Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Imitimet dhe keqkuptimet me modelin e Shqipërisë në Kosovë

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 17 vite më parë

Mero Baze
Imitimet dhe keqkuptimet me modelin e Shqipërisë në Kosovë

Fushata elektorale në Kosovë po hyn në javën e saj të fundit, ndërsa partitë kryesore politike janë më të pasigurta se kurrë për rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Në përpjekje për të krijuar një traditë të fushatave elektorale, fushata e këtij viti në Kosovë ka shumë elementë të imituar rëndom nga skena politike e Shqipërisë, jo vetëm në fasadë, por dhe në përmbajtje. Në fasadë, së pari, bien në sy sloganet. Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila duket se e ka marrë më lehtë se ç’duhet ta merrte fushatën, ka përdorur një slogan të Partisë Socialiste në Tiranë: “Në rrugë të mbarë”, slogan që zakonisht e përdorin partitë që rrinë gjatë në pushtet. E vërteta është se LDK nuk ka një pjesëmarrje reale në pushtet në Kosovë pos atij vendor dhe disa ministrive. Posterat me Ibrahim Rugovën, një çelës në krah të tij dhe slogani “Në rrugë të mbarë” duken qartë se janë shenja të një vetëkënaqjeje mediokre që mund t’iu shkaktojë surpriza në zgjedhje. Po të kesh parasysh dhe disa shfaqje vetëkënaqësie publike që rrezatojnë disa emra në krye të LDK, nuk është çudi që ata të ndjehen të zhgënjyer më 17 nëntor. Risi e vetme e LDK është kthimi pranë saj i disa ish-themeluesve dhe emrave të njohur të skenës politike të kohës së Ibrahim Rugovës, siç është Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, të cilët po bëhen dy personazhe simpatike të fushatës së tyre.

Nga ana tjetër, Hashim Thaçi është munduar të imitojë Partinë Demokratike. Përveç sloganit të përgjithshëm “me karakter patriotik” që ka zgjedhur për të mos thënë asgjë, “Krenar për Kosovën”, ai ka imituar PD e Berishës në Tiranë në makiazhin elektoral të 2005. Ai, po ashtu, ka kooptuar disa elementë nga shoqëria civile afër partisë së tij, të cilët po i paraqet si garant të mostrembjes nga “komandantët” e luftës që kanë imazhin e njeriut me kobure në brez për çdo fjalë kundër tyre. Po ashtu, po përpiqet të bëjë një fushatë të personalizuar tek ai. Ai premton ujë, drita, punësim, arsim, internet dhe integrim në Evropë. Ai premton pavarësinë dhe luftën, paqen dhe bashkëjetesën. Pra, Thaçi po merr përsipër rolin e liderit të fushatës. Enturazhi i vjetër i tij është shpërndarë në gjithë qytetet e Kosovës dhe afër tij tashmë ka fytyra të reja, të cilat shikohen vëngër me ata që janë “internuar” larg kryeqytetit për t’u vënë në provë tashmë jo si komandantë, por si kandidatë.

Veton Surroi, “ekstremisti” i qendrës liberale, po vihet në siklet nga pakësimi i hapësirës për të bërë politikë në një vend që duhet të zgjedhë mes apatisë së LDK dhe frikës qytetare që ngjall partia jourbane e Thaçit. I lodhur dukshëm nga një sforcim i tij fizik fshatrave të Kosovës, ai shpreson tashmë me gjak të ngrirë të kapë pragun prej 5 për qind për t’u përfaqësuar në Kuvend. Për këtë ka bërë dhe një përpjekje ekstreme mediokre përmes një posteri, ku ka dalë përkah presidentit Xhorxh Bush, me të njëjtën kravatë, me duar të shtrënguara, poshtë të cilit lexohet “Bëhu zot shtëpie”. I sigurt se dhe vetë qesh me atë poster, ai ndoshta shpreson se zonat rurale do ta besojnë atë si porosi të Xhorxh Bushit.

Por, elektorati i lëkundur dhe me nivel të ulët tashmë ka liderin e vet, Bexhet Pacolli. Me thasë mielli në krah për të vobektit, me premtime të rrezikshme piramidale për një shoqëri të dëshpëruar dhe me lakuriqësinë e Bleona Qerretit për të rinjtë e mërzitur nga monotonia, ai po implementon në Kosovë një fenomen tejet të rrezikshëm. Një superspekulant i formuar nga korrupsioni i shoqërive sovjetike, i mësuar ta përdorë politikën për të fituar pará, ai tashmë po përpiqet të kapë peng shoqërinë e Kosovës. Pasi dështoi në misionin e tij si ndërmjetës mes Millosheviçit dhe Rusisë gjatë bombardimeve të Kosovës, ai po përpiqet tashmë të orientojë Kosovën nga tregjet lindore dhe ato sllave dhe të instalojë aty modelin e një politike që prodhon miliarderë me urdhër, siç vazhdon të ngjasë në ish-Bashkimin Sovjetik. Spekulant deri në gen, ai paguan disa pensione për qyqarë të mbetur rrugëve, jep thasë me miell për të uritur dhe flet për perspektiva përrallore punësimi, në një vend ku papunësia është plagë shoqërore, duke qenë vetë thuajse një injorant dhe pa asnjë projekt konkret qeverisjeje. Për vite të tëra në Kosovë ai ka rikonstruktuar vetëm parlamentin e Kosovës me paratë e qeverisë së Kosovës dhe tashmë premton se do të hapë 70 mijë vende pune. I lidhur me grupe të dyshimta në Rusi dhe ish-republikat sovjetike dhe me elementë të dyshimtë kriminalë në Kosovë, të përfshirë dhe në një vrasje të fundit të policit Triumf Riza, Pacolli po përpiqet të jetë një ofertë e gatshmë për parajsë korrupsioni politik në Kosovë. Mjafton prania e tij në parlamentin e ri të Kosovës për të bërë disa hapa mbrapa në politikën e atij shteti të ri.

Përtej Pacollit, partia e zotit Haradinaj duket më e qetë. E formuar si një parti klani krahinor dhe e bashkuar me interesa të forta ekonomike, strukturat e saj duken se janë solide për të ruajtur pakicën e tyre të artë, e cila ndoshta nuk është më e tillë, tashmë që LDK ka dukshëm rënie nga përqindjet e zgjedhjeve të shkuara.

Një fraksion i saj me Nexhat Dacin në krye, ish kryetarin e parlamentit, shpreson t’i shkëpus asaj rreth 8 për qind sipas sondazheve. Ndarja e cila pasoi vdekjen e Ibrahim Rugovës, duket se po funksionon më tepër si frymë, se sa fizikisht brenda partisë më të madhe të Kosovës.

Ky spektër i tronditur politik ka lënë mënjanë pa u aktivizuar shumë emra solidë të intelektualëve në Prishtinë, të cilët ndjehen të fyer nga LDK, por dhe të frikësuar nga një qeverisje e mundshme e partisë së zotit Thaçi. Shokët dhe miqtë e Xhemal Mustafës, këshilltarit të Shtypit të Rugovës, vrarë pak ditë pas zgjedhjeve të para në Kosovë, në shenjë hakmarrjeje ndaj fitores së LDK, ende nuk e dinë emrin e vrasësit dhe do të kenë dhe më pak shpresë ta gjejnë, nëse Thaçi fiton zgjedhjet. Një sërë vrasjesh të tjera politike në Kosovë, që kishin bazën nga rivaliteti mes partive të dala nga UÇK dhe LDK, po ashtu kanë mbetur pa u zbardhur dhe do të arshivohen si të tilla nga ndryshimet e pritshme. Frika nga arroganca e luftëtarëve ndjehet qartë në heshtjen solemne, me të cilën të flasin për rezultatet e mundshme të fushatës në Prishtinë intelektualë dhe gazetarë të vjetër, të cilët kanë parë shumë ndërrime pushtetesh në Kosovë. Paqartësia rreth bilancit të mundshëm të këtyre zgjedhjeve dhe qartësia, me të cilën Hashim Thaçi po kërkon të udhëheqë Kosovën, ka krijuar një emocion të ri elektoral në Kosovë, por dhe mëdyshje të reja. Më 17 nëntor, një datë fatale që përkon me hyrjen e komunistëve në Tiranë në vitin 1944, në Prishtinë mund të marshojnë si triumfatorë ithtarë të tyre, të përzjerë me djem të rinj idealistë që shpresojnë se do të arrijnë t`ia heqin frikën Kosovës nga brutaliteti i tyre. Shqipëria duket se ka eksportuar në Kosovë pjesë të background-eve të veta elektorale dhe tashmë që po rri indiferente ndaj zhvillimeve atje, askush nuk po llogarit dëmin që iu kemi bërë me modelet politike që kemi krijuar. Të shpresojmë së paku të mësojnë nga pësimet tona, për të qenë më të qartë, kur të votojnë, më 17 nëntor.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama