Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nevoja për alibi të re

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 16 vite më parë

Mero Baze
Nevoja për alibi të re

Kryeministri, Sali Berisha, po përpiqet të krijojë një alibi të re në raportet e tij me pushtetin gjyqësor dhe Prokurorinë e Përgjithshme për ta kthyer në betejë politike mënyrën, thellësinë dhe plotshmërinë e mundshme të hetimit të tragjedisë së Gërdecit. Dyshues deri në fund se Presidenti i Republikës është angazhuar për të motivuar drejtësinë për të hetuar çdo detaj të tragjedisë së Gërdecit, kryeministri, Sali Berisha, po krijon një mozaik konfliktesh që të justifikojë çdo lloj përfundimi të pakëndshëm të hetimeve mbi këtë çështje. Së pari, duket se ai ka përdorur raportet jo të mira mes Topallit dhe Topit për të degraduar çështjen e shqyrtimit të dosjes ‘Mediu’, e cila për turpin e këtij Kuvendi po shtyhet në pafundësi në mënyrë cinike për t’i bërë karshillëk asaj që konceptohet prej shumicës si pushtet i presidentit. Këmbëngulja banale e Kuvendit për të gjykuar cilësinë e provave që paraqet si argument prokuroria për çështjen ‘Mediu’, është një karshillëk i pastër. Jo më larg se gjashtë muaj më parë, ky Kuvend i hoqi imunitetin ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha, për një akuzë, e cila pas hetimit mund të na çojë te ndonjë faturë e ndonjë dëmi ekonomik, por jo ndonjë korrupsioni që ka prodhuar pasoja për ekonominë ose qytetarët shqiptarë. I krahasuar me imunitetin e Lulëzim Bashës, imuniteti i Fatmir Mediut është si faji i një të dyshuari për shpërdorim ekonomik me fajin e një vrasësi të kapur në flagrancë në vendngjarje. Askush nuk do të guxonte të shfletonte dosjen e Ina Ramës për të dorëzuar imunitetin e Fatmir Mediut. Ajo është një dosje që iu shfaq publikisht shqiptarëve, me gjithë tmerret e saj. Çdo tentim për ta shtyrë deri në fund mosdorëzimin e tij, nuk mund të kuptohet si gjë tjetër, veçse si arsye për të krijuar konflikt me prokurorinë, presidentin dhe pushtetin gjyqësor, si dhe për të justifikuar më pas të vërtetat e hidhura që mund të dalin nga ky hetim.

Së dyti, Berisha po përpiqet të përdorë konfliktin e fundit me presidentin, po ashtu për të bërë sulme në bllok ndaj pushtetit gjyqësor. Korrupsioni i përhapur në drejtësi, në të vërtetë do të ishte një shans tashmë për të heshtur për çështjen ‘Gërdeci’, por fakti që prokurorët e çështjes nuk janë njerëz nën kontroll të qeverisë dhe më tej akoma, emërimet e mundshme në Gjykatë të Lartë po ashtu janë njerëz që po armiqësohen publikisht me kryeministrin, e motivon këtë të fundit ta thellojë konfliktin, që të ketë alibi për çdo lloj përfundimi të këtyre hetimeve.

Së fundi, njoftimet e pakonfirmuara nga prokuroria se familjarë të kryeministrit mund të thirren për hetim nga ky organ për lidhjet e tyre me personazhin e tragjedisë së Gërdecit, kanë rritur tensionin dhe kanë çuar në ekstrem reagimin kundër prokurorisë deri te letra e fundit refuzuese për imunitetin e Mediut, ku kryetarja e Kuvendit fajësonte ushtarakët, sikur të ishte anëtare e Gjykatës së Lartë, duke bërë madje fajtorë ata dhe për një vendim të qeverisë me nr. 138, të cilin e ka bërë vetë Sali Berisha. Kjo përpjekje për karshillëk të qartë, madje dhe kujdesi për të mos vrarë shumë mendjen për argument në këtë luftë mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, nuk ka asnjë shpjegim tjetër veçse nevojës për alibi për çdo hap të mëtejshëm të gjyqësorit në historinë e Gërdecit.

Kjo luftë pa sens dhe pa argument ka shqetësuar dukshëm faktorin ndërkombëtar dhe ka nxitur dje një reagim, ndoshta më të fortin që ka ndodhur ndonjëherë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por kjo nuk ka për të pasur ndonjë ndikim te tendenca e qeverisë për konflikt me gjyqësorin. Qeveria luftën me gjyqësorin nuk e ka si luftë për ta fituar, as si betejë për ta nënshtruar, por e ka betejë politike për t’ia zhvlerësuar përfundimet e tij të mundshme. Kryeministri Berisha nuk do që të certifikohen vendimet që mund të marrë ky gjyqësor për çështjen ‘Gërdeci’, emrat që mund të nxjerrë dhe historitë e pazbuluara që mund të trondisin shqiptarët. Atij nuk i intereson më as “Silvia Konti” dhe as “Tano Karidët”, ai do konflikt me ta, për të thënë i qetë se “nuk po më gjykojnë, por po më paragjykojnë”. Ai ka nevojë për një alibi të re dhe, po ta dinte se do të shpërthente Gërdeci, ndoshta Dhori Sollaku do ishte më i mirë si prokuror për të.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama