Paragjykimi për armiqtë që prodhuan vetë

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 13 vite më parë

Mero Baze
Paragjykimi për armiqtë që prodhuan vetë

Debati mbi procesin e votimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës po komplikohet nga fakti se po përdoren dy standarde për të vlerësuar cilësinë e votimit të LSI dhe të këshilltarëve të djathtë në këtë Këshill. Egërsia me të cilën reagon PD ndaj atyre që mbështetën buxhetin nga e djathta, dhe egërsia, me të cilën PS reagon ndaj LSI duke e akuzuar për bashkëpunëtore të Berishës, është e padrejtë.

Problemin e parë në këtë debat e krijoi Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës. Megjithëse beteja e saj ishte tërësisht politike, ajo u përpoq ta shmangë nga fjalori i saj fjalën qëndrim politik dhe e përqendroi debatin në terma teknikë. Këshilltarët e LSI u përpoqën gjatë gjithë debatit të gjenin arsye teknike në kundërshtimin e buxhetit. Në fillim shifra të paqarta investimesh, pastaj projekte të munguara etj. Kjo në të vërtetë është një politikë joproduktive. LSI është në të drejtën e saj të shprehet politikisht kundër PS dhe ta përdorë votën e saj politikisht kundër. Ajo ka hyrë në një betejë politike me PS dhe ka të drejtën e saj ta dëmtojë atë. Për këtë arsye Partia Socialiste nuk ka të drejtë t’i thotë LSI se po bën lojën e Berishës, pasi LSI duhet të bëjë lojën e saj.

LSI ka betejën e saj reale me PS, ka betejën që buron nga konflikti i ndarjes së pushtetit mes tyre brenda së majtës dhe nga fakti që PS përdori votat e saj për një sistem zgjedhor që dëmton interesat e LSI. Kaq mjafton që LSI të jetë politikisht kundër PS dhe këtë duhet të thotë pa komplekse. Ajo ose fiton si një grupim i pavarur dhe i ndarë qartazi nga PS, ose shkrihet brenda saj. Nëse diferenca mes PS dhe LSI është çështja e kanalit të Misto Mames që ngrinte pa pushim zonja Kryemadhi, apo standardet antikorrupsion të Petrit Vargut, kam frikë se njerëzit do të anojnë nga Edi Rama. Pra, beteja e tyre duhet të jetë politike dhe ata duhet të maten mirë, kur i hyjnë asaj beteje. LSI s’mund të hyjë në betejë teknike dhe menaxheriale me PS, në një votim që është qartazi politik. Fakti që ajo ngurron ta artikulojë këtë, i jep shansin Edi Ramës t’u thotë atyre se po bëjnë lojën e Berishës. Në të vërtetë, ata kanë të drejtën e tyre të votojnë kundër buxhetit të PS dhe ta dëmtojnë aq sa munden atë. Aty janë në të drejtën e tyre politike me PS.

Nga ana tjetër, këshilltarët e djathtë, që votuan buxhetin, ishin më të qartë se LSI në këtë pikë. Edhe pse cilësia e tyre shpesh lë për të dëshiruar, politikisht ata ishin të qartë. Ata janë duke u përpjekur të pozicionohen politikisht kundër PD, dhe mënyrë më të mirë për të mposhtur arrogancën e PD sesa kjo nuk ka. PD, e cila nxiton t’i akuzojë ata si bashkëpunëtorë të Edi Ramës, në të vërtetë nuk është në betejën e saj kundër Edi Ramës. Ajo është ilegalisht në betejën e LSI kundër Edi Ramës. Nëse LSI do kishte votuar buxhetin, s’do kishim një betejë të PD, as ndonjë shkrofëtimë të Ferdinand Ponit, as ndonjë deklaratë haluçinante të Gerti Bogdanit. Do kishte kaluar si çdo vit. Por fakti që LSI tentoi të bëjë një betejë ilegale politike, e dëmtoi procesin dhe la vend për njollosje të pavend kundër LSI dhe këshilltarëve të djathtë.

Leksioni që këshilltarët e djathtë duhet t’i jepnin PD në Këshill Bashkiak është legjitim. PD nuk ka respektuar asnjë pikë marrëveshjeje me partinë e çamëve apo LZHK. Njerëzit e tyre, jo vetëm që nuk janë respektuar apo përfshirë në rrethin e pushtetit, por shpesh janë parë si armiq. Pikërisht për këtë, ata e përdorën votën e tyre politikisht dhe në këtë pikë janë shumë legjitimë. Ata janë të detyruar të formojnë një profil politik para zgjedhjeve dhe ndarja e tyre politike me PD është favor për ta. Ndryshe, nëse janë të përafërt apo me pak nuanca, elektorati i anashkalon. Përpara se këshilltarët e djathtë të akuzohen si bashkëpunëtorë të Edi Ramës, do të akuzoheshin si bashkëpunëtorë të Ilir Metës, nëse nuk e votonin buxhetin, pasi në të vërtetë beteja për të rrëzuar buxhetin politikisht është një fitore e Ilir Metës dhe jo e PD. Për këtë arsye këshilltarët e së djathtës janë forcuar politikisht duke dëshmuar identitetin e tyre dhe jo si pjesë e makinacioneve të Berishës për t’u marrë me problemet e brendshme të së majtës. Të dy palët, si PD, ashtu dhe PS, duhet të pranojnë realitetin e ri që krijuan vetë, armiqtë respektivë nga e majta dhe e djathta. Dhe tashmë që i prodhuan vetë, nuk kanë pse ia faturojnë njëri-tjetrit. Le t’i durojnë bashkërisht.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama