Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Skandali me OSBE dhe heshtja e Lulëzim Bashës

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 16 vite më parë

Mero Baze
Skandali me OSBE dhe heshtja e Lulëzim Bashës

Kjo e shkuar ka pasur një konflikt plot ngjyra dhe, siç pat thënë në vitin 1997 kancelari Vranicki, ishte e vështirë ta ndaje kush ishin engjëjt dhe kush djajtë për një kohë të gjatë. Me gjithë rolin e saj shumë stabilizues dhe shpesh vendimtar për t’u dhënë zgjidhje disa reformave rrënjësore në shtetin shqiptar, shpesh zyrtarë të OSBE në Shqipëri kanë bërë gabime dhe nuk kanë mundur të jenë në lartësinë e përfaqësimit të OSBE. Në shumë raste ata kanë pasur problem dhe me përfaqësi diplomatike perëndimore në Tiranë përfshi dhe atë të SHBA. Këtë histori ia njeh vetes po ashtu dhe përfaqësia e OSBE në Tiranë. Ajo vetë ka reflektuar disa herë ndaj politikave të paqarta të saj dhe tashmë shihet se ka një rol shumë të qartë këshillues dhe monitorues për politikën dhe institucionet shqiptare. Misioni aktual i OSBE i ka kthyer dinjitetin OSBE në Shqipëri dhe nuk ka më as peshën dhe as rolin që ka pasur vite më parë, kur gabimet e tij kushtonin.

Kështu që dyshimet se qeveria do të prekë zgjedhjet, duke larguar misionin e OSBE, nuk janë shumë të besueshme për ne që jetojmë këtu, por natyrisht janë të besueshme në Perëndim. Në këtë rast më e besueshme është një lloj prirje që ka politika zyrtare në Tiranë për t’u dukur politikë me standarde të arrira perëndimore, që nuk ka nevojë për monitorim dhe ekipe këshilluese për institucionet demokratike, mision që e kryen prej vitesh OSBE. Kjo prirje e Tiranës zyrtare, që në fakt disa herë është shfaqur dhe gjatë mandatit të fundit socialist, është një megalomani tipike shqiptare, e cila fyen historinë e raporteve të këtij vendi me OSBE dhe injoron faktin se janë të njëjtët njerëz që e katandisën vendin në atë gradë, sa u desh të ndërhynin forcat ndërkombëtare ta stabilizonin ushtarakisht dhe OSBE ta rindërtonte shtetin nga e para. Por kjo megalomani i kushton rëndë në këtë kohë shumicës në pushtet. Një tufë rezervash që shihen nga vendet perëndimore, kur u shtohet dhe kjo pikë, bëhen shumë dhe gota derdhet.

Për këtë arsye duhet të shikojmë me vëmendje se cili është roli i Ministrisë së Jashtme në këtë histori.

Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, nuk është prononcuar publikisht për ikjen e OSBE, por zyrtarë të tij kanë folur publikisht dhe duket se kanë folur jo pa leje. Nuk është e sigurt, nëse Basha e ka këtë iniciativë të rekomanduar nga kryeministri apo si ofertë të tij për kryeministrin për t’ia bërë sa më optimiste arritjet e diplomacisë, duke zbuar dhe OSBE nga Shqipëria. Çështja është aq serioze, sa janë të shqetësuar diplomatë perëndimorë në Tiranë dhe nuk ka asnjë zë publik nga qeveria ta qartësojë këtë situatë. Ministri i Jashtëm, i cili duhet t’i dilte zot kësaj beteje, është fshehur dhe bën ca autointervista për shëtitjet e tij jashtë Shqipërisë që nuk iu interesojnë as reporterëve që merr nga pas, pasi duket që mikrofonin e mban operatori. Ky është personi që sot duhet të na kishte sqaruar çfarë është kjo hije skandali dhe pse qeveria shqiptare po e bën këtë. Përpjekja për t’iu shmangur betejave direkte për krizat që prodhojnë vetë figurat e partisë në pushtet, e rëndojnë situatën, pasi te të huajt lexohet, jo pa të drejtë, si një direktivë e Berishës, për të cilën ata s’kanë të drejtë as të flasin. Kjo e bën dhe më të rëndë lajmin dhe më të zi imazhin e Berishës tek ata që dyshojnë tek ai. Dhe që kjo punë të ndahet, dikush duhet të flasë. Por realisht askush nuk flet. As Enkelejd Alibeaj nuk hap gojë për ligjin e prokurorisë, sikur nuk ekziston, as Lulëzim Basha për skandalin me OSBE, sikur nuk ekziston, as Topalli për problemet që ka prodhuar me diplomatët perëndimorë dhe rekomandimet ndaj kryeprokurores e kështu me radhë. Duke heshtur të gjithë nënkuptojnë Berishën dhe nuk është se gabojnë shumë. Por ai po rrezikon shumë me këtë ekip që fshihet pas imazhit të tij të keq te të huajt dhe ngrenë supet si të pafuqishëm, kur të tjerët i pyesin për skandalet që formalisht kanë emrat e tyre. Këta janë bashkëpunëtorë pa dinjitet politik, pasi ata, nëse nuk janë dakord me Berishën, janë të lirë të largohen prej tij. Por ata duan të jenë dhe ministra të tij, dhe të mos iu dalin zot skandaleve që formalisht i iniciojnë këta, edhe pse mund të kenë pëlqimin e atij.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama