Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse u tërhoq Berisha nga hetimi për Ina Ramën?

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 16 vite më parë

Mero Baze
Pse u tërhoq Berisha nga hetimi për Ina Ramën?

Gati një muaj më parë, kryeministri, Sali Berisha, doli në një konferencë urgjente shtypi me dy propozime që befasuan opinionin publik. Së pari, premtoi se do të ngrejë me urgjencë një komision hetimor parlamentar për të hetuar veprimtarinë e kryeprokurores, Ina Rama, dhe marrëdhëniet e institucionit të saj me Ministrinë e Drejtësisë dhe, së dyti, që do të kërkonte hetim ndërkombëtar për Damir Fazlliçin, pasi, sipas tij, ai nuk kishte besim që drejtësia shqiptare do të ishte e paanshme më të. Propozimet normalisht hasën në kritika kombëtare dhe ndërkombëtare. Pati reagime verbale publike nga ambasadori i SHBA në Tiranë dhe kritika serioze dhe nga aleatë të tij në Kuvend. Por kryeministri nuk dha shenjë që po tërhiqej.

Pasi ka kaluar thuajse një muaj nga ky zhvillim shumë i vrullshëm dhe emocional i kryeministrit, nuk kemi asnjë rezultat konkret. Asnjë komision hetimor nuk është ngritur dhe asnjë hetim ndërkombëtar nuk ka filluar. Përveç kësaj, kryeministri është thirrur në një mocion debat për çështjen “Fazlliç” dhe nuk e ka zënë emrin e tij fare në gojë, edhe pse kishte premtuar se ishte i gatshëm ta sillte dhe vetë Fazlliçin në Kuvend.

Ky bilanc i tij i hidhur njëmujor lidhur me nismat që paralajmëroi, po kalon në heshtje dhe askush nuk po ia përmend. Opozita natyrisht e quan sukses të saj zbythjen e kryeministrit dhe nuk po merret më me nismat e tij të dështuara, por institucioni i qeverisë duhet të japë një shpjegim për këtë bilanc. Duhet të japë shpjegim, se ndryshe autoriteti i konferencave urgjente për shtyp do të bëhet dhe më qesharak nga se është bërë. Kur një kryeministër del me urgjencë në konferencë për shtyp dhe e bën shumë dramatike situatën, duhet doemos të ketë një arsye të fortë për luftë, por dhe qartësinë e duhur të strategjisë së luftës që shpall.

Kryeministri ynë nuk demonstroi as përgjegjësi në nismat që shpalli, as përgjegjësi në mbajtjen e fjalës së dhënë publikisht. Ai e ka për detyrë së paku të shpjegojë pse u tërhoq nga të dyja këto nisma dhe nëse kanë qenë apo jo të gabuara. Dhe, nëse nuk është tërhequr, të bëjë të qartë planin e veprimit dhe si do t’i motivojë ato nga ana juridike.

Ky bilanc i gënjeshtërt njëmujor ka keqpërdorur po ashtu dhe grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Disa deputetë të atij grupi, që e morën seriozisht daljen publike të kryeministrit, u bënë shumë agresivë dhe mbajtën fjalime glorifikuese për Fazlliçin. Ju kujtohet besoj një deputet që thoshte: “Si mund t’i thoni fajtor Fazlliçit që jeton në Londër?” Apo një tjetër që thoshte se “ai është mik i Tom Ridge dhe s’mund të jetë trafikant”. Të gjorët deputetë nuk është se ishin aq të qartë për Fazlliçin, por siguria me të cilën doli publikisht kryeministri i tyre, i mobilizoi dhe u dha kurajën e duhur për të lëshuar ato dokrra në publik. Një muaj më pas ata nuk dinë ç’të bëjnë me deklaratat e tyre, ashtu sikundër kryeministri nuk di ç’të bëjë me iniciativat e marra dhe të lëna përgjysmë.

Në siklet është vënë dhe shtypi që mbështeti daljen publike të kryeministrit për Fazlliçin. Pronari i TV “Klan”-it bëri një javë rresht komente në emision të lajmeve kundër kryeprokurores që heton për Fazlliçin dhe nuk heton për gjëra që i interesojnë kryeministrit. Po ashtu, gazeta të tjera minore afër qeverisë nuk reshtën së paralajmëruari frikën e opozitës nga hetimi ndërkombëtar për Fazlliçin. Tashmë, një muaj më pas, duket se i vetmi që ka frikë nga ato që ka thënë vetë publikisht është kryeministri, Sali Berisha. E dimë që është pak e zorshme që po ia kujtojmë, por është shumë e freskët si ngjarje. Ka kaluar gati një muaj dhe ai nuk mund t’i ketë kaq të shpeshta gënjeshtrat publike. Ai duhet të japë një shpjegim publik. Qoftë dhe sikur të kërkojë falje për ato që ka thënë, meqë i ka hyrë në qejf kjo puna e faljes publike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama