 2 mijë apo 3 mijë euro që ke blerë një veturë të përdorur, do paguash taksa dhe TVSH për një veturë që në referencat e urdhëruara është 8 mijë euro. E njëjta gjë ndodh me thuajse çdo produkt që importohet në Shqipëri. Atëherë ku është liria ekonomike këtu dhe çfarë përfitimi ka nga taksa e sheshtë, e cila në të vërtetë vetëm sa i vë kapakun një sistemi të tërë të dhunshëm fiskal që ngrihet mbi arbitraritetin dhe dyshimet reale që ka vetë kjo qeveri nga taksa e sheshtë.

Taksa e sheshtë është kthyer në një ideologji për oborrin e Sali Berishës, që shmang taksat nga lidhjet personale, por jo në një burim suksesi për qeverinë e tij.

Debati mbi mbledhjen e taksave në Shqipëri duhet të jetë real dhe duhet të përfshijë çdo qytetar. Në një vend ku liria ekonomike është dëmtuar rëndë nga sistemi i përdhunuar fiskal, nga urdhëresa që dalin mbi ligjin dhe ligje që dalin mbi Kushtetutën, është qesharake të flasësh për luftë ndaj të pasurve dhe të varfërve.  Mjafton të përpiqeni të kuptoni po mundët qoftë dhe për 5 minuta kryeministrin e Shqipërisë kur u thotë fshatarëve ‘unë kurrë s’do ta heq TVSH mbi prodhimet bujqësore… pasi duan të fitojnë kapitalistët’, pastaj dy ditë më vonë thotë ‘unë kurrë nuk do bëj çfarë duan të bëjnë socialistët se ata duan të shkatërrojnë kapitalistët…’ Pra ky njeri flet pa lidhje në të dy rastet, në panik nga ajo çfarë i ka ndodhur me sistemin fiskal. T’u kërkosh aleancë konsumatorëve për mos heqje të veçantë të TVSH në konsum dhe të presësh duartrokitje prej tyre është absurde, pasi TVSH është taksë e konsumatorit, dhe jo e biznesit, pasi biznesi normalisht rimbursohet për TVSH, e cila është taksa qarkulluese dhe jo finale për të. Nga ana tjetër të bësh sikur mbron të pasurit, me një sistem të deformuar të taksës së sheshtë nga referencat dhe përshkallëzimet në grupe të tatimpaguesve, është cinike.

Thelbi i këtij debati është që sistemi aktual i taksa- tatimeve që Berisha po aplikon nga viti 2008 nuk e ka realizuar asnjë herë buxhetin e shtetit dhe e ka futur në krizë biznesin. Ai është një sistem që diskriminon qytetarët me paga të ulëta dhe nuk vjel taksa, por gjobit bizneset sipas nevojave të pushtetit për pare, përmes një sërë urdhrash, aktesh nënligjore që kanë bllokuar lirinë ekonomike në vend.

Socialistët kanë bërë një propozim kurajoz për të rikthyer një sistem normal taksash në vend, por ata duhet të bëjnë një premtim serioz lidhur me referencat dhe aktet nënligjore që po shkatërrojnë lirinë ekonomike në vend. Ne duhet të provojmë që sistemi funksionon dhe qeverisja bëhet rentabël duke ushtruar lirinë dhe jo arbitraritetin. Është më mirë të dështojmë në liri dhe të kërkojmë ndihmë për tu ringritur se sa të dështojmë pa provuar kurrë lirinë ekonomike, konkurrencën dhe kapitalizmin real në këtë vend, të cilit i janë bërë fat piramidat që Berisha ja ndjell çdo dekadë. Tanimë duke kthyer në piramidë buxhetin e shtetit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama